Ndërlidhjet

E. HASANI: PALA KOSOVARE NUK DUHET TË HEZITOJË NDAJ DIALOGUT TË DREJTPËRDREJTË ME SERBINË


Enver Hasani, ekspert i të drejtës ndërkombëtare

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, fillimisht si i vlerësoni përgatitjet e palës kosovare për bisedimet lidhur me statusin?

ENVER HASANI
Unë mendoj se deri në kohën e fundit përgatitjet e palës kosovare nuk kanë qenë të kënaqshme, kanë qenë përgatitje që më shumë kanë shkuar me një inercion që është kushtëzuar nga raportet e brendshme të subjektit politik shqiptar, ndërsa në kohën e fundit vërehet një seriozitet më i madh në punë dhe një qasje më e strukturuar, sado që kam përshtypjen, se mënyra se si përçohet mesazhi politik, qoftë me gojë apo përmes dokumentesh nga pala kosovare, mendoj se është shumë i komplikuar dhe pa nevojë i komplikuar. Edhe pse ka shpjegim, në momente të caktuara të zhvillimit të ngjarjeve politike, mund të paraqitet si pengesë serioze.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të UNMIK-ut e kanë kritikuar delegacionin e Kosovës se po zvarrit përgjigjen për takimin e Vjenës. Si e vlerësoni ju këtë zhvillim?

ENVER HASANI
Zvarritja e delegacionit të Kosovës është pasojë e faktit se pala kosovare nuk ndihet e sigurt, askush nuk ndihet i sigurt për të dhënë një përgjigje meritore dhe askush nuk ndihet kompetent për të dhënë një përgjigje meritore. Ajo kërkon një koordinim konsesual tepër të stërholluar të palës kosovare dhe ky është shkaku kryesor për zvarritje. Kjo tregon atë që formati që e ka zgjedhur pala kosovare është format shumë i komplikuar, por që natyrshëm buron si pasojë e raporteve të brendshme të palës kosovare, të subjektit politik kosovar, i cili për çështjet që janë pak më serioze si ky i takimit sy më sy, kërkon një konsensus të plotë, i cili mund të arrihet dhe arrihet sigurisht me mjaft vështirësi. Sido që të jetë, në sytë e bashkësisë ndërkombëtare kjo jep imazh negativ të palës kosovare dhe mendoj se seriozisht e dëmton pozicionin. Nëse vazhdohet, e unë mendoj se kjo do të jetë një rregullsi, do të thotë vonesat në përgjigje, hezitimi, pasiguria e palës kosovare do të jenë më të shpeshta në kohën që po vjen dhe mendoj se ky është një hendikep shumë i madh.

RADIO EVROPA E LIRË
Takimi i Vjenës mund të jetë i pari në kuadër të procesit të bisedimeve ku pjesë të delegacioneve mund të jenë përballë njëri-tjetrit. Cilat mund të jenë efektet?

ENVER HASANI
Efekti kryesor mendoj se do të jetë shtensionimi i raporteve politike Serbi-Kosovë dhe mendoj se do të thyhen disa tabu, të cilat kanë ekzistuar për sa i përket dialogimit të drejtpërdrejtë me palën serbe dhe ky do të jetë efekti kryesor që do të reflektohet edhe më pastaj. Efekt tjetër që do të shihet, unë besoj është se pala kosovare do ta shohë se nuk duhet të iket nga takimet e drejtpërdrejta dhe se dialogimi, jo domosdo do të thotë mënjanim nga kërkesa kryesore, me të cilën shkon në bisedime pala kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, si e vlerësoni këtë modalitet bisedimesh që po aplikon zoti Ahtisari në përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes për statusin?

ENVER HASANI
Unë mendoj se natyra e konfliktit shqiptaro-serb, raportet aktuale që janë mjaft të acaruara e kanë diktuar këtë format që e ka zgjedhur zoti Ahtisari dhe ka gjasë që të jetë dominant gjatë gjithë procesit, por se sa do të jetë i suksesshëm mbetet të shihet. Shkuarja në bisedime të drejtpërdrejta apo mbizotërimi i bisedimeve të drejtpërdrejta të tërë procesit të dialogut, është e qartë se do të kishte qenë i pasuksesshëm dhe do të kishte acaruar edhe më shumë raportet shqiptaro-serbe, kështu që takimi i ardhshëm i Vjenës, është një lloj testi për të shikuar nëse mund të vazhdohet formati ekzistues, do të thotë, më pak takime direkte dhe më shumë diplomaci shuttle- unë do të thosha formë gjyqësore, ku palët paraqesin memorandumet, kërkesat e tyre me shkrim dhe arbitri, në këtë rast Ahtisari, u jep përgjigje,- apo do të shkohet me mënyrë të kombinuar. Kjo mbetet të shihet, por mjaft varet nga takimi i Vjenës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mund të jenë sipas jush pengesat që mund të dalin gjatë këtyre bisedave dhe cilat janë rreziqet?

ENVER HASANI
Unë mendoj se rreziku kryesor dhe pengesa kryesore që mund të shkaktojë rreziqe është se pala kosovare ka nevojë për konsensus absolut për sa u përket çështjeve të ndjeshme politike, edhe pse ato mund të mos jenë në këtë fazë dominante. Dominante me sa unë shoh do të jenë ato që kanë qenë deri dje dialog teknik dhe ky do të jetë dialog teknik politik, që do të thotë vazhdim politik i dialogut teknik, dhe unë kështu do ta quaja. Kjo mungesë e kohezivitetit, ky kohezivitet i brishtë dhe vetëm sipërfaqësor, më vonë, ku të vijë çështja e bisedave më shumë politike, mund të lëkundet seriozisht dhe ajo sigurisht është rrezik dhe mund ta nxjerrë në shesh edhe paaftësinë e palës kosovare për të folur me një zë dhe unë besoj se ky është problemi kryesor, i cili parashoh se mund të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkombëtarët kanë shprehur nevojën për kompromis nga të dyja palët. Cili do të mund të ishte kompromisi i palës kosovare?

ENVER HASANI
Është vështirë të thuhet se për çfarë kompromisi është e gatshme pala kosovare, por në parim mund të thuhet se kompromisi, nëse shkohet me kërkesën për pavarësi dhe sovranitet, atëherë kompromisi do të ishte më pak se pavarësi dhe sovranitet dhe ajo më pak mund të jetë prej lidhjeve të asociuara të Kosovës me Unionin Serbi-Mali i Zi e deri te format e tjera të federalizimit të Kosovës, si brenda për brenda, ashtu edhe tërë territori karshi Unionit Serbi Mali i Zi. Pastaj gjithçka varet nga gatishmëria dhe përgatitja e palës kosovare dhe arsyetimi i kërkesës së palës kosovare dhe pranimi i saj nga ana e atyre që vendosin dhe që janë arbitër në këtë kontekst.

RADIO EVROPA E LIRË
A nuk do të ishte pavarësia e kushtëzuar një kompromis i mjaftueshëm i palës kosovare?

ENVER HASANI
Se çka do të jetë kompromis i mjaftueshëm kjo vendoset në fund të fundit nga opinioni publik, nëse jo me vota, atëherë nga një gjykim konvencional i përgjithshëm, i cili mund të jetë i pranueshëm. Nëse ajo pranohet dhe fle, atëherë mund të jetë edhe pavarësia e kushtëzuar dhe ka gjasa që të jetë ashtu. Por, nëse që tani pala kosovare dhe përgjithësisht bota shqiptare ka filluar të tregojë gatishmëri absolute ndaj pavarësisë së kushtëzuar, atëherë rreziku është real që të jetë më pak se pavarësia e kushtëzuar. Unë mendoj se kërkesat për pavarësi të kushtëzuar dhe pranimi i tyre në mënyrë implicite nga pjesa dërrmuese e palës kosovare dhe përgjithësisht të subjektit shqiptar në rajon, ka qenë dhe është një hap i ngutshëm, i pamatur, i papërgjegjshëm, që esencialisht dëmton pozicionet e palës kosovare në bisedime. Sikundër që në vijim të saj unë e shoh si problem shtesë edhe përfshirjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore apo të Luginës së Preshevës. Paralelizimi i tyre mendoj është shumë naiv në bisedat për Kosovën. Paralelizimi dhe në njëfarë mënyrë kundërofensiva e tyre ndaj kërkesave serbe në Kosovë, unë mendoj se mënyra se si është bërë ajo, edhe pse dikujt mund t’i duket pozitive dhe forcon pozitën, ajo shkon në dëm të saj, sepse e shton edhe një faktor tjetër shtesë, të cilin pala kosovare nuk mund ta kontrollojë gjatë bisedimeve.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG