Ndërlidhjet

logo-print

PRISHTINË


Dhjetëra burrështetas, qeveritarë dhe përfaqësues të tjerë nga vende të ndryshme të botës dhe udhëheqës të institucioneve vendore dhe të partive politike, i bënë nderimet e fundit presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova që ndërroi jetë, të shtunën më 21 janar.
Shefi i UNMIK-ut, Soren-Jessen Petersen tha se në kohën kur Rugova nisi veprimin e tij politik, një pjesë e botës mendonte ndryshe, ndërsa tash bota ka ardhur këtu për t’iu bashkuar popullit të Kosovës në pikëllimin për presidentin.
"Presidenti Rugova la një zbrazëtirë pas tij, por gjithashtu la një vizion të për ta udhëhequr Kosovën përpara. Përmbushja e këtij vizioni do të ishte nderimi i vërtetë për presidentin Rugova", tha Jessen-Petersen.
Kryeministri Bajram Kosumi tha se emri i presidentit Rugova është i lidhur pashkëputshëm me pavarësinë e Kosovës që e bëri të njohur kudo në botë: "Vdekja e presidentit Rugova në periudhën më të rëndësishme për Kosovën shton nevojën për një unitet edhe më të madh të popullit dhe udhëheqjes së tij për ta rrumbullakësuar procesin e gjatë dhe të mundimshëm për liri dhe për krijimin e shtetit modern dhe demokratik të Kosovës", tha Kosumi.
Përfaqësuesi i lartë i BE për Politikë të jashtme dhe Siguri, Javier Solana tha se Rugova ishte njeri i vendosur, por paqësor.
"Ibrahim Rugova ishte njeri që jetën e tij ia përkushtoi mbrojtjes së të drejtave të popullit të Kosovës. Ishte i vendosur dhe i fuqishëm, por edhe njeri i paqes dhe i përkushtuar që synimet e tij t’i arrijë me mjete paqësore" tha Solana.
"Kjo është ndër ironitë më të mëdha të historisë që ai shkoi në momentin kur nevojitej më së shumti për të udhëhequr popullin e Kosovës për të ndihmuar zgjidhjen e statusit të Kosovës", tha Solana. Nënkryetari i LDK, Kolë Berisha tha se Rugova u ngrit në kohën më të rëndë për shqiptarët e Kosovës.
Kryesuesi i delegacionit të SHBA, Alfonso Jackson tha se sot na la një madh, një shkollar, demokrat, njeri i paqes dhe i përkushtuar ndaj vendit dhe tokës së tij, një mik i vërtetë i Amerikës që kishte respektin e amerikanëve, ashtu si edhe të botës demokratike.
"SHBA janë të përkushtuara ndaj vizionit të presidentit Rugova dhe të popullit të Kosovës dhe prosperitetit, si shtëpi për gjithë popullin e saj, si pjesë e Evropës dhe e perëndimit, tha sekretari Jackson, duke bërë thirrje për të mos u shmangur nga rruga që ka trasuar presidenti Rugova.
"Tani është koha që të bëhemi bashkë dhe ta kompletojmë punën e presidentit Rugova dhe ta negociojmë të ardhmen e Kosovës, për të ndërtuar këtë vend, ju lus të mos shmangeni nga kjo rrugë, tha Jackson.
Duke iu drejtuar për herë të fundit presidentit Rugova, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci deklaroi: "Presidenti ynë i dashur, pushoni i qetë në parajsën e gjithësisë, pasi në këtë botën tonë kalimtare asnjëherë nuk gjetët kohë pushimi, njëherë nga puna për ekzistencë, për dijë e penë e krijimtari e në dy dekadat e fundit nga puna prej arkitekti dhe strategu politik e diplomatik për Kosovën e lirë, të dinjitetshme e të pavarur", tha Daci, duke shtuar se Presidenti Rugova e përmbushi ëndrrën për të bërë themelet që Kosova të jetë shtet i lirë e i pavarur.
Pas fjalimeve në ceremoninë e fundit mortore, kortezhi i përmortshëm u nis për në varrezat e dëshmorëve në Velani të Prishtinës.
XS
SM
MD
LG