Ndërlidhjet

KOCI:"GJYSMA E PERSONELIT MJEKËSOR NË QKU JANË RASTE SOCIALE"


Bajram KOCI, Drejtor mjekësor në Qendren Klinike Universitare

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Koci, si e vlerësoni përgjithësisht situatën aktuale në Qendrën Klinike Universitare?

BAJRAM KOCI
Situata aktuale në Qendrën Klinike Universitare është stabile dhe më atmosferë pune. Është një situatë që pareshtur është e drejtuar nga perspektiva e QKU-së drejt hapjes së shërbimeve të reja. Për këtë ne si menaxhment i ri i QKU-së, që ka një vit që jemi zgjedhur, punojmë në këtë drejtim, dhe ky është synimi dhe caku ynë.

RADIO EVROPA E LIRË
Qendra Klinike Universitare kohëve të fundit është ballafaquar me akuza për korrupsion, neglizhencë dhe konflikt interesash. Si u përgjigjeni ju këtyre akuzave dhe kush sipas jush qëndron pas tyre?

BAJRAM KOCI
Si staf menaxhues punojmë dhe nuk kemi kohë të merremi më disa akuza që nuk janë të vërteta. 90 për qind janë akuza të rreme, janë akuza shpifëse, janë akuza nga grupe interesi që janë jashtë QKU-së. Unë nuk them se nuk kanë edhe aleatë brenda QKU-së, sigurisht se edhe ata ekzistojnë. Por, kryesisht janë grupe interesi, grupe njerëzisht të cilët kanë interesa të posaçme që të denigrojnë dhe kriminalizojnë QKU-në, përkatësisht të kriminalizojnë pjesën më të rëndësishme të shërbimit shëndetësor të Kosovës. Asnjë herë nuk e kemi fshehur, dhe jam unë, ai i cili ndër të parët kam thënë se ka korrupsion sikur në tërë shoqërinë kosovare, por edhe si në tërë botën. Por, unë ju garantojë se korrupsioni në QKU është shumë më i vogël se sa në shumë sektorë tjerë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se politizimi i sistemit shëndetësor ka bërë që kodi për shërbimin civil të mos respektohet. Sa janë të vërteta këto pohime?

BAJRAM KOCI
Pikërisht një kriminalizim i tillë, një nxirje e mantel-bardhëve ka shkaktuar një dëm shumë të madh në opinion kosovarë, por edhe në të ardhmen do të shkaktoi, sepse është prishur imazhi, një imazh që ka ekzistuar gjithmonë ndaj mjekëve. Unë nuk them se ne duhet të kemi shabllone imazhesh sikur në të kaluarën siç ka qenë, por duhet të jemi real dhe realisht t’i shikojmë problemet që ekzistojnë në përgjithësi në sistemin shëndetësor, e sidomos në QKU, sepse është prijëse e këtyre shërbimeve. Në Kosovë QKU-ja është në stadin më të lartë të këtyre shërbimeve. E vetmja është QKU-ja qendër referente që ofron shërbime terciare për popullatën e Kosovës, një pjesë të popullatës së Shqipërisë dhe për Presheve, Bujanoc dhe Medvegjë. Prandaj, në vend që të drejtohen të gjitha forcat në ndihmën që duhet të i jepet QKU-së, dhe jo vetëm QKU-së, por edhe shëndetësisë në përgjithësi, pastaj në stimulimin e kësaj veprimtari shumë të rëndesishme për qytetarët e Kosovës, shigjeta drejtohet kundër.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Koci, duke pasur parasysh buxhetin e kufizuar me të cilin dispononi sa ka mundësi Qendra Klinike Universitare të ofrojë shërbime efikase për qytetarët e Kosovës?

BAJRAM KOCI
Thelbi qëndron pikërisht të buxheti i vogël në përgjithësi për shëndetësi, posaçërisht për QKU-në. Ne si menaxhment, ministria dhe qeveria synojmë te kemi mjekësi moderne, por ajo kushton shumë. Nga ana tjetër asgjë nuk bëjnë që kjo mjekësi të modernizohet e të mos të flasim për veprimtari tjera apo për projekte kapitale. Ne kemi bërë çka është e mundshme më këtë buxhet, që të bëjmë përgatitjet dhe të hapim shërbimet e reja shëndetësore të cilat nuk kanë ekzistuar më herët në Kosovë. Dhe ne po bëjmë çka është e mundur të behët më këtë buxhet, por për të përmirësuar cilësinë e shërbimit duhen mjete shumë më të mëdha. Dhe kjo nuk është punë e QKU-së, por e qeverisë dhe ministrisë. Qeveria duhet të implikohet këtu patjetër, sepse është punë dhe premtim i saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Përballë mundësisë së licencimit të institucioneve private shëndetësore, sa ka rrezik që Qendra Klinike Universitare, për shkak të buxhetit të kufizuar, të mbetet pa personel të kualifikuar?

BAJRAM KOCI
Kjo frikë ka ekzistuar pas përfundimit të luftës, në vitin 1999-2000, mirëpo tashmë nuk ekziston. Patjetër që të funksionojnë mirë shërbimet publike ose duhet të privatizohen pjesërisht ose duhet të ndahen më shërbimin privat. Realisht themi se një punëtorë shëndetësor ose një profesor i cili këtu ka një pagë simbolike duhet të mendoi gjatë punës në QKU për shërbimet e veta private. Kjo nuk është ne rregull, por ne të gjithë jemi njerëz qe kemi nevojë për mbajtjen e fëmijëve dhe shkollimin e tyre. Ju them një të vërtetë - këtu mbi 50 për qind të mjekëve janë raste sociale. Prandaj, si të motivohen ata që të merren më shkencë. Ata qe punojnë në shërbime publike duhet të stimulohen dhe të përmirësohet pozita e tyre materiale. Ndërsa ata që punojnë privat natyrisht të barazohen sa i përket kushteve tjera të licencimit edhe shërbimeve. Na nuk kemi asnjë frikë se do të mbesim pa kuadro.

INTERVISTOI: Nadie AHMETI

XS
SM
MD
LG