Ndërlidhjet

logo-print

JENNING:"POLITIKA E MBAJTJES SË TJERËVE NËN KONTROLL NUK KA ARDHMËRI"


Josef JENING, ekspert në Fondacionin Bertelsman


RADIO EVROPA E LIRË
Shumë shpejt duhet të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës. Prishtina dhe Beogradi vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta. A mendoni se Marti Ahtisari do të arrijë të afrojë qëndrimet dhe cili mund të jetë epilogu përfundimtar, përkatësisht statusi final i Kosovës?

JOSEF JENNING
Kjo është një çështje shumë e ndërlikuar, por Ahtisari ka shumë përvojë për rastet që nga ana e vëzhguesve janë cilësuar të komplikuara. Në esencë në lojë janë dy opcione. Sipas njërës bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht Perendimi lidhur me statusin përfundimtar do t'u impononte një zgjidhje kosovarëve dhe serbëve. Por, kjo zgjidhje kërkon kohë, sepse aktualisht qëndrimi i Perendimit është që të mos përzihet drejtpërdrejt. Sipas të dytës, të dy palët duhet të arrijnë marrëveshje gjatë bisedimeve. Tash për tash pozicionet e Prishtinës dhe Beogradit janë të largëta. Por, besoj se liderët e rëndësishëm në Kosovë dhe Serbi do të kuptojnë se bashkë me çështjen e Kosovës në rend dite duhet nxjerrur edhe çështjet tjera, siç është zhvillimi, sepse ky aspekt në Kosovë dhe Serbi ka mbetur i bllokuar për shkak të preokupimit me statusin. Rrjedhimisht mendoj se ka vend për marrëveshje. Sipas mendimit tim duhet jetësuar një formë të ndarjes, një formë të pavarësisë që do të mund të shkonte përmes fazës së një autonomie formale, ndërsa pastaj në një moment të caktuar do të shpallej referendumi. Ky opcion do të mund të ishte i pranueshëm edhe për serbët, sidomos në çastin kur do ta kuptojnë se ardhmëria e tyre në Evropë është bllokuar për shkak të mos – zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Krahas Kosovës aktuale është edhe çështja e referendumit në Malin e Zi, që sipas zyrtarëve në Podgoricë do të duhet të mbahet në prill. A ka ndonjë lidhje ndërmjet Kosovës dhe referendumit malazez?

JOSEF JENNING
Referendumi në Malin e Zi është kryekëput çështje malazeze dhe në rast se ai do të zhagitet frustrimet në këtë vend do të shtoheshin. Tensionet në Malin e Zi po rriten, sidomos në mesin e atyre që dëshirojnë shkëputjen dhe nuk besoj se Perendimi do të marrë guximin të pengoj një gjë të tillë. Kjo nuk do të ishte e urtë as nga aspekti i çështjes së Kosovës. Të gjithëve në rajon duhet thënë hapur se politika që është bërë me synim të mbatjes së popujve tjerë nën kontrroll nuk ka ardhmëri.

RADIO EVROPA E LIRË
Paradokohe ministri francez i Punëve të Brendshme Nicolas Sarkosy tha se integrimi i Ballkanit Perendimor në Bashkimin Evropian duhet të zhagitet gjithnjë përderisa BE-ja të zgjidhë problemet e brendshme. A është ky qëndrim dominant brenda BE-së?

JOSEF JENNING
Ka disa vende anëtare që janë shumë kritike kur bëhet fjalë për mundësinë që Bashkimi Evropian të zgjërohet. Megjithate ekziston përvoja pozitive e pranimit të vendeve të Evropës Lindore në maj të vitit 2004. Ndonëse Bashkimi Evropian në planin institucional është shumë i dobët, pranimi i vendeve të reja nuk është faktori vendimtar në krizën politike që po e përjeton BE-ja. Projekti i Bashkimit Evropian ka shumë më tepër probleme me vetë vendet e vjetra anëtare të BE-së. Rrjedhimisht nuk shoh shkaqe të forta që Ballkani Perendimor të pretë më gjatë se sa duhet plër t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Intervistoi: Mirjana RAKELA
XS
SM
MD
LG