Ndërlidhjet

logo-print

ISMAJLI: RUGOVA ISHTE I HAPUR NDAJ TJERËVE, JOPËRJASHTUES, POR NJËKOHËSISHT QËNDRESTAR


Rexhep ISMAJLI, Kryetar i ASHAK, mik shumëvjeçar i presidentit Ibrahim Rugova

Evropa e Lirë
Zoti Ismajli, meqenëse e keni njohur presidentin Rugova për rreth 40 vjet, a do të mund ta portretizonit shkurt gjatë kësaj kohe figurën e tij?

Rexhep Ismajli
Për mendimin tim, Ibrahim Rugova ishte një personalitet shumë i veçantë si psikologji, si konstitucion në përgjithësi, para së gjithash ishte i qetë dhe i urtë, njeri dashamirës dhe dy janë tiparet kryesore të personalitetit të tij – i hapur ndaj të tjerëve, jopërjashtues por në të njëjtën kohë, në çështjet që kishte bindje të thellë, shumë qëndrestar, njeri që persistonte dhe nuk hiqte dorë. Kjo ka qenë me shumë rëndësi edhe për zhvillimet e mëtejshme. Nga ana tjetër edhe në punën, në hulumtimin e tij nuk është kënaqur me një rezultat që ka arritur në një kohë, por ka kërkuar që prapë më vonë ta rishikojë, ta thellëoj, ta ribëjë e të tjera. Këto kanë qenë tipare të karakterit të tij, ndërsa në aspektin personal ka qenë njeri shumë i afërt. Ne njihemi që nga ditët e studentëve, kur kemi ndarë gjithçka, edhe ushqimin, edhe gjithçka. Ka qenë njeri shumë i afrueshëm, një njeri që edhe nuk është frikësuar, nuk ka pasur frikë.

Evropa e Lirë
Profesor, pikërisht këtu desha të ndalem, te koha kur ju njiheshit si student, keni studiuar bashkë, keni nisur bashkë, keni kaluar gjithë atë kohë bashkë. Si e mbani mend Ibrahim Rugovën në ditët e para të studimeve?

Rexhep Ismajli
Ditët e para të studimeve, ne vinim nga vende të vogla, edhe unë edhe ai edhe të tjerët dhe Prishtina ishte një qytet pak më i madh. Këtu nuk kishim ndonjë mbështetje sepse nuk njihnim askënd. Ishim në barakat e studentëve. Atje bisedat i kishim, si të rinj, për letërsinë, për kulturën. Na afronte shumë poezia. Ibrahimi atëherë ishte në valët e një lirizmi të fillimit të shekullit njëzet. Ibrahimi ka shkruar edhe vetë poezi. Pastaj nuk e di se sa ka lënë, por dikur ka shkruar dhe përkthente shumë. E përkthente në mënyrë të mrekullueshme Jeseninin dhe e dinte përmendësh. Kishte domethënë kulturë të madhe edhe për poezinë perëndimore, e çmonte shumë poezinë lirike, e donte shumë. Ishte njeri i afrueshëm. Ndonjëherë edhe mund të rrinim e të pinim ndonjë kafe a gotë bashkë dhe dëgjonim muzikë në dhomën tonë në konvikt vazhdimisht. Ka qenë njeri që e donte jetën shumë dhe i ka respektuar të tjerët shumë.

Evropa e Lirë
Profesor, brezi juaj, përfshirë edhe Dr. Rugovën tashmë të ndjerë i keni dhënë një frymë të re letërsisë, por edhe shkencave shoqërore në përgjithësi. Cilat janë ato tiparet kryesore që e karakterizojnë në këtë aspekt zotin Rugova?

Rexhep Ismajli
Dr. Rugova ka bërë punë shumë të mëdha në fushën e studimit të letërsisë, për mendimin tim. E para ka qenë kjo që ai kërkonte që të mos përjashtohet asnjë mënyrë studimi, asnjë metodë, asnjë veprim, të inkludohen të gjitha. Në fillim ai mendonte që ajo mund të bëhej duke ndjekur një rrugë lirike të shkrimit, më pak konsistente teorikisht, por kështu çahej ai blloku monolit i ideve që ishin të formuara. Pastaj ai dalngadalë hyri më thellë në teori dhe ka sjellë shumë gjëra në teoritë për letërsinë. Më kujtohet në fillim merrej me estetikën klasike, pastaj kaloi në valët e Bartit, të semiologjisë, hermeneutikës, në lexime shumë të thella dhe kjo shihet në disa nga veprat e tij. Tani janë studiuesit e letërsisë ata që mund ta gjykojnë më mirë, por mua me duket se andej duhen kërkuar elementet.

Evropa e Lirë
Profesor, zoti Rugova e la marrjen aktive me shkencë në vitin 1987, kur e botoi librin e fundit dhe u kthye kah politika. Cili ishte momenti që ndikoi sipas jush. Ai ishin rrethanat politike, apo ishte formimi i tij i përgjithshëm vendimtar për marrjen me politikë?

Rexhep Ismajli
Për atë brez ishte shumë e qartë se populli shqiptar në ish-Jugosllavi ishte në një pozitë të vështirë. Nuk e thamë dhe nuk e pamë ne,. Brezi para nesh e kishte thënë edhe publikisht përmes avancimit të Kosovës në republikë d.m.th. ishte bërë publike dhe ne tashmë e kishim nxënë atë. Por studimet në fusha humanitare dhe albanistike atij ia kishin bërë edhe më të qartë këtë punë. Domethënë ishte shumë e qartë se ishte gjendje e padrejtë dhe kjo pas vitit 1981 u bë edhe më e vështirë, me represionin e Serbisë dhe Jugosllavisë ndaj shqiptarëve dhe intelektualëve ishte shumë i madh dhe Rugova nuk mund të ishte indiferent ndaj kësaj, sikur edhe të tjerët dhe kjo shihej për fushë. Tani këto e bënë evident një fakt, që nuk kishte mundësi që me lëvizje të vogla të ndryshonte kjo rrjedhë e represionit dhe shtypjes ndaj shqiptarëve, pasi Serbia donte ta reduktonte praninë shqiptare në minimum dhe pastaj të njihej si pakicë e parëndësishme. Në këtë aspekt ishte vetëdije e të gjithë intelektualëve se tash ishte koha kur duhej bërë diçka kur populli duhej të mbështetej sa mundej nga intelektualët dhe Rugova ishte në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve, pra e kishte pozitën që mund të bënte diçka, por e kishte guximin e jashtëzakonshëm . Unë e mbaj mend, atëherë deklaratat e tij kanë qenë krejt të veçanta. Unë i kam lexuar në “Borba” duke qenë në burg në CZ në Beograd. Na rrënqethej lëkura kur i lexonin ato deklarata sepse frikësoheshim për të. Domethënë ka qenë shumë i guximshëm dhe shumë i sinqertë. Me guximin e tij e fitoi besimin e popullit dhe pastaj u krijua hapësira tjetër. Edhe ai mori peshë tjetër, edhe populli kërkonte prej tij, edhe ai prej popullit dhe kështu dalëngadalë u rrit lëvizja.

Evropa e Lirë
E cilësuat delikat momentin kur presidenti Rugova u nda nga jeta. A mund ta elaboroni pak përmasën e kësaj humbjeje dhe të këtij momenti?

Rexhep Ismajli
Por, kjo është një situatë e vështirë. Kur jemi para një zgjidhjeje për statusin e Kosovës. Kjo zgjidhje natyrisht që ka ardhur në pozitë kur nuk mund të bëhet ndryshe, përveçse me pavarësi, pasi do të ishte kundër vullnetit të popullit dhe natyrisht askush nuk është i gatshëm të hyjë në diçka kundër vullnetit. Gjashtëmbëdhjetë vjet Rugova kishte qenë në krye me këtë vullnet dhe me këtë propozim, supozim që të luftonte pavarësinë e vendit. Tani një president me atë përvojë he atë bagazh që kishte parapa nuk ke mundësi ta kesh, ndërkohë kemi pasur luftën politike pozitë-opozitë, me partitë e tjera që është krejt normale për demokracinë e vendit. Tashti, sigurisht që nëse nuk mblidhemi më shumë, mund të dalin tendenca që mund të dëmtojnë, pasi tash nuk je në raport vetëm me opozitën, por edhe me opozitën tjetër, je në raport edhe me ndërkombëtarët dhe kjo është çështje shumë komplekse. Prandaj unë shpresoj shumë që shtresa jonë politike ka krijuar përvojë në këtë kohë dhe do të jetë absolutisht e zonja që t’i dalë në krye dhe këtë proces ta çojë në fund si duhet.

Intervistoi Rrahman PAÇARIZI.
XS
SM
MD
LG