Ndërlidhjet

PA KOSOVËN DHE MALIN E ZI, SERBIA FITON PAVARËSINË


Janusz Bugajski, Wall Street Journal

Me përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës në muajt e ardhshëm, Serbia dhe Mali i Zi janë në prag të shkurorëzimit, i cili do të formalizohet me mbajtjen e referendumit mbi pavarësinë në muajin prill. Përpjekjet për të parandaluar zgjidhjet demokratike për vetëvendosje do të mund të nxisnin konflikte në të ardhmen. Alternativa e themelimit të shteteve legjitime është rritja e kundërshtimeve nacionaliste, të cilat në masë të madhe do të jenë drejtuara kundër Bashkimit Evropian, NATO-s dhe të tjerëve në Ballkan. Edhe pse është vendosur për fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës, është sfiduese, por e gabueshme, ndërlidhja e kësaj çështjeje me Malin e Zi, vend ky i cili, për dallim nga Kosova, ka qenë republikë federale në Jugosllavinë e dikurshme, me të drejtën e njejtë për pavarësi sikur që kanë pasur vendet e tjera që janë krijuar nga ky shtet i dështuar. Disa diplomatë evropianë kalkulojnë se duke bërë trysni mbi Malin e Zi për të anulluar referendumin e planifikuar mbi shtetësinë, do t’ia kompenzojnë Serbisë humbjen e Kosovës. Por, manipulimi me të ardhmen e Malit të Zi nuk do të shuajë nacionalizmin në rajon, përkundrazi mund të sforcojë radikalizmin në Serbi dhe të zhvendosë vëmendjen nga reformat e brendshme.
Përfitimi më i madh i Serbisë nga ndarja me Kosovën dhe Malin e Zi do të jetë vetë pavarësia e Serbisë, e cila është penguar nga tre Jugosllavitë e dështuara. E çliruar nga konfliktet e vazhdueshme me Podgoricën dhe Prishtinën mbi çështjen e strukturës shtetërore, përgjegjësive administrative dhe obligimeve financiare, Beogradi më në fund do të jetë në gjendje të ndërtojë një Serbi të fuqishme. Vetëm shtetet sovrane mund të anëtarësohen në NATO dhe në BE, jo entitetet e paqëndrueshme, unionet shtetërore apo vendet e varura ndërkombëtarisht. Nëse Bashkimi Evropian diskualifikon cilindo shtet legjitim të Ballkanit nga projekti evropian, do të humbë kredibilitetin dhe efektivitetin si një bllok demokratik. Pranimi i tre shteteve të reja të zotuara në procesin e evropianizimit përfundimisht do të ishte më pak i kushtueshëm dhe më pak i bezdisshëm se vonesat e mundshme në zgjidhjen e statusit të këtyre shteteve.
XS
SM
MD
LG