Ndërlidhjet

logo-print

PAPA BENEDIKTI I 16-TË EMËROI ZEF GASHIN PËR IPESHKV TË KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Premtime se do të vazhdojë të ruhet toleranca ndërnjerëzore e ndërfetare e nisur që pas rënies së komunizmit, ka marrë sot kardinali dhe patriarku i Venedikut Angelo Scola, nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Kardinali italian Angelo Scola ka deklaruar se është befasuar me ato që ka parë në Kosovë dhe ka kërkuar që Kosova të ecë rrugës drejt Evropës.
“I kam siguruar se katolikët do të vazhdojnë me këtë funksion dhe me këtë pjesëmarrje për ndërtimin sa më parë të paqes në të mirë të së ardhmes së Kosovës. Kosova duhet të shndërrohet në një vend me plot të rinj, një vend për të cilin Evropa ka nevojë,” tha kardinali Scola, pas takimit që pati me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci.
Kryeparlamenatri nga ana e tij ka falenderuar kardinalin Scola për kontributin e Kishës Katolikë në Kosovë, për, siç ka thënë ai, krijimin e tolerancës dhe interesimin që në Kosovë dhe rajon të mbretërojë paqja, drejtësia dhe zhvillimi.
“Premtova që Kosova do të jetë vazhduese e kësaj rruge të tolerancës që Kosova e para filloi në rajon me presidentin Rugova 16 vjet pas komunizmit. Ne do të ndihemi krenarë veten që Romën, Vatikanin, dhe Kishën Katolike në përgjithësi, e kemi aktive në Kosovë dhe është shumë afër institucioneve të Kosovës dhe popullit të Kosovës".
Kardinali italian Angelo Scola është takuar sot edhe me presidentin Ibrahim Rugova dhe me zëvendësshefin e UNMIK-ut Larry Rosin. Ndërkaq, në takimin me kryeministrin Bajram Kosumi, Scola është njoftuar me zhvillimet e fundit në Kosovë.
“E informova Kardinalin për zhvillimet e mëdha pozitive që kanë ndodhur në Kosovë në vitet e pas luftës, me dëshirën e popullit të Kosovës për liri, për të patur shansin të ketë shtetin e vet, të ardhmen e vet, demokracinë dhe prosperitetin e vet ekonomik dhe me synimin tonë përfundimtar që ky shtet i Kosovës të jetë
pjesë e Bashkimit Evropian”.
Vizita e kardinalit Angelo Scola, ka koinciduar me vdekjen dhe varrimin e ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Mark Sopit. I ndjeri Sopi kishte pritur për tre vjet një vizitë të tillë nga kreu i lartë i Kishës Katolike në Vatikan.
Ndërkohë, sot në mesditë Kishës Katolike në Kosovë i ka arritur dekreti i Papa Benediktit të 16-të, me të cilin emërohet përkohësisht ipeshkv i Ipeshkëvisë së Kosovës, arkipeshkvi i Tivarit imzot Zef Gashi. Këtë e konfirmoi për radion Evropa e Lirë kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, don Shan Zefi.
“Të gjitha kompetencat e ipeshkvit rezidencial për Kosovën do t'i ketë imzot Zef Gashi, arkipeshkv i deritashëm i Tivarit. Ai është në kuptimin e plotë Ipeshkv për Kosovën derisa Selia e Shenjtë zyrtarisht përmes një dekreti nuk emëron ipeshkv tjetër për Kosovën."
Zyrtarët e Kishës Katolike në Kosovë kanë mirëpritur vendimin e Papa Bendiktit të 16-të.




XS
SM
MD
LG