Ndërlidhjet

logo-print

PETERSEN: PËR PJESËMARRJEN E TADIQIT NË VARRIM DUHET TË VENDOSË FAMILJA E TË NDJERIT RUGOVA


Albana Isufi, Prishtinë

Në varrimin e presidentit Ibrahim Rugova deri tash është konfirmuar se do të marrin pjesë shumë delegacione shtetërore nga bota dhe rajoni.
Për të diskutuar rreth ceremonive mortore, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen është takuar sot me kryeparlamentarin Nexhat Daci dhe kryeministrin Bajram Kosumi. Ka qenë vetëm Jessen Petersen që është prononcuar pas takimit me Nexhat Dacin. Duke u përgjigjur në pyetjet rreth kërkesës së presidentit serb Boris Tadiq për të marrë pjesë në varrim, Petersen tha:
“Kemi diskutuar për çdo gjë, sepse e njoftova kryetarin e Kuvendit rreth vizitave që do vijnë nga jashtë”, tha Petersen, duke pohuar se UNMIK-u ka marrë kërkesën nga presidenti Tadiq, por për këtë do të vendosë familja e zotit Rugova.
“Kjo, sikur çdo gjë tjetër i përket familjes, të cilët do të vendosin se cila është gjëja më e duhur për këtë fazë”, tha Petersen.
Ndryshe, përfaqësuesi i grupit punues për media në Këshillin Ekzekutiv të varrimit Muhamet Hamiti, tha se ndër personalitetet, që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në varrim janë: i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin Marti Ahtisari, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Havier Solana, shefi i Komisionit Evropian për Zgjerim Oli Rehn, kryetari i Kroacisë Stipe Mesiq, kryetari i Sllovenisë Janez Dernovshek, ai i Maqedonisë Branko Cervenkoski, Ministrja e Jashtme e Zvicrës Micheline Calmy-Rey dhe një delegacion shtetëror i përbërë nga 30 anëtarë dhe i kryesuar nga kryetari i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu.
“Grupi që merret me pritjen e delegacioneve të huaja në kuadër të Këshillit Ndërinstitucional për organizimin e varrimit të presidentit Rugova, ka marrë konfirmime nga shumë delegacione të huaja, priten edhe shumë të tjera”.
Ndërkohë, Këshilli Ekzekutiv i Ceremonive Mortore nuk ka bërë të ditur ende vendin e varrimit të presidentit Rugova, ndonëse jozyrtarisht mësohet se ai do të varroset në “Varrezat e dëshmorëve” në lagjen Velania, jo shumë larg rezidencës së tij presidenciale. Muhamet Hamiti thotë se vendimi do merret sot pasdite.
Ceremonia kryesore në ditën e varrimit të enjten më 26 janar do të mbahet në sallën 1 tetori në qendër të Prishtinës.
Këshilli Ekzekutiv i Ceremonive Mortore ka ngarkuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës që të bëjnë nderime gjatë homazheve dhe të përcjelljes së funeralit me nderime ceremoniale.
Zëdhënësi i TMK-së Shemsi Syla, thotë se nga e hëna TMK- ja ka nisur të ushtrojë këtë detyrë.
"Më 26 janar, Trupat e Mbrojtjes së Kosovës kanë përgjegjësinë e plotë të përcjelljes së funeralit nga Kuvendi i Kosovës deri te Salla e Sportit “ 1 Tetori” në Qendrën e Studentëve, ku do të bëhet ceremonia e fundit e lamtumirës. Organizimi dhe mbarëvajtja e ceremonisë janë përgjegjësi e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës.
Në përfundim të kësaj ceremonie TMK do të përcjellë me nderime arkivolin e presidentit deri në varreza dhe me rastin e lëshimit të trupit në varr do të përcillet me të shtëna nderi.”
Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë të shtunën më 21 janar në rezidencën e tij në Velani pas një sëmundjeje të rëndë.
XS
SM
MD
LG