Ndërlidhjet

ANDERSON: “ENDE MUNGON VIZIONI PËR SISTEMIMIN E SERBËVE NË KOSOVËN E PAS STATUSIT”


Alex Anderson, shef i zyrës së GNK-së në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson pala kosovare është kritikuar nga UNMIK-u dhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë për shkak të zvarritjes së përgjigjes lidhur me takimin e Vjenës për decentralizimin. Cilat do të jenë efektet e këtij zhvillimi?

ALEX ANDERSON
Unë mendoj se ata e patën refuzuar takimin e Vjenës në dhjetor dhe prej atëhere, duke pasur parasysh se pjesën më të madhe të vitit të kaluar ka qenë e pamundur që elita politike shqiptare të bashkëpunonte. Ndërkaq gjatë disa javëve dhe ditëve të fundit kemi parë grupin politik të ekipit negociator të shqiptarëve të Kosovës duke punuar shumë, në mënyrë inkurajuese, në përpjekjet për ta hartuar një dokument mbi pozicionin lidhur me decentralizimin, gjë që ka munguar më parë. Nëse takimi do të mbahej më herët, pala shqiptare e Kosovës nuk do të kishte pasur një qëndrim të përbashkët.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a do të ketë pasoja për palën kosovare si rrjedhojë e vonesës së përgjigjes?

ALEX ANDERSON
Po, meqë shumica shqiptare e Kosovës është ajo që synon kah pavarësia, atëherë bashkësia ndërkombëtare është ajo që përmes zyrtarëve të ndryshëm, bën çfarë mundet për të thënë, apo edhe pa thënë, jep të kuptohet se pavarësia mund të fitohet, qoftë e kushtëzuar apo e mbikëqyrur, nëse arrihet një qëndrim të përbashkët lidhur me çështjet si decentralizimi dhe aspekte të tjera të sistemimit të komunitetit serb. Sa më shpejt që të bëhet kjo, aq më shpejt do mund të shkohet përpara me agjendën kosovare të përcaktimit të statusit përfundimtar dhe do të pajtoheshin me njëfarë pavarësie të kontrolluar. Nëse Kosova nuk ndërmerr iniciativa për ta adresuar këtë çështje dhe për t’i sjellë ato në tavolinë, atëherë kjo do të mund ta ngadalësojë procesin. Duke thënë këtë, mënyra se si procesi duket se po skicohet tash, duket si një version i ngushtuar i standardeve para statusit, në kuptimin që nga shumica shqiptare e Kosovës kërkohet që së pari të ofrojë koncesione dhe që rezultatet të bëhen të dukshme më pas. Kështu që ende ka mjaft dyshime dhe madje njëfarë paranoje në mesin e politikanëve shqiptarë, që nëse ne bëjmë koncesione për decentralizimin; nëse bëjmë një ofertë zemërgjerë, çfarë garancish kemi se këto oferta do të luajnë rol në kontekstin e pavarësimit apo jo të Kosovës dhe thjesht do të ishte një dhënie e gjërave në mënyrën që e dëshiron Serbia.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson si e shihni ju vetë programin e decentralizimit. A është ajo ofertë mjaft serioze për serbët dhe për pakicat e tjera?

ALEX ANDERSON
Unë ende nuk e kam parë versionin përfundimtar të qëndrimit për decentralizimin, mirëpo dy versionet e fundit edhe pse ishin të hartuara si projekte të respektueshme, nuk kishin mjaft detaje në vete dhe ajo që sipas meje mungonte në to ishte një formë aneksi, ku pala kosovare do të shpjegonte se si propozimi i tyre do të përmbushte agjendën e raportit të Kai Eides. Kjo veçanërisht vlen në aspektet ku komunat me shumicë serbe të kenë fuqinë e gjyqësisë dhe policisë, që të kenë më shumë kompetenca në komunat e tyre, që të mund të jenë të lidhura më njëra-tjetrën dhe të kenë disa lidhje speciale me Beogradin. Këto janë të gjitha aspekte të raportit të ambsadorit Kai Eide, që shihen si mjaft problematike nga pikëpamja e Prishtinës dhe mund të jenë çështje e gjetjes së një kompromisi ndërmjet qëndrimit me të cilin del pala kosovare dhe do të jetë më afër gjetjes së një mënyre krijuese për të përmbushur agjendën e Kai Eides.

RADIO EVROPA E LIRË
Derisa po flasim për takimin e Vjenës, a e shihni ju këtë takim të parë të drejtpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si një qasje të re ndaj bisedimeve për statusin nga zoti Ahtisari?

ALEX ANDERSON
Zoti Ahtisari në njëfarë mënyrë po improvizon dhe ai është i detyruar të improvizojë, duke pasur parasysh pozicionet fillestare të Prishtinës dhe të Beogradit, ku ka shumë pak të përbashkëta. Prandaj ka shumë pak gjëra rreth të cilave do të mund të silleshin të dyja palët brenda një agjende të përbashkët. Megjithatë, takimi Lonçar-Haziri nga viti i shkuar ka krijuar njëfarë baze mbi të cilën diçka mund të ndërtohet dhe në kuptimin që decentralizimi do të jetë një nga rrugët kryesore përmes të të cilës komuniteti serb do të mund të sistemohet. Nuk mendoj se duhet të ketë një rrugë përjashtuese, prandaj do të ishte e mirëseardhur nëse agjenda ndërkombëtare do të mund të kthehej kah shqyrtimi i mundësive se si komuniteti serb do të mund të sistemohej po ashtu në institucionet qendrore në Kosovë. Mirëpo, duke pasur parasysh rëndësinë e decentralizimin, është e domosdoshme për Ahtisarin që të shfrytëzojë mundësinë për të ndriçuar apo shpalosur pak më shumë pozicionet e të dyja palëve. Prandaj së fundi kemi parë një dokument koherent që është përgatitur për decentralizimin, që ka munguar më parë dhe si i tillë decentralizimi gjatë muajve të fundit apo viteve të fundit, ka qenë çështje shumë e papopullarizuar në mesin e shqiptarëve të Kosovës. Ata në këtë cështje kanë parë njëfarë dënimi apo një lloj të vënies së bashkësisë ndërkombëtare në shërbim të agjendës serbe dhe me një ndjenjë të tillë, ata gjithmonë kanë qenë në defansivë lidhur me decentralizimin. Prandaj, nëse shqiptarët e Kosovës janë në gjendje të hartojnë një propozim dinjitoz se si ata e shohin reformën e pushtetit lokal në vitet e ardhshme, këtu do të krijohej një efekt i dobishëm anësor i krijimit të ndjenjës, se pikërisht ata janë pronarët e agjendës së decentralizimit, gjë që nuk ka ndodhur deri më tash.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni dialogun ndëretnik në Kosovë, ndërkohë që të gjithë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë të përfshirë në delegacionin e Serbisë dhe asnjë prej tyre nuk është madje as në grupet punuese të Kosovës?

ALEX ANDERSON
Në Kosovë kemi ende një situatë të pakënaqshme në dialogun ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Ende duket si një lojë dhe shohim se ende po ndodh njëfarë fragmentimi i pakicës serbe. Kemi Këshillin Nacional Serb dhe DSS-në e Koshtunicës, njerëzit që e rrethojnë Marko Jakshiqin dhe Milan Ivanoviqin e të tjerët në veri të Kosovës që janë ngushtë të lidhur me qeverinë e Koshtunicës dhe me udhëheqjen e re të Qendrës Koordinues. Ne shohim po ashtu Oliver Ivanoviqin, duke u përpjekur të ndërtojë një shkallë të caktuar të pavarësisë politike për veten dhe shohim elemente të tjera, siç janë rrjetet e njerëzve që bashkëpunojnë me UNMIK-un, që janë zyrtarë të komunitetit lokal, që në njërën anë janë të shqetësuar se do të lihen anash. Dhe në fund është edhe zoti Slavisha Petkoviç, i cili mban Ministrinë e Kthimit dhe i cili është paksa i papranueshëm nga të gjitha palët. Kështu që ekziston një shkallë e caktuar e fragmentarizimit ndërmjet serbëve të Kosovës. Në të njejtën kohë, ekziston edhe një fragmentim ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë në mënyrën se si t’u qasen serbëve. Kështu, në njërën anë shohim iniciativa të ndryshme lidhur me programin e standardeve, në anën tjetër shohim Veton Surroin të shkojë anembanë Kosovës, duke biseduar me pakica të ndryshme, si pjesë e asaj se si ai e sheh rolin e tij në ekipin negociues të Kosovës. Po ashtu shohim negociata të ndryshme bërë nga ministri Lutfi Haziri për decentralizimin, por asnjëri prej tyre nuk është bashkuar për të ndërtuar një vizion shqiptar të Kosovës lidhur me atë se si komuniteti serb i Kosovës do të jetojë në Kosovën e pas statusit. Dhe kjo është ajo që po mungon në masë të madhe dhe mungesa e një vizioni të tillë të artikuluar, natyrisht se i kontribuon edhe pasigurisë së serbëve të Kosovës.


Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG