Ndërlidhjet

ALEX GRIGOREV: SHPRESOJ SE STATUSI I ARDHSHËM ËSHTË I PRANUESHËM PËR PRISHTINËN DHE PËR BEOGRADIN


"Shpresoj se një skenar i pranueshëm për të dy palët do të jetë i mundshëm dhe do të parandaloj një ecuri të padëshirueshme të ngjarjeve. Natyrisht, shpresojmë të shohim që ëndërrat e vogla të njerëzve që jetojnë në këto vende, përfshirë Kosovën dhe Malin e Zi, do të bëhen të mundshme. Njerëzit e meritojnë këtë", thotë Alex Grigorev, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Projektin Për Marrëdhënie Etnike në Princeton (SHBA).

RADIO EVROPA E LIRË
Më vonë këtë muaj në Vjenë, do të kemi takimin e parë ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari. Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara thonë se ky takim do të fokusohet në procesin e decentralizimit në Kosovë. Sipas jush, cili është përfundimi i mundshëm i këtij takimi?

ALEX GRIGOREV
Ky takim, që do të mbahet në Vjenë, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Siç thatë edhe ju, sipas agjendës zyrtare, takimi do të fokusohet në decentralizimin në Kosovë, por nuk është reforma, në radhë të parë, ajo që do të diskutohet. Është krejtësisht e qartë se në takimin e Vjenës çështje esenciale do të jetë situata e serbëve të Kosovës. Njëherë, pasi kjo çështje të zgjidhet, të tjerat do të jenë shumë më lehtë për tu shqyrtuar. Unë kam parë tekstet e platformës më të re të Serbisë për decentralizim dhe parimet themelore të reformës së vetë-qeverisjes lokale të palës kosovare, që u miratua së fundit. Më duhet të them se dokumenti i përpiluar nga Qeveria në Prishtinë është shumë i rëndësishëm sepse është një hap tjetër që tregon se Prishtina po i merr seriozisht çështjet që lidhen me krijimin e Kosovës multi-etnike dhe demokratike. Ky është mesazhi kryesor që nga Prishtina duhet të vijë çdo ditë. Për fat të keq, në bazë të dokumenteve, më duket se palët nuk janë të gatshme që të angazhohen në ndryshime fundamentale lidhur me këtë çështje. Por, shpresoj se pas diskutimeve në Vjenë, ata do ta kuptojnë se "status-quo"-ja aktuale, në këtë çështje, nuk është e qëndrueshme dhe nevojitet ndryshim radikal.

RADIO EVROPA E LIRË
Në artikullin tuaj në Wall Street Journal thatë se "zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk do ta zgjidhë vetëm mospajtimin e gjatë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve por, poashtu, do ta transformoj Ballkanin e gjërë nga burimi i jostabilitetit në burim stabiliteti". Si e shpjegoni këtë pozicion?

ALEX GRIGOREV
Mendoj se çështja e Kosovës është problemi i fundit dhe, me gjasë, më i vështiri në rajon. Një zgjidhje adekuate e kësaj çështjeje da ta bëjë Ballkanin burim të stabilitetit. Kur e them këtë kam parasysh faktin se çështja ka të bëjë më tepër me Kosovën se sa me Serbinë. Shpresoj se zgjidhja e arritur do të jetë e pranueshme për të dy palët: pra për Prishtinën dhe Beogradin dhe se serbët e Kosovës do të ndjehen të sigurtë në shtëpitë e tyre dhe të integruar në shoqërinë kosovare. Zgjidhja e çështjes së Kosovës do të mundësoj zhvillim ekonomik, më tepër investitorë do të vijnë në Kosovë dhe në Serbi dhe në vendet e tjera duke e ditur se paratë e tyre janë të sigurta. Edhe mesazhi nga BE-ja, se ata do ta konsiderojnë rajonin si anëtar të ardhshëm, poashtu do ta ndihmoj këtë proces. Në fakt, janë të nevojshme përpjekje serioze dhe të përqendruara të Brukselit për ti sjellë vendet e Ballkanit në BE. E kuptoj se kjo gjë është e pamundshme sot, por, një ndjenjë e qartë e drejtimit dhe e përkushtimit nga ana e BE-së është më se e e nevojshme. E dijë se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë dhe po e ndihmojnë këtë proces. Por nëse BE-ja nuk është e aftë ta bëjë këtë,do ta konsideroj si krizë të lidershipit të Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahtisari tha muajin e kaluar se ai shpreson se procesi për statusin e Kosovës do të përfundoj këtë vit. A është kjo diçka që do të ndodhë?

ALEX GRIGOREV
Sigurisht. Shpresoj se po, pasi biseda të lodhshme, të gjata dhe konfuze nuk sjellin asgjë të mirë. Mendoj se njerëzit në Kosovë dhe ata në Serbi, gjashtë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, meritojnë të drejtën për ta ditur të ardhmen e tyre. Do të konsideroja se kompletimi i bisedave deri në fund të vitit do të ishte një e arritur e shkëlqyeshme e presidentit Ahtisari.

RADIO EVROPA E LIRË
Në shkrimin në Wall Street Journal, poashtu, keni shkruar se "pavarësia e mundshme e Kosovës dhe e Malit të Zi mund të jetë një goditje shkatërruese për demokracinë e Serbisë dhe për krenarinë e saj kombëtare". Çfarë argumentesh keni për një vlerësim të tillë?

ALEX GRIGOREV
Këto dy territore, Kosva dhe Mali i Zi, kanë një vend të rëndësishëm në historinë, në mitet, në krenarinë dhe në identitetin e Serbisë. Ata kanë ndjenja shumë të fuqishme lidhur me këto dy vende. Por, sfida për serbët është që ta njohin realitetin, pavarësisht sesa i këndshëm është apo nuk është ai në realitet. Sfidë për çdokend është që të ketë siguri se Serbia nuk do të bëhet një shtet i izoluar në qendër të rajonit të Ballkanit, në të cilin në zgjedhje do të fitonin forcat jodemokratike dhe Serbinë do ta kthenin prapa. Kjo do të ishte goditje shkatërruese për Serbinë dhe rrjedhimisht edhe për Kosovën. Shpresoj se një skenar i pranueshëm për të dy palët do të jetë i mundshëm dhe do të parandaloj një ecuri të padëshirueshme të ngjarjeve. Natyrisht, shpresojmë të shohim që ëndërrat e vogla të njerëzve që jetojnë në këto vende, përfshirë Kosovën dhe Malin e Zi, do të bëhen të mundshme. Njerëzit e meritojnë këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Grigorev, ndonjëherë është e paqartë se kush do të vendosë përfundimisht për statusin final të Kosovës dhe, sipas jush, cili është përfundimi i mundshëm?

ALEX GRIGOREV
Nuk e dij. Do të kisha dëshiruar ta dija. Por, kushdo që të vendosë për statusin e Kosovës dhe çfarëdo që të jetë ai, shpresoj se statusi i ardhshëm është i pranueshëm për Prishtinën dhe për Beogradin. Vetëm atëherë do të ketë të ardhme të sigurtë për vitet e për dekadat që vijnë. Mendoj se kjo është në interesin e çdokujt.
Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG