Ndërlidhjet

logo-print

IBRAHIM RUGOVA ISHTE POLITIKAN QË DALLONTE SHUMË NGA UDHËHEQËSIT E TJERË TË RAJONIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Në fundin e viteve tetëdhjetë Ibrahim Rugova ishte një njeri që bënte kalimin nga disidenca intelektuale në disidencë politike, duke bërë së pari përmbysjen dhe përmbylljen e epokës së komunizmit dhe përcaktimin e orientimit properëndimor të Kosovës, në kohë kur kombet e tjera në ish-Jugosllavi udhëhiqeshin nga diktatorë apo njerëz që bartnin sistemin e kaluar, vlerësojnë dy ndër bashkëpunëtorët e vjetër të Dr. Rugovës, Ibrahim Berisha e Basri Çapriqi, që ishin në mesin e themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku Dr. Rugova nisi karrierën politike.
"Ka disa arsye që mund të merren si kyçe për bartjen e veprimtarisë mund të themi si disidencë intelektuale në disidencë politike të Ibrahim Rugovës – një është e kaluara e tij si fëmijë dhe mendoj se profili i tij familjar është si një mesazh që e ka bartur gjithmonë, pavarësisht që nuk e ka shprehur në krijimtarinë e tij," thotë Ibrahim Berisha, sipas të cilit njohja e Dr. Rugovës me një profil kulture shumë të gjerë në Francë dhe me kulturën botërore, si dhe qenia e tij si ndër studiuesit e parë që ka thyer barrierat ideologjike, dha sinjale të qarta se është fjala për një profil disidenti kulturor dhe intelektual, i cili për një moment të caktuar, kur filluan konfliktet e gjera në hapësirën e ish-Jugosllavisë, bëri që ai të pozicionohet hapur në vijë politike si bartës i një mesazhi nacional dhe politik të shqiptarëve, duke luajtur rol të rëndësishëm në formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
"Mund të them se ka qenë rol kyç, pasi në vitin 1988/89, kur është themeluar Lidhja Demokratike, tashmë Dr. Rugova kishte ndërtuar një platformë kulturore, nacionale properëndimore liberale me shumë intervista dhe ballafaqime që i kishte me shkrimtarët serbë dhe vijat nacionaliste në ish-Jugosllavi në planin intelektual," thotë Berisha, për të shtuar se ky është një prej momenteve kyçe që disa nga themeluesit e LDK-së, të mos kishin asnjë dilemë, se kush mund të ishte bartës i pozicionit të liderit në LDK si parti që do të ishte thellësisht properëndimore, pro NATO-s, pro BE-së dhe pro Amerikës.
Ndërkaq, bashkëpunëtori tjetër dhe një nga themeluesit e LDK-së, Basri Çapriqi, duke shpjeguar kalimin e Dr. Rugovës nga intelektuali në politikan shprehet:
"Ka qenë një moment kur nuk ka pasur hapësirë për politikanët klasikë, ka qenë një kohë kur në politikë kanë funksionuar më mirë intelektualët sesa politikanët profesionistë. Ka qenë koha e rezistencës intelektuale, e krijimit të imazhit të një rezistencë paqësore intelektuale dhe këtë rol më së miri e kanë luajtur shkrimtarët në krejt Evropën e Lindjes," thotë Basri Çapriqi, duke e parë themelimin e LDK-së si një kundërshtim ideologjik, si përmbysje dhe përmbyllje të një epoke të komunizmit dhe nisje të një epoke tjetër, që Rugova do ta përcaktonte përmes insistimit të tij për shtet të pavarur dhe për demokraci.
"Unë do të thosha se roli madhor i tij ka qenë pranimi i tij që të vihet në krye të kësaj lëvizjeje. Kjo ka qenë shumë simpatike dhe ka krijuar një imazh jashtëzakonisht të pranueshëm për qendrat e mëdha evropiane dhe për Amerikën vënia e një intelektuali në krye të një lëvizjeje nacionale. Kjo ka qenë shumë vendimtare. Ka qenë koha kur intelektualët janë pranuar shumë më lehtë sesa politikanët klasikë".
Sidoqoftë, Ibrahim Berisha mendon se Dr. Rugovën asokohe e dallonte shumë profili i tij, që ishte totalisht i ndryshëm nga liderët e tjerë që ishin krijuar apo po krijoheshin në ish-Jugosllavi.
"Të gjithë liderët në hapësirat e ish-Jugosllavisë ishin ose diktatorë, ose pjesë e transmisionit të ish-politikave, duke nisur nga Gligorovi, Millosheviqi, Tugjmani, Kuçani, pastaj Izetbegoviqi, që ishte me refleksione të hapura të fondamentalizmit islamik. Në Kosovë në të njëjtën kohë krijohet një lider politik, por edhe nacional, me një profil plotësisht liberal properëndimor dhe pa asnjë gjuhë të urrejtjes apo konfliktit ".
Roli i Dr. Ibrahim Rugovës për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që asokohe funksionoi si lëvizje, është cilësuar i pakontestueshëm nga të gjithë bashkëpunëtorët e tij, të cilët e kanë analizuar në mënyra të ndryshme kalimin e tij nga një shkencëtar me rezultate të konsiderueshme në fushë studimesh në një politikan, pavarësisht nga cilësimi që i bëhej si një njeri paksa i tërhequr, por edhe i qëndrueshëm njëkohësisht.
XS
SM
MD
LG