Ndërlidhjet

MOORE:"PAVARËSIA NUK ËSHTË DHURATË NË PJATË ARGJENDI"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, javorja londineze "The Economist" dje shkruajti se " katër fuqitë-Amerika, Britania, Franca dhe Rusia - janë pajtuar që Kosova të ketë pavarësi të kushtëzuar, si fazë tranzicionale para pavarësisë së plotë, me garanca për serbët e Kosovës". Cili është komenti juaj?

PATRICK MOORE
Kjo rikonfirmon një observim të cilin kemi disa kohë që e diskutojmë, që ka të bëjë me atë se ajo çfarë thonë politikanët në publik dhe çfarë thonë në privat janë zakonisht dy gjëra të ndryshme. Në këtë rast ka patur një paradë të vazhdueshme të udhëheqësve serbë në Moskë dhe rusët që i risigurojnë ata, ose të rusëve që vizitojnë Serbinë dhe risigurimit të miqve të tyre. Por tani shohim se kur del në krye çështja e rëndësishme, rusët bëhen pak më realistë dhe përdorin tone të tjera. Dimë që francezët, tek të cilët u drejtuan serbët pasi e panë që fjalët ruse nuk ngrinin shumë peshë, u thanë serbëve se do duhej të ishin realistë. E vetmja gjë që m'u duk veçanërisht befasuese nga ky shkrim i Economist, është se në vendet që u përmendën mungon Gjermania. Nuk jam i sigurt pse nuk u përmend ky shtet apo nëse u anashkalua, sepse Gjermania luan një rol mjaft të rëndësishëm politik dhe ekonomik në Ballkan dhe mendoj se çdo përpjekje serioze apo iniciativë politike madhore, kudo qoftë në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë, Serbi etj, ka të nevojshëm përfshirjen e gjermanëve në të. Sa i përket Serbisë kam dëgjuar prej shumë kohësh, prej më shumë se një vit që udhëheqësit serbë janë vetë më realistë në privat sesa janë në publik. Por gjithashtu dimë se ata janë të preokupuar me zgjedhjet që afrohen dhe asnjë politikan në çfarëdo vendi qoftë nuk mund t'ja lejojë vetes të ndërmarrë iniciativa të reja me zgjedhjet që janë tek pragu i derës, sidomos kur në to janë të përfshira çështjet kombëtare. Pra nuk është befasi që ende vazhdojmë të shohim një linjë të ashpër nga ana e Beogradit. Do të ketë një shans të vërtetë këtu, nëse do të dominojë realizmi, përkatësisht nëse Beogradi do të vlerësojë se e ka humbur Kosovën dhe nga ana tjetër nëse kosovarët do të vlerësojnë që askush nuk do t'ua dhurojë atyre pavarësinë në një pjatë argjendi, por që kjo pavarësi duhet të fitohet dhe se do të ketë disa kushte.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse epilogu sipas javores londineze është harmonizuar, çfarë kuptimi kanë negociatat e zotit Ahtisari? Në fakt autori i shkrimit citon një diplomat perëndimor të ketë thënë se "bisedimet nuk kanë të bëjnë me statusin, por me pozitën e serbëve në Kosovë". Çfarë do të thotë kjo?

PATRICK MOORE
Kjo është pikërisht çështja. Pavarësia është e vetmja mundësi realiste. Nuk është e mundur që të kihet një zgjidhje serioze dhe e përhershme që dhunon vullnetin e 90 përqind të popullsisë. Çështja reale, statusi i serbëve në Kosovë do të jetë për dhënien këtyre njerëzve të garancive që ata kanë nevojë në fushat si edukimi lokal, policia lokale, shërbimet shëndetësore, pa ndarje ose pa krijim të një harte të re e cila do t'i ngjajë "djathit zviceran" dhe do të jetë absolutisht jo funksionale.
Synimi i faktorëve ndërkombëtarë duket se është mosdhënia e drejtpërdrejtë e pavarësisë, në mënyrë që të mbahet i përfshirë Beogradi në bisedime, të paktën derisa zgjedhjet të marrin fund. Por duke mos i dhënë pavarësinë Kosovës drejtpërdrejt, ata gjithashtu i dërgojnë mesazh kosovarëve se nuk do të ketë pavarësi në pjatë argjendi por se ajo duhet fituar. Megjithatë le të kujtojmë që në vitin 1990 dhe 1991 në Kroaci dhe në vitin 1992 në Bosnje, çështja themelore ishte që popullsia serbe aty nuk ishte e gatshme të jetonte si një pakicë në një shtet tjetër dhe nuk do të jetë e lehtë të bindet popullsia serbe e Kosovës që ata nuk e drejtojnë më Kosovën dhe do të kenë një status të një pakice të mbrojtur, por si votues dhe qytetarë brenda një shteti, në të cilin nuk kanë domosdoshmërisht fjalën e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa zyrtarë ndërkombëtarë parashohin përfundimin e bisedimeve dhe zgjidhjen e statusit nga fundi i këtij viti. A mendoni se statusi i Kosovës vërtetë mund të zgjidhet deri në fund të këtij viti, apo do të duhet më shumë kohë?

PATRICK MOORE
Ka dy pyetje të rëndësishme këtu dhe dy variabla të ndryshëm. I pari është shëndeti i presidentit Rugova dhe kjo është diçka që opinioni kosovar e di më mirë se unë, prandaj nuk do ta elaboroj gjatë. I dyti është fakti që ka të bëjë zgjedhjet serbe. Boris Tadiç, i cili ka bërë një punë shumë të mirë vitin e fundit për të margjinalizuar Koshtunicën në çështjet kombëtare dhe është përpjekur që të joshë votuesit përmes manovrave për të bindur ndërkombëtarët që të bien dakort për një lloj pavarësie të klasit të dytë për Kosovën pa një ushtri të vetën dhe pa një vend në Kombet e Bashkuara. Por kjo është pothuajse e pafunksionueshme. Çdokush e di që Kosova ka Trupat Mbrojtëse të Kosovës.Ndoshta nuk kanë ende emër dhe uniformën e duhur siç e kanë shumë ushtri të tjera, por të gjithë e dinë cili është realiteti dhe cili ka qenë që nga viti 1999 në Kosovë. Ndërsa sa i përket mospatjes së vendit në Kombet e Bashkuara, që nga procesi i dekolonizimit që filloi në vitet 50', kjo ka qenë një domosdoshmëri absolute për çdo shtet të ri që lind në hartën botërore, që së bashku me flamurin, himnin kombëtar dhe simbolet e tjera shtetërore, të ketë vendin dhe votën e vet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Pra kemi edhe ishuj të vegjël të Pacifikut me vendin dhe të drejtën e tyre të votës në Kombet e Bashkuara. T'i bindësh kosovarët të pranojnë një pavarësi të klasit të dytë që nuk do të kishte një vend në Kombet e Bashkuara, mendoj se do të thotë të pretendosh pak si shumë. Ajo që është një faktor kryesor që sugjeron se do të kemi një përcaktim të statusit më herët, ndoshta brenda vitit 2006, është që nëse bëhet presion nga këto katër vende që përmendët plus Gjermaninë, ky faktor mund ta përshpejtojë procesin. Nëse këto pesë vende punojnë së bashku, mendoj që do të kenë forcë të mjaftueshme politike dhe ekonomike që t'i sjellin të gjithë vendet e tjera në të njëjtin pozicion.

Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG