Ndërlidhjet

CILI ËSHTË SISTEMI MË I MIRË PËR ZGJEDHJET?


Lutfi Dervishi, Tiranë

Tema që mbizotëroi javën në Tiranë është reforma zgjedhore. Ndryshe nga radhët e tjera, kur debati për këtë çështje të rëndësishme bëhej në prag të zgjedhjeve dhe brenda kornizave të Kushtetutës, aktualisht propozimet kanë nisur më herët dhe shkojnë deri në ndryshimin e sistemit që kërkon ndryshime në ligjin themelor të shtetit.
Në pamje të parë sistemi zgjedhor në Shqipëri duket se përmbledh anët më të mira të dy sistemeve bazë zgjedhore, sistemit mazhoritar ku votuesit zgjedhin drejtpërdrejtë deputetët dhe sistemit proporcional ku deputetët dalin nga lista e partive. Në Shqipëri që nga viti 1992, aplikohet sistemi mazhoritar i korrektuar, ku 100 deputetë zgjidhen drejtpërdrejtë ndërsa 40 deputetë nga lista proporcionale e partive. Një sistem zgjedhor gjykohet nga rezultati që ai prodhon. Me përjashtim të zgjedhjeve plebishitare të vitit 1992 për ndryshimin e sistemit, të gjitha zgjedhjet e tjera, përfshi edhe zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2005 kanë rezultuar problematike. Madje për zgjedhjet e fundit edhe fituesit edhe humbësit i kanë vënë etiketën problematike zgjedhjeve. Zgjedhjet e kontestuara kanë sjellë destabilitet politik, institucional dhe ekonomik. OSBE-ja në Tiranë deri së fundi ka shërbyer si ndërmjetës mes palëve që ato të binin dakord për kodet zgjedhore, për përbërjen dhe funksionimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve e deri në çështje të vogla teknike. Në një sistem mazhoritar, përparësia i jepet individit. Partitë si rregull u mbështetën më shumë tek muskujt e militantëve dhe individët e "fortë" sesa tek vullneti i lirë i votuesve. Në zgjedhjet e fundit, partitë politike për hir të luftës për pushtet i ofruan votuesve njerëz që dyshohen se operojnë me biznese të dyshimta e deri në veprimtari kriminale. Mandati parlamentar dhe imuniteti që e shoqëron atë, u pa si një mburojë e mirë nga disa individë që në kushtet e funksionimit të shtetit ligjor, në vend të sallës së Kuvendit fare mirë mund të ishin në dyert e drejtësisë. Blerja e votave dhe komisionerëve, kërcënimi dhe deri edhe grabitja e kutive, u kthyen në fenomene shqetësuese. Një dimension problematik në dy zgjedhjet e fundit parlamentare mori fenomeni i Dushkut, ku dy partitë e mëdha i udhëzonin anëtarët dhe simpatizantët e tyre që të votonin për kandidatët e tyre dhe në listën proporcionale për partitë aleate. Për rrjedhojë kemi një deformim të përfaqësimit në Kuvend.
Me sistemin ekzistues, një parti që të futet në parlament mjafton të marrë 2.5% të votave në shkallë kombëtare. Ky prag i ulët, bëri që skena politike të mbushet me parti të vogla, që kryesisht vegjetojnë për shkak të ambicieve politike të një njeriu- kryetarit të partisë.
Propozimet e deritanishme për ndryshimin e sistemit rrahin tek sistemi proporcional, tek ulja e numrit të deputetëve nga 140 në 100 dhe rritja e pragut elektoral nga 2.5% në 5%. Ndryshimi i sistemit do të thotë ndryshim i Kushtetutës. Partia në pushtet nuk ka vota të mjaftueshme në Kuvend për të ndryshuar Kushtetutën, ndaj kërkohet edhe konsensusi sa më i gjerë politik. Ndryshimi i sistemit nuk do të thotë automatikisht edhe zgjidhje të problemeve. Një nga dobësitë e sistemit proporcional është rritja e autoritetit të kryetarëve të partive, pasi do të jenë ata që do të përcaktojnë listën e deputetëve, votuesit nuk e njohin deputetin e tyre dhe ekziston rreziku i një shumice të paqëndrueshme qeverisëse. Për këtë arsye një propozim që po fiton terren në diskutime është sistemi proporcional rajonal, ku votuesit do të njihen me listën e deputetëve të rajonit të tyre.
Për reformën zgjedhore është ngritur një komision parlamentar, po zhvillohen takime bilaterale mes liderëve kryesorë politikë, ka deklarime unanime për nevojën e ndryshimeve thelbësore, por duket se në rastin e Shqipërisë më shumë se çështje sistemi, zgjedhjet janë problem i vullnetit politik.

XS
SM
MD
LG