Ndërlidhjet

THEKSE NGA BIOGRAFIA DHE VEPRIMTARIA E IBRAHIM RUGOVËS


Arbana Vidishiqi, Prishtinë

Ibrahim Rugova është lindur më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cërrcë të komunës së Istogut. Ai ka mbaruar shkollimin e mesëm në Pejë, ndërkaq ka diplomuar në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës në vitin 1971. Më 1984 ka doktoruar në letërsi dhe është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, përfshirë këtu Çmimin Saharov. Ai gjithashtu është shpallur edhe qytetar nderi i Venedikut, Milanos dhe Breshias dhe doktor nderi në Universitetin e Parisit dhe atë të Tiranës. Më 23 dhjetor të vitit 1989 zgjedhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike shqiptare në Kosovë, e cila angazhohej për një ndarje paqësore nga Serbia. Nën udhëheqjen e doktor Rugovës, Lidhja Demokratike, në bashkëpunim me forcat tjera politike shqiptare në Kosovë, më 2 korrik të vitit 1990 ka shpallur Kosovën Republikë dhe më 7 shtator të po të njejtit vit ka miratuar edhe Kushtetutën e saj. Në Kosovën e para luftës, ai është zgjedhur kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet presidenciale, që nuk janë njohur ndërkombëtarisht, të cilat janë mbajtur më 24 maj të vitit 1992 dhe më 22 mars të vitit 1998. I njohur si udhëheqës i një lëvizjeje gandiste në Kosovë, zoti Rugova ka fituar edhe në dy garat e përgjishme zgjedhore të njohura ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës. Më 23 tetor të vitit 2004, në ditën e votimeve për institucionet qendrore në Kosovë, prej të cilave shpallet president, zoti Rugova pat deklaruar :”Kjo është një ditë e madhe dhe e rëndësishme për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, për një Kosovë të pavarur dhe të integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Më 27 gusht të vitit 2005 ai udhëton për një spitalin ushtarak në bazën amerikane në Landstuhl të Gjermanisë dhe qëndron deri më 3 shtator për trajtim mjekësor. Dy ditë më vonë, më 5 shtator të vitit 2005, presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova i drejtohet opinionit nëpërmjet televizionit, duke e njoftuar atë se vuan nga kanceri në mushkëri. “Mjekët kanë gjetur se vuaj nga kanceri i lokalizuar në mushkëri, prandaj më kanë caktuar një terapi intenzive shëruese. Gjithashtu mjekët kanë konstatuar se tash gjendja ime shëndetësore është duke u përmirësuar dhe janë optimistë për shërimin tim të shpejtë”, pat thënë presidenti i Kosovës. Në po të njejtën paraqitje, presidenti pat thënë se shpreson në kapërcimin e kësaj beteje. “Jam i bindur se me ndihmën e Zotit, do ta kapërcej edhe këtë betejë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku, më fuqishëm për njohjen e pavarësisë së vendit tonë Kosovës sa më parë nga miqtë tanë amerikanë dhe evropianë. Pres përkrahjen tuaj si gjithmonë. Zoti ju bekoftë, Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës, Zoti e Bekoftë Kosovën”, pat thënë presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, më 5 shtator të vitit 2005. Që prej atëherë, për presidentin mjekët janë kujdesur në një klinikë të improvizuar në rezidencën e tij në lagjen Velania të Prishtinës dhe ai ka pasur kontrolle të rregullta mjekësore në kampin amerikan Bondsteel afër Ferizajt. Në dy muajt e fundit, aktivitetet e tij publike kanë qenë relativisht të kufizuara brenda rezidencës së tij.
XS
SM
MD
LG