Ndërlidhjet

LARRY ROSSIN: KA NJË VITALITET TË RI PËR PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ekziston një botëkuptim i gjerë i rëndësisë së përmbushjes së standardeve për procesin e përcaktimit të statusit dhe për perspektivën evropiane të Kosovës, tha sot pasdite zëvendësshefi i UNMIK-ut Larry Rossin. Ai i bëri këto komente pas një takimi me kryeministrin e Kosovës dhe të gjithë ministrat e tij që kryesojnë grupet punuese për tetë standardet, përmbushjen e të cilave e ka kërkuar bashkësia ndërkombëtare, ku të gjithë kryesuesit e grupeve punuese kanë raportuar për arritjet e deritashme:
"Ky ishte një takim shumë i mirë në mbështetje të standardeve, për ta nisur 2006 me të kuptuarit e gjerë të raportit kritik ndërmjet standardeve dhe procesit të përcaktimit të statusit," tha Larry Rossin, sipas të cilit përmbushja e standardeve nuk mund të konsiderohet një proces afatshkurtër, por një proces i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të Kosovës:
"Është duke u bërë shumë punë dhe unë jam shumë i trimëruar që po shohim stimulim dhe vitalitet të ri për përmbushjen e këtij procesi gjatë këtij viti," tha zoti Rossin, ndërkohë që koordinatori i qeverisë së Kosovës për standardet Avni Arifi, njëkohësisht këshilltar politik i kryeministrit Kosumi, tha se është bërë përparim i madh në fushën e përmbushjes së standardeve:
"Ne mund të themi lirisht se shumica e tyre janë në fazën e përmbylljes dhe mund të raportojmë për një zhvillim jashtëzakonisht të madh, gjë që ka rezultuar në idenë apo propozimin që plani tjetër i veprimit tremujor të fillojë të implementohet deri të premten dhe nga aty të fillojë plani tjetër i veprimit për shkurt, mars dhe prill".
Zoti Arifi tha se është bërë përparim edhe në fushat ku ky përparim është vlerësuar i pamjaftueshëm nga Këshilli i Sigurimit dhe nga raporti i ambasadorit Kai Eide, siç është përmirësimi i pozitës së pakicave dhe liria e lëvizjes:
"Besoj se vizitat e kryeministrit të Kosovës nëpër zonat minoritare, por jo vetëm të kryeministrit, pasi në nivel medial kemi pas informim më të vogël, por pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës kemi pasur rritje të madhe të dialogut ndërmjet kryetarëve të komunave që kanë vizituar zonat minoritare, por edhe komunitetet shumicë dhe të gjitha shtresat e shoqërisë sonë".
Zoti Avni Arifi tha se sot është kërkuar nga qeveria që t’i qaset pandalshëm edhe dialogut me Serbinë për çështje teknike, pasi, siç u shpreh ai, është krijuar përshtypja se me fillimin e negociatave ka një rënie në aspektin e dialogut teknik. Për këtë arsye, tha zoti Arifi, qeveria e Kosovës ka bërë një organizim të ri të standardit VII dhe është caktuar një koordinator i ri për dialogun, i cili do t’i koordinojë katër grupet punuese.




XS
SM
MD
LG