Ndërlidhjet

logo-print

HAVIER SOLANA DO T'U KËRKOJË UNITET UDHËHEQËSVE KOSOVARË


Augustin Palokaj, Bruksel

Udhëheqësit evropianë vazhdojnë të shprehin ngushëllimet për vdekjen e presidentit Rugova dhe në të njëjtën kohë edhe të bëjnë thirrje për unitetin e udhëheqësve politikë kosovarë në këtë kohë të vështirë dhe sfiduese për ta dhe për Kosovën. Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, më vonë gjatë ditës së sotme do të shkojë në Prishtinë ku më së pari, siç është njoftuar nga zyra e Solanës në Bruksel, do t'i bëjë nderime trupit të pajetë të presidentit Rugova në hollin e Kuvendit të Kosovës. Më vonë në mbrëmje Solana do të takohet me shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, ndërsa në programin e tij për nesër ka caktuar takim me përfaqësuesit e Ekipit të Unitetit të Kosovës, Nexhat Dacin, Bajram Kosumin, Hashim Thaçin, Veton Surroin dhe Blerim Shalën. Pritet që Solana atyre nesër t'ua përcjellë porosinë e BE-së për të ruajtur unitetin dhe për t'u përgatitur për nisjen sa më të shpejtë të negociatave, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron vonesë të madhe në procesin e negociatave për statusin. BE-ja do të jetë e përfaqësuar nesër në funeralin e presidentit Rugova nga Havier Solana dhe bashkëpunëtorët e tij, nga komisioneri Oli Rehn, nag shefja e diplomacisë austriake Urshulla Pllashnik, që është dhe kryesuese e rradhës së BE-së, ndërsa nga Parlamenti Evropian atje do të jetë deputetja Doris Pack. Oli Rehn është dashur sot të paraqesë një dokument për politikën e BE-së në Ballkanin perëndimor, por për shkak të vdekjes së presidentit Rugova dhe udhëtimit të tij në Prishtinë, e ka shtyrë këtë për ditën e premte. Po këto ditë në Bruksel do të qëndrojë kryenegociatori për statusin e Kosovës Marti Ahtisari, i cili do të ketë takime me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë është konfirmuar se NATO-ja do të dërgojë gjithashtu një delegacion të lartë në varrimin e presidentit Rugova, por përkundër dëshirës së tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në varrimin e presidentit të Kosovës, sepse nesër në të njëjtën kohë do të marrë pjesë në funeralin e 43 ushtarëve të NATO-s në Sllovaki, të cilët humbën jetën për shkak të rrëzimit të aeroplanit duke u kthyer nga misioni i tyre në Kosovë.

XS
SM
MD
LG