Ndërlidhjet

logo-print

NË TAKIMET E SOTME TË ZOTIT LEHNE U DISKUTUA PËR ÇËSHTJEN E DECENTRALIZIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përgatitja e takimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit më 25 janar në Vjenë ku do të diskutohet procesi i decentralizimit dhe organizimit të ri të administratës lokale në Kosovë, ka mbizotëruar në agjendën e të dërguarit të Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës, Stephan Lehne, gjatë vizitës dy ditëshe që i bëri Kosovës. Lehne është njoftuar nga zyrtarët vendorë lidhur me parimet bazë të miratuara për reformat në pushtetin lokal. Ai tha se decentralizimi paraqet një prej çështjeve kryesore në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, duke pasur parasysh se me këto reforma synohet të zgjidhet dhe pozita e pakicës serbe në Kosovë. Pavarësisht pozicioneve krejtësisht të kundërta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zhvillimin e këtij procesi, Lehne tha se procesi ende është në fazën fillestare dhe nuk mund të paragjykohet se nuk do të ketë sukses në bisedimet ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe:
"Bisedimet janë në vazhdim e sipër. Delegacioni i këtushëm duhet të marrë një vendim për dokumentin e miratuar. Ne nuk mendojmë se çdo gjë është finalizuar; pra ky është një proces dhe shpresojmë se përmes bisedimeve pozicionet e palëve do të afrohen. Por ne gjithashtu nuk presim që pozicionet të afrohen shumë në fillim të këtij procesi”, theksoi Lehne, pas një takimi që zhvilloi me Ministrin e Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Lutfi Haziri. Ai theksoi po ashtu se reforma në pushtetin lokal është një instrument i mirë që të adresojë drejtë pozicionin e minoriteteve në Kosovë.
“Në këtë rast dëshiroj ta konfirmoj edhe një herë gatishmërinë time si ministër i qeverisë së Kosovës nën mandatin e Delegacionit të Kosovës, që të marr përsipër jo vetëm shkuarjen në Vjenë për të biseduar agjendën që është caktuar nën mandatin e zotit Ahtisari, por për gjithë procesin si të tillë, në mënyrë që të ndikojmë në dinamikën e statusit dhe në dinamikën e përfundimit krejt këtij procesi për qytetarët e Kosovës”, tha Haziri.
Në anën tjetër, ministri Lutfi Haziri e siguroi zotin Lehne se ai është i gatshëm të përfaqësojë palën kosovare në takimin e Vjenës. Por, sipas Hazirit për pjesëmarrjen e tij në këtë takim atij i duhet dhe miratimi nga Delegacioni i Kosovës.
Ndërsa komuniteti ndërkombëtar pret që pala kosovare të marrë vendim për takimin e Vjenës, nga Presidenca e Kosovës edhe sot, jo zyrtarisht, është bërë e ditur se takimi i Ekipit Negociator pritet të thirret gjatë fundit të kësaj jave.
Çështja e decentralizimit dhe takimi i Vjenës kanë qenë temë trajtimi dhe gjatë një takimi që Stephan Lehne zhvilloi me Sekretarin e Përgjithshëm të PDK-së, Jakup Krasniqin. Përfaqësues i partisë më të madhe opozitare në Kosovë tha se i kishte prezantuar zotin Lehne parimet e Prishtinës për reformën e pushtetit lokal dhe qëndrimin e PDK-së se zbatimi i këtyre reformave apo decentralizimit do të mundësohej vetëm pas zgjidhjes së statusit, në një Kosovë të pavarur, ku sipas Krasniqit, të gjithë qytetarët do t’i gëzonin të drejtat e barabarta:
“Sa më shumë dhe më shpejt që të përcaktohet procesi politik për Kosovën shtet të pavarur e sovran, krijohet mundësi për zhvillimin ekonomik në Kosovë dhe krijohet hapsirë më e mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim. Jemi të gatshëm për të biseduar për proceset politike, por edhe për parimet dhe reformimin e pushtetit vendor si dhe për decentralizimin”, tha Krasniqi.
Ndërkohë zoti Lehne tha se ai dhe komuniteti ndërkombëtar presin që pala kosovare të tregojë se është e gatshme që t'u ofrojë të gjitha komuniteteve në Kosovë një të ardhme të qetë dhe sigurt, duke shprehur besimin e tij se ky përcaktim do të duhej të ishte strategjia bazë e Kosovës në bisedimet për statusin.
Ndihmësi i kryenegociatorit për statusin e Kosovës Marti Ahtisarit, Stephan Lehne ka takuar sot në Mitrovicë dhe përfaqësuesit politikë të komunitetit serb. Kurse dje bisedoi dhe me kryeministrin Bajram Kosumi, nga i cili ka kërkuar përqendrim të vazhdueshëm të qeverisë së Kosovës në zbatimin e standardeve dhe u ka kërkuar liderëve vendorë që t'i sqarojnë popullatës rëndësinë e krijimit të një Kosovë demokratike dhe shumë-etnike.




XS
SM
MD
LG