Ndërlidhjet

PRISHTINË: VLERËSOHET LART CEREMONIALI MORTOR I PRESIDENTIT RUGOVA


Albana Isufi, Prishtinë

Këshilli ndërinstitucional i varrimit të presidentit ka vlerësuar se ceremonia e djeshme e varrimit të presidentit Ibrahim Rugova është zhvilluar shkëlqyeshëm, ndërkohë që prania e delegacioneve të huaja, pjesëmarrja masive e qytetarëve dhe nderimet ushtarake, që iu kanë bërë trupit të pajetë të presidentit nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës, i kanë dhënë ceremonisë ngjyrim shtetëror dhe kombëtar.
Këshilli ndërinstitucional i varrimit, duke analizuar tërë ceremonitë mortore dhe përcjelljen për në varreza të trupit të presidentit Rugova, sipas përgjegjësit për media Muhamet Hamiti ka sjellë këtë përfundim:
“Presidenti Rugova do të ishte krenar për këtë ceremoni të organizuar për nder të tij”.
Hamiti tha se Këshilli 50 anëtarësh ndërinstitucional i varrimit ka çmuar lart dinjitetin që treguan qytetarët e Kosovës.
“Është çmuar sjellja dinjitoze, përkushtimi dhe devotshmëria me të cilën qytetarët e Kosovës kanë nderuar jetën dhe veprën, figurën e përgjithshme të presidentit Rugova."
Këshilli i varrimit ka vlerësuar po ashtu se me sjelljen e tyre, institucionet e Kosovës kanë treguar se dinë të bëjnë shtet.
Sërish Muhamet Hamiti.
“Ky ishte rast që institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës ta dëshmojnë se meritojnë shtetin. Ceremonia e varrimit dje ka qenë ceremoni kombëtare dhe shtetërore e mirëfilltëm, diçka që jam i sigurtë se shtetet e mirëfillta do ta quanin edhe për nder të tyre".
Arkivoli i presidentit Ibrhaim Rugova është përcjellë dje gjatë tërë kohës me nderime ushtarake nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pjesëtarë të të cilëve edhe gjatë homazheve i kanë bërë roje nderi presidenit të ndjerë.
Muhamet Hamiti thotë se këshilli i varrimit ka çmuar lart punën e TMK-së.
“Duhet përshëndetur dhe vlerësuar edhe njëherë angazhimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, që dëshmon se TMK-ja është e aftë dhe e gatshme që të kryejë çdo detyrë dhe angazhim që e kërkojnë institucionet dhe populli i Kosovës, që me të vërtetë është ushtri e popullit të Kosovës. Pikërisht angazhimi i TMK-së bashkë me ceremoninë tjetër protokollare, i dha ngjyrim të veçantë shtetëror dhe kombëtar të gjithë ceremonisë mortore për presidentin e Kosovës".
Ajo që kanë theksuar si të veçantë anëtarët e këshillit të varrimit është se gjatë ceremonisë së varrimit, por edhe gjatë ditëve të tjera kur i janë bërë homazhe presidentit, nuk është shënuar asnjë incident. Shërbimi Policor i Kosovës ka qenë i ngarkuar nga këshilli i varrimit për të ruajtur vetë sigurinë.
Përndryshe, një patrullë e SHPK-së do të qëndrojë vazhdimisht tek varri i presidentit të ndjerë. Përfaqësues institucionesh, qytetarë e nxënës shkollash kanë bërë sot homazhe para varrit të presidentit në Varrezat e Dëshmorëve.
Homazhe ka bërë edhe kryesia e LDK-së, menjëherë pas një takimi që mbajti paraditen e sotme. Anëtari i kryesisë Lutfi Haziri, ka thënë se kryesia e LDK-së do të kordinojë nevojat që janë në përputhje me kërkesat në ditët e ardhshme të zisë që do të mbahen në Kosovë.
Ditët e zisë do të vazhdojnë deri më 6 shkurt dhe nuk do të zhvillohet asnjë aktivitet kulturor e as sportiv.
Ndryshe mësimi në të gjitha nivelet e arsimit ka rifilluar sot pas 4 ditë ndërprerje. Në orët e para është mbajtur një minutë heshtjeje për të nderuar kujtimin për presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova.

XS
SM
MD
LG