Ndërlidhjet

QEVERIA E KOSOVËS BISEDOI ME PËRFAQËSUES TË VENDEVE PERËNDIMORE NË PRISHTINË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Procesi i bisedimeve nënkupton dhe kompromise, por të gjitha kompromiset do të bëhen për bërjen e shtetit të Kosovës, ka thënë sot kryeministri Bajram Kosumi. Këto komente, Kosumi i bëri pas një takimi që ai dhe kabineti i tij qeveritar, zhvilluan me shefat e zyrave të vendeve perëndimore në Prishtinë. Kosumi tha se i ka informuar diplomatët perëndimorë me tre aspektet e angazhimeve të qeverisë së tij për këtë vit, që si prioritet ndahen në bisedimet për statusin, përmbushjen e standardeve dhe në zhvillimin ekonomik. Ndërkaq lidhur me bisedimet për statusin, Kosumi tha se pavarësia e Kosovës, për palën kosovare, do të jetë e panegociueshme:
“U përmend fjala kompromis, por nuk u përmend fjala pavarësi. Ne duhet t'i bëjmë të gjitha kompromiset për ta bërë pavarësinë. Të gjithat që janë të duhura..., ne duhet të krijojmë raporte, marrëdhënie të mira me qytetarët e Kosovës fillimisht, me trashëgiminë kulturore-fetare, pastaj të krijojmë një zgjidhje të mirë, të kemi një zgjidhje të mirë edhe për decentralizimin, për pushtetin komunal, të kemi raporte të mira me fqinjët tanë e në veçanti me Serbinë dhe të kemi një raport të ri me Brukselin. Në të gjitha këto kërkohen negociata, bisedime edhe kompromise, por të gjitha këto bëhen me një qëllim, për ta bërë shtetin e Kosovës”, tha Kosumi.
Ndërkohë që shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Golberg, tha se kompromiset janë të domosdoshme për fusha të ndryshme që do të përfshihen në agjendën e bisedimeve:
“Çështja e zgjidhjes përfundimtare të statusit është një vendim që do të merret gjatë këtij procesi dhe kompromisi për çështjet e ndryshme është i nevojshëm për të krijuar një mjedis në Kosovë që do të garantojë një jetë më të mirë për qytetarët këtu dhe që do të krijojë kushte për institucione më të mira”, tha Golberg, duke mos dashur që ta paragjykojë rezultatin përfundimtar të bisedimeve për statusin. Ai tha po ashtu se gjatë vitit 2006, qeveria e Kosovës duhet të tregojë një përkushtim më të madh në fushën e ekonomisë dhe sidomos atë të minoriteteve për t’u siguruar atyre një jetë normale.
Ndërsa në emër të zyrave të vendeve të Bashkimit Evropian, ka folur përfaqësuesi i Zyrës Austriake Alexander Wayern, si kryesuese e radhës së BE-së. Ai tha se e çmonte lart angazhimin e kryeministrit të Kosovës këtyre ditëve të fundit, i cili mori pjesë në festat e krishtlindjeve ortodokse si dhe vizitoi lokalitete të banuara me popullatë shumicë nga minoritetet.
“Ne jemi të vetëdijshëm që viti 2006 është shumë i rëndësishëm për Ballkanin perëndimor në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti”, tha Wayern, duke i ofruar kryeministrit Kosumi gatishmërinë për ndihmën e qeverisë austriake për çështjet që do të ketë nevojë qeveria e Kosovës gjatë procesit të bisedimeve.
Ndërsa, shefi i Zyrës Amerikane, Philip Golberg, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që gjatë këtij viti të jetë më e përkushtuar dhe puna e saj të mos ketë ndërprerje, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me pakicat dhe ekonominë, kryeministri Kosumi tha se u ka sqaruar diplomatëve perëndimorë kahet e angazhimeve të qeverisë së tij për këtë vit:
“Qeveria do të punojë shumë më tepër, më fuqimisht në vitin 2006, duke patur parasysh se viti 2006 në krahasim me vitin 2005, është një vit ku merren vendime historike për Kosovën dhe puna e qeverisë bashkë me institucionet e tjera do të jetë konform kërkesave që dalin për këtë vit historik”, tha Kosumi.
Pas këtij takimi, Philip Golberg ka kërkuar nga qeveria e Kosovës të gjejë dhe zgjidhje për telefoninë në Kosovë, sidomos pas ndërprerjes së punës së Mobtelit në pjesë të caktuara të Kosovës. Ai kërkoi që qeveria të shpallë tender dhe të vendosë lidhjet e rregullta të komunikimit në mënyrë që njerëzit që janë goditur nga shkyçja e Mobtelit të kenë një mundësi tjetër që të komunikojnë lirshëm.



XS
SM
MD
LG