Ndërlidhjet

LDK DHE AAK ENDE PA MARRËVESHJE PËR DY MINISTRITË E REJA


Albana Isufi, Prishtinë

Një muaj ka kaluar, që kur UNMIK-u nënshkroi rregulloret për krijimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Rendit. Por ende nuk është arritur pajtueshmëri mes dy partive të koalicionit qeveritar LDK-së dhe AAK-së për të caktuar ministrat e rinj.
Megjithatë, kryeministri Kosumi javën e kaluar emëroi dy ushtrues detyre të sekretarëve të përhershëm në këto dy ministri.
Azem Hajdari, ushtrues detyre i sekretarit në Ministrinë e Drejtësisë, thotë se pavarësisht mos emërimit të ministrit, punët në konsolidimin e personelit kanë filluar.
“Tani për tani kam filluar të konsolidoj stafin e drejtpërdrejtë që do të jetë në varësi të Sekretarit të Përhershëm. Pra jam në biseda në kontakte dhe në caktimin e personave të parë që do të ushtrojnë detyrën e drejtorëve të drejtorive përgjegjëse."
Por, edhe pas emërimit të ministrave, dy dikasteret e rinj të kabinetit të qeverisë nuk do t’i kenë të gjitha përgjegjësitë e bartura. Aktiviteti i ministrive do të kalojë nëpër një fazë testuese, ku UNMIK-u do të vlerësojë nëse kosovarët janë ose jo të gatshëm për të marrë kompetenca në fushën e drejtësisë dhe të sundimit të ligjit. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Remi Dourlot shpjegon kompetencat, që do t’i kenë të dy ministritë në këtë fazë:
“Në parim, të gjitha kompetencat në fushën e drejtësisë dhe policisë do t’u barten ministrive të reja, përveç disa fushave të veçanta të fushës së drejtësisë, disa çështjeve të lidhura me krimet ndërkombëtare ose krime më serioze siç janë gjenocidi ose krimet kundër njerëzimit”, tha Remi Dourlot.
Ndërkohë, juristët kosovarë theksojnë se Kosovës i duhet edhe më tej një mbikëqyrje ndërkombëtare në fushën e drejtësisë. Eksperti për çështje kushtetuese e juridike Riza Smaka, arsyeton këtë me faktin se sistemi i drejtësisë deri tani nuk është treguar efikas.
“Aktualisht gjykatat tona, prokuroritë tona nuk janë fare efikase, nuk janë fare në nivelin e detyrave. Ne kemi pritur shumë mirëpo jemi të zhgënjyer."
Smaka thotë se institucionet e Kosovës, sidomos Kuvendi duhet të shqyrtojë seriozisht funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe t’u lehtësojë punën gjykatësve e prokurorëve.
“Kur vjen puna gjykatësin askush nuk e mbron absolutisht, ndërsa funksionarët politikë i mbrojnë 10, 15 apo 30 veta. Ai nuk ka kurrfarë sigurie shoqërore, pagesën e ka të ulët, është i nëpërkëmbur, s'ka kushte të mjaftueshme të përshtatshme për punë normale."
Por, Juristi Smaka nuk beson se me krijimin e ministrive do zgjidhen të gjitha këto probleme.
Ministri i Drejtësisë, gjyqtarët dhe prokurorët, sipas Azem Hajdarit, me krijimin e ministrive nuk do t’i përgjigjen as Shtyllës së Parë të UNMIK-ut, por as qeverisë. Do të jetë Këshilli Gjyqësor, organi që do të mbikëqyrë aktivitetet në sistemin e drejtësisë.
“Struktura e Këshillit Gjyqësor është e ndërtuar në mënyrë të tillë që përbëhet prej njerëzve që vijnë, sipas funksionit që ushtrojnë dhe prej një kategorie tjetër të personelit që vijnë ose zgjidhen. Për shembull prej atyre që shkojnë sipas funksionit do të jenë kryetari i gjykatës supreme të Kosovës, Ministri i Drejtësisë dhe do të jetë kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës. Ndërsa ata që do të zgjidhen, do të vijnë prej rradhëve të shkencës, pra prej universitetit, do të jetë një prej prokurorisë etj".
Sistemi i drejtësisë në Kosovë është i brishtë bazuar në raporte të ndryshme, që ka publikuar OSBE-së, por edhe në raportin e të dërguarit për vlerësimin e standardeve Kai Eide.
Madje, në këto raporte është rekomanduar që edhe pas përcaktimit të statusit përfundimtar, të ketë prani të gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG