Ndërlidhjet

DERVISHI:"RUGOVA IDENTIFIKOI KULTURËN DHE HISTORINË SHQIPTARE SI DJEP TË PERENDIMIT"


Teki DERVISHI, dramaturg dhe publicist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dervishi, ju e keni njour dr Ibrahim Rugovën që në nga koha e fillimit të tij si studjues i letërsisë. Si do ta përshkruanit dr Ibrahim Rugovën, në nismën e tij si krijues dhe studjues?

TEKI DERVISHI
Kam pasur nderin që me Dr. Rugovën të jemi një gjeneratë gjatë studimeve albanologjike. Kjo nënkupton se në atë kohë ka pasë kontake në mes njerëzve që përveq studimeve janë marrë edhe me krijimtari, në fillim artistike, dhe mund të them lirisht se ka qenë shumë herët që ne të merremi edhe me teori letrare ose teori estetike përgjithësisht. Mirëpo, që në njohjen e parë me te, unë e kam vërejt se Ibrahim Rugova nuk ka pasur vetëm pretendime letrare, por edhe pretendime të studimeve të teorisë letrare. Ai, do të thotë, qysh si student ka filluar, të themi lirisht, të bëj shkrime diskurzive, për dallim prej ne të tjerëve që në atë kohë jemi marrë thjeshtë me shkrime letrare. Do të thotë, teksti diskurziv për ne ka qenë gati i pakapërcyshme në atë kohë për shkak të mosdijes dhe mosnjohjes së nocioneve. Për dallim nga ne, që kemi pasë vokacion letrar, ai pos vokacionit letrar dhe poetik, ka pasë edhe prirje, durim dhe vullnet për krijimtari studimore. Do të thotë, qysh në atë kohë ai është marrë me studimet e letërsisë dhe bashkarisht me këtë edhe me studimet historiografike që domosdoshmërisht kanë pasur lidhje në mes veti. Që atëherë ai është përcaktuar për një tezë disertacioni dhe duke qenë ende student ka paralajmëruar se do të merret me studimin e veprës së Pjetër Bogdanit. Më vonë, pas diplomimit, një kohë ai këtë e ka realizuar dhe është një vepër, siç e dimë të gjithë, që ka një rëndësi të madhe për historinë e letërsisë shqipe ose edhe për kulturën shqiptare përgjithësisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Dr. Ibrahim Rugova është vlerësuar si një nga kritikët e shquar letrar. Si e vlerësoni ju punën e tij në këtë fushë përgjithësisht?

TEKI DERVISHI
Po unë mendoj se edhe para Rugovës janë bërë disa përpjekje për kritikë letrare, si Hasan Mekuli e disa të tjerë, por kritika e mirëfilltë letrare fillon me gjeneratën tonë dhe prej asaj gjenerate fillon me Sabri Hamitin, Ibrahim Rugovën, Rexhep Ismailin, Ali Aliun që kanë bërë hapat e parë të kritikës së mirëfilltë letrare, e cila faktikisht edhe i ka rezistuar kohës deri sot dhe besoj që do t’i rezistoj deri sa të ekzistojë letërsia shqipe. Mendoj se Ibrahim Rugova ka qenë i pari në këtë fushë dhe ka mbetë i fundit. Unë shpresoj se më vonë do të dalin kritik të rinj dhe të mirëfilltë. Mirpo kritika letrare sikur ka përfunduar me këtë gjeneratë. Tash ne nuk kemi as kritikë letrare. Konkretisht nuk kemi as një emër tjetër, prandaj rol historik, në këtë fushë që po flasim, ka Ibrahim Rugova sepse është ndër krijuesit e deriatëhershëm që kanë qenë më tepër poet ose prozaist, e ky ka qenë edhe tip i shkencëtarit dhe në këtë fushë ka dalë më i suksesshmi. Janë dy pika, të themi kushtimisht pika, do të thotë, letërsia bashkohore shqipe në atë kohë, pa kufi e jo vetëm e Kosovës, e cila ka qenë sferë e interesit të tij permanent, por edhe tradita letrare. Kjo dëshmohet me analizën e veprës së Bogdanit. Për letërsinë shqipe, pas rilindasve, të them ose siç ka thanë një politikane në Shqipëri, ky edhe është një ndër rilindasit e fundit të kulturës shqiptare. Ndër të parët që kanë shkruar kritikë intelektualiste janë Sabri Hamiti, Ali Aliu, Eqrem Basha, Anton Pashku, e në krye të kësaj plejade ka qenë Dr. IbrahimRugova.

RADIO EVROPA E LIRË
A është vërejt në punën studimor të dr.Ibrahim Rugovës, përkatësisht a është paralajmëruar në ndonjë mënyrë projekti politik i tij?

TEKI DERVISHI
Nga ky pozicion kohor, do të thotë nga sot, ne mund të kthehemi në atë kohë para 20 vjetësh, para dy dekadash, dhe lirisht mund të themi se po. Është vërejt projekti politik i Rugovës, ndonëse jo si një projekt partiak, siç ka ndodhë më vonë ose thjesht, diçka shtetrore, por si projekt i filozofisë politike. Me çka mund ta dëshmojmë këtë? Me interesimin e tij shumë të madh për veprën e Bogdanit. Unë mendoj se që aty ai e ka bërë edhe një orientim të kulturës së traditës shqiptare. Do të thotë, qëllimi i tij politik ka qenë, ka dominuar dhe triumfuar me faktin se Ibrahim Rugova e ka vendosur aty ku është letërsinë shiptare, do të thotë, në djepin e saj evropian dhe në traditën e saj, trashëgimin perëndimore gjë që është vërejtur shumë pak gjatë rilindasve, për shkak se ata janë marrë më tepër me çështje, thjeshtë, të situatës aktuale politike të kohës në kulturë, kurse Rugova ka shkuar më thellë dhe nga aty duket se është krijuar dhe është pjekur dija e tij dhe është krijuar filozofia e tij jo vetëm estetike por edhe politike. Më vonë, projekti i tij politik, lëvizja e tij ta quajmë paqësore ose unë mendoj se ka qenë edhe luftarake, mund ta themi tash edhe atë, është sublimuar në këtë pikë, në orientimin dhe identifikimin e kulturës dhe historisë shqiptare si djep i Evropës dhe i Perëndimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila ka qenë ajo, për të cilën dr Rugova mbahet mend si kritik letrar?

TEKI DERVISHI
Ne gjenerata e krijuesve të asaj kohe mund ta mbajmë mend nga interesi jonë, sepse është i pari që ka shkruar për ne dhe ka shkruar në mënyrë objektive. Nuk ka pasur asnjë fije subjektivizmi dhe te ai nuk ka ekzistuar miku, por vetëm shkrimtari dhe ka qenë shumë i ashpër në vlerësime, do të thotë ka qenë objektiv. Ky është një mendim i imi subjektiv. Ndërkaq, mendimi objektiv është se ai do të mbëhet mend me veprën e Bogdanit, si kritik, për shkak se është një vepër kritike, një kritikë letrare studimore-shkencore që për shumë kohë do të shërbejë si bazament dhe si një materie për studjuesit e ardhshëm. Aty është plotësuar kredoja krijuese dhe shkencore e zotit Rugova.

Intervistoi: Bekim BISLIMI
XS
SM
MD
LG