Ndërlidhjet

logo-print

AKTIVITETE INTENSIVE NË AEROPORTIN E PRISHTINËS


Albana Isufi, Prishtinë

Aeroporti i Prishtinës është vërshuar sot nga fluturimet speciale, me të cilat, delegacione shtetërore dhe personalitete botërore nga shtete të ndryshme po mbërrijnë në Prishtinë, për të marrë pjesë në varrimin e nesërm të presidentit Ibrahim Rugova.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i aeroportit të Prishtinës, Afrim Aziri, thotë se vetëm gjatë ditës së sotme kanë mbërritur 26 aeroplanë speciale, ushtarakë dhe komercialë dhe po aq do të largohen nga aeroporti i Prishtinës.
Aziri thotë që kanë përgatitur edhe plane emergjente në rast të shtimit të numrit të fluturimeve.
“Aeroporti i Prishtinës i ka kryer të gjitha përgatitjet e domosdoshme për pritjen e fluksit të trafikut. Deri tash nuk kemi probleme serioze, i kemi planifikuar të gjitha aktivitetet dhe në rast emergjente kemi planet rezervë, të cilat i zbatojmë në rast se rritet numri i trafikut. Sa i përket infrastrukturës, edhe të gjitha tjerave, aeroporti i Prishtinës është në gjendje gatishmërie për ta përballuar çdo befasi”.
Edhe kompanitë hoteliere në Prishtinë janë mobilizuar për të pritur numrin e madh të mysafirëve nga bota e rajoni.
Sabri Mikullovci, drejtor i Hotelit Grand, njëri nga hotelet më të mëdha që gjendet në qendër të Prishtinës, thotë se vetëm për mysafirët e qeverisë janë rezervuar qindra shtretër. Ai thotë se pothuajse të gjitha vendet tashmë janë zënë.
“400 shtretër janë në dispozicion të qeverisë, me numrin me të madh është delegacioni i Shqipërisë dhe i Malit të Zi dhe shumë rezervime kanë bërë zyrat diplomatike evropiane”.
Në anën tjetër Shërbimi Policor i Kosovës, që nga e shtuna, ditën kur edhe ndërroi jetë presidenti Ibrahim Rugova, ka rritur masat e sigurisë, duke shtuar numrin e policëve në rrugë.
Zëdhënësja Sabrije Kamberi thotë se Shërbimi Policor i Kosovës deri tash është fokusuar më shumë në ruajtjen e rendit në kryeqytet, përkatësisht para ndërtesës së Kuvendit, ku qytetarë të shumtë po i bëjnë homazhe presidentit Ibrahim Rugova, trupi i pajetë i të cilit tash 3 ditë është i vendosur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Por, për shkak se nga aeroporti i Prishtinës delegacione të huaja shtetërore po vërshojnë nga Prishtinë, Kamberi thotë se SHPK ka shtuar pjesëmarrjen e policëve në këtë rrugë magjistrale.
“Përveç patrullimeve rutinore që po i bëjnë, janë të vendosur edhe në pika kontrolli në mënyrë që ta vëzhgojnë më për së afërmi situatën se si është duke rrjedhur trafiku dhe të gjithë këto”.
Shërbimi Policor i Kosovës është ngarkuar nga këshilli ekzekutiv i varrimit të presidentit, që të ruajë sigurinë gjatë gjithë kohës sa zgjasin ceremonitë mortore. Vetëm në rast nevoje, SHPK do të ndihmohet nga KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut.
Ndërkohë, Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Qemajl Ahmeti, ka lëshuar një urdhëresë, me të cilën urdhërohen të gjithë drejtuesit e automjeteve të transportit të mallërave, që nesër nga ora 07:00 deri në orën 19:00 të ndërpresin transportin në të gjitha rrugët magjistrale dhe rajonale të Kosovës.

XS
SM
MD
LG