Ndërlidhjet

LEHNE: “BE NUK DO TË ZËVENDËSOJË UNMIK-UN, POR MUND TË UDHËHEQË MISIONET NË FUSHËN E POLICISË DHE DREJTËSISË


Albana Isufi, Prishtinë

I dërguari i Bashkimit Evropian për statusin përfundimtar të Kosovës, Stephan Lehne, ka inkurajuar sot kosovarët që të vazhdojnë punën në përmbushjen e standardeve. Lehne u ka thënë sot kosovarëve se ekziston një lidhje e qartë mes standardeve dhe lëvizjes drejt përcaktimit të statusit përfundimtar.
Stephan Lehne ka diskutuar sot me kryeministrin Bajram Kosumi përgatitjet që lidershipi kosovar po bën në procesin e përcaktimit të statusit.
“Ka lajme inkuaruese. Grupet punuese po takohen dhe po prodhojnë dokumente. Unë theksova rëndësinë e këtyre dokumentve, pasi kosovarët duhet t’ia sqarojnë bashkësisë ndërkombëtare se janë të gatshëm që të lëvizin drejt një Kosove demokratike, multietnike ku të gjitha komunitet mund të jetojnë në paqe," tha ndihmësi i Marti Ahtisarit , Stephan Lehne.
Kryeministri Bajrm Kosumi ka siguruar Lehnen se kosovarët janë të përkushtuar që të mbyllin me sukses procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar. Ai ka arsyetuar këtë me punën e grupeve punuese që kanë bërë në përmbushjen e standardeve.
“Të gjitha këto tregojnë se në Kosovë është kuptuar shumë seriozisht dhe është investuar shumë në këtë proces. Besojmë fuqishëm në këtë proces dhe presim, që të ndodhin veprime dhe vendime shumë të rëndësishme gjatë 2006-tës në këtë proces”.
Kosumi ka deklaruar se në këtë kuadër do të mbahet edhe takimi i Vjenës mbi decentralizmin, por përvec datës nuk ka dhënë detaje tjera rreth takimit të palës kosovare me atë të Beogradit.
“Do të mbahet më 25 do të shkojë ekipi negociator i caktuar nga delegacioni i Kosovës i përbërë nga drejtues të ekipit dhe ekspertëve. Për këtë do të vendoset nga delegacioni i Kosoëvs në ditët e ardhshme”.
Në anën tjetër i ndihmësi i kryengociatorit ndërkombëtar, për statusin e Kosovës, Stephan Lehne, ka hedhur poshtë deklaratat e zyrtarëve serbë se Bashkimi Evropian do ta zëvendsojë misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
“Mendoj se Bashkimi Evropian nuk do ta zëvendësojë UNMIK-un si pushet administrativ, ky nuk është qëllimi ynë. Bashkimi Evropian është i gatshëm që të marrë përgjegjësi më të mëdha në fushën e sundimit të ligjit, policisë në mënyrë që t’u ndihmohet kosovarëve në ndërtimin e kapaciteteve për këto fusha,” tha Lehne.
I dërguari i BE-së për statusin ka thënë se Kosovës do t’i duhet kohë e gjatë për të vendosur institucione demokratike që janë në përputhje me standardet e BE-së. Megjithatë. Lehne ka premtuar se Bashkimi Evropian nuk do ta lërë Kosovën të arrijë e vetme këto standarde, duke premtuar ndihmën evropiane për t’u zhvilluar, veçanërisht në fushën ekonomike.




XS
SM
MD
LG