Ndërlidhjet

logo-print

A KEQPËRDORET LIRIA E FJALËS NGA ORGANIZATAT TERRORISTE?


Jan Jun

Disa njerëz thonë se mediat nuk duhet të raportojnë për çdo sulm vetëvrasës, pengmarrje apo deklaratë të udhëheqësve të terroristëve. Ata theksojnë se kjo u ndihmon terroristëve që të fitojnë publicitet.
Por të tjerët pohojnë se në vendet demokratike, liria e fjalës është në vend të parë.
Profesori Paul Wilkinson është drejtor i Qendrës për Studimin e Terrorizmit dhe Dhunës Politike në Universitetin St. Andrews në Skoci.
"Do të ishte gabim i madh nëse vendet demokratike do të përpiqeshin t'i ndalojnë raportimet për dhunën politike dhe terrorizmin. Nëse mediat janë në gjendje të raportojnë objektivisht dhe në bazë të fakteve, ato mund të nxitin diskutime dhe debate kritike, që do të ndihmojnë përmirësimin e politikave në të ardhmen. Pra, të kesh media të lira është përparësi e madhe", thotë profesori Wilkinson.
Ai është dakord se terroristët synojnë publicitet, por gjithashtu thekson se opinioni ka të drejtë të jetë i informuar për zhvillimet më të mëdha ndërkombëtare. Wilkinson pohon se megjithatë, shumica e mediave i shmangen transmetimit të pamjeve tmerruese, dhe kjo sipas tij, është mënyrë e drejtë për t'i trajtuar gjërat.
Por disa ekspertë tërheqin vërejtjen se shumë lehtë mund të kapërcehet kufiri mes raportimit dhe propagandës.
Ali Reza Nourizadeh, drejtor i Qendrës për Studime Arabe në Londër, thotë se raportimi i mizorive është i nevojshëm, por mediat nuk duhet të transmetojnë mesazhe të terroristëve.
"Nuk e kuptoj përse disa rrjete amerikane dhe evropiane u japin aq shumë rëndësi mesazheve të Osama bin Ladenit apo deklaratave të Ayman al-Zawahirit, që transmetohen nga televizioni Al Jazzera. Në fund të fundit, ato janë deklarata të terroristëve, të cilët nuk çajnë kokën për viktimat e 11 shtatorit, apo ato në Irak dhe Afganistan", thotë Nourizadeh, duke shtuar se terroristët e keqpërdorin lirinë e shprehjes për qëllimet e tyre, siç janë shkatërrimi i demokracisë dhe lirisë së fjalës.
Megjithatë, Wilkinson këmbëngul se është përparësi kur mediat pranojnë informata të dobishme rreth terroristëve. Ai thotë se raportimi i mediave për sulmet terroriste kundër civilëve në fakt ka ndihmuar që opinioni të kthehet kundër terrorizmit.
"Nuk kam përshtypjen se me gjithë propagandën që e bën, Al Kaida ta ketë fituar simpatinë në botën myslimane. Përkundrazi, mendoj se ka patur reagime të fuqishme si pasojë e mizorive në Irak, sidomos në rastin e masakrave ndaj shiitëve", thotë Wilkinson.
Sa u përket gazetarëve, ata janë më të kujdesshëm. Lordi Rees-Mogg është ish kryeredaktor në gazetën The Times. Ai thotë se mediat duhet të jenë të sillen me përgjegjësi, dhe çdo rast të vlerësohet në veçanti.
"Mendoj se duhet të mbizotërojë arsyeja. Informimi i opinionit është i rëndësishëm, por nuk ka përgjigje të vetme për të gjitha rastet. Gazatet vetë duhet të gjykojnë nëse diçka duhet botuar apo jo", thotë Rees-Mogg, duke konkluduar se megjithatë është më mirë kur opinioni është i informuar.
XS
SM
MD
LG