Ndërlidhjet

ROHAN: QËNDRIMET E GK-SË TEPËR TË RËNDËSISHME PËR REZULTATIN PËRFUNDIMTAR MBI STATUSIN


Albert Rohan vazhdon vizitën në Kosovë

Qëndrimet e grupit të Kontaktit janë tepër të rëndësishme për rezultatin përfundimtar të bisedave për statusin e Kosovës, tha sot në Prishtinë zëvendëskryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Albert Rohan. Ai i ka bërë këto koment pas një takimi me ekipin negociues të Kosovës dhe duke komentuar qëndrimet e djeshme të Grupit të Kontaktit lidhur me të ardhmen e Kosovës. Grupi i Kontaktit përfaqëson bashkësinë ndërkombëtare, pasi janë katër anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, plus Gjermania dhe Italia, që e bëjnë atë një grup tepër të rëndësishëm tha Rohan.
"Zgjidhja për statusin e Kosovës në fund duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit, prandaj ajo që thotë dhe mendon Grupi i Kontaktit është me rëndësi të jashtëzakonshme", tha Albert Rohan.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se ekipi negociues i Kosovës është i vetëdijshëm dhe nuk ka kohë për të humbur:
"Është përcaktim i përbashkët i të gjithë anëtarëve të delegacionit, por edhe i zotit Rohan se Kosova nuk ka kohë për të humbur në çështjen e statusit final të Kosovës. Edhe si qeveri edhe si delegacion po punojmë me të gjitha forcat në përgatitjen e dokumenteve të duhura dhe takimi i Vjenës duhet të mbahet sa më shpejt".
Sipas kryeministrit Kosumi takimi i Vjenës do të mund të mbahej rreth 20 shkurtit dhe
delegacioni i Kosovës është i përgatitur dhe pritet të miratohet formalisht dokumenti për decentralizimin dhe të autorizohet ekipi që do të shkojë në Vjenë. Zoti Albert Rohan tha se dokumenti i palës kosovare përbënte një bazë të mirë për negociata:
"Ne e kemi lexuar dokumentin e ekipit kosovar që është një dokument i arsyeshëm dhe bazë e mirë për negociata të mira", tha Rohan,. Ndërkohë edhe anëtari tjetër i ekipit negociues Hashim Thaçi tha se takimi Vjenës është tepër i rëndësishëm dhe me këtë rast ekipi i Kosovës do të tregohet zemërgjerë lidhur me pozitën e pakicave, pasi kjo do të jetë përcaktuese në masë të madhe edhe për vetë statusin përfundimtar të Kosovës, i cili sipas zotit Thaçi tashmë është i qartë:
"Besojmë bashkërisht se viti 2006 do të jetë sipas nesh dhe vullnetit të qytetarëve dhe botës demokratike Kosova shtet i pavarur dhe sovran."
Zoti Rohan gjatë ditës së djeshme ka takuar edhe Fatmir Sejdiun, i cili është përfolur si kandidat për president të Kosovës nga Lidhja Demokratike, pastaj me kryetarin e partisë Ora Veton Surroi, si dhe me përfaqësues të serbëve të Kosovës. Pas qëndrimit treditësh të zotit Rohan në Kosovë, sot pritet të vijë edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për statusin e Kosovës Frank Wisner.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG