Ndërlidhjet

GOLDBERG:"GRUPI POLITIK STRATEGJIK KA HARTUAR DOKUMENT SHUMË TË MIRË"


Philip GOLDBERG, Shef i Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Goldberg, Grupi i Kontaktit ka lëshuar një deklaratë duke bërë thirrje që të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme për gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën brenda vitit 2006. A mendoni se një gjë e këtillë është e mundshme dhe cilat janë rreziqet që mund ta kanosin një ritëm të këtillë?

PHILIP GOLDBERG
Qartësisht, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se jemi të interesuar që procesi të ecë sa më shpejtë që të jetë e mundshme në përpjekje për të arritur deri tek përfundimi i bisedimeve mbi statusin përfundimtar. Një gjë e këtillë kërkon shumë punë nga të gjitha palët, veçanërisht këtu në Prishtinë.Vdekja e presidentit Rugova natyrisht ka shkaktuar një periudhë të shkurtër vonese, gjë që kuptohet, në shenjë nderimi për kujtimin e tij. Puna në grupin negociator besojmë se do të fillojë sërish dhe do të duhet shumë punë, vendime të rënda dhe kompromis nga Prishtina, Beogradi dhe përfshirja aktive e komunitetit ndërkombëtar. Prandaj besoj se gjatë vitit 2006, ashtu siç ka thënë edhe Grupi i Kontaktit, kjo gjë është e mundshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Deklarata e Grupit të Kontaktit është vlerësuar e një rëndësie të madhe për Kosovën. Si do ta komentonit ju përmbajtjen e kësaj deklarate?

PHILIP GOLDBERG
Unë besoj se çdo deklaratë e Grupit të Kontaktit, veçanërisht nëse është e nivelit ministror, është e rëndësisë së madhe. Mendoj se me këtë deklaratë është ritheksuar fakti se ne jemi shumë aktivë në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për statusin përfundimtar, rikonfirmon mbështetjen për ish presidentin Marti Ahtisaari, dhe përpjekjet e tij në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara. E di se ambasadori Frank Wisner, i dërguari i posçëm i Shteteve të Bashkuara, i cili ka qenë në Londër, do të arrijë në Prishtinë, për t’i bërë konsultimet e tij të para me grupin negociator dhe akterët politikë të shqiptarëve, serbëve dhe pakicave joserbe. Mendoj se procesi është duke ecur përpara dhe deklarata e Grupit të Kontaktit është në mbështetje të këtij procesi, gjë që mendoj se është mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet pritet të fillojnë edhe zyrtarisht nga fundi i muajit shkurt me një takim mbi çështjen e decentralizimit. Negociatorët ndërkombëtarë kanë thënë se janë të gatshëm, por sa është e gatshme Prishtina dhe Beogradi sipas jush?

PHILIP GOLDBERG
Nuk mund të flas për Beogradin, këtë ia lë kolegut tim, ambasadorit Polt ta bëjë nëse jeni të interesuar në pikëpamjen e Amerikës mbi këtë çështje. Atë që mund të them është se nga pala në Prishtinë është bërë një punë e mirë në Grupin Politik Strategjik, i cili ka hartuar një dokument dhe i cili duket të jetë shumë i mirë, gjë që shënon një pikënisje të mirë nga ana e Prishtinës. Unë besoj se ekipi do të jetë i gatshëm t’i diskutojë këto çështje në fund të shkurtit, pasi të ketë zgjedhur presidentin e ri dhe pasi të jetë mbajtur takimi i grupit negociator, i cili është i domosdoshëm të ndihmojë që gjërat të marrin drejtimin kah Vjena. Sikur që kam thënë edhe më parë, kjo periudhë është periudhë zie për presidentin Rugova dhe kjo çështje ka vonuar procesin për disa javë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se vdekja e presidentit mund të ndikojë në skenën politike dhe në procesin negociator në përgjithësi?

PHILIP GOLDBERG
Unë besoj se presidenti Rugova do të donte që ky process të ecë përpara. Projekti i tij jetësor ka qenë të arrihet vendimi për statusin e Kosovës dhe ne të gjithë e dimë në çfarë statusi ka menduar ai. Por kjo kërkon punë të madhe dhe kompromis, kërkon nga njerëzit këtu që ta rrespektojnë njëri tjetrin në marrjen e vendimeve. Unë mendoj se kjo mund të bëhet dhe duhet të bëhet tani, duke marrë parasyshë trashëgiminë e zotit Rugova, por tash pa vetë zotin Rugova.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas vdekjes së presidentit, shumë qarqe kanë thënë se Kosova mund të përballet me një krizë politike. A mendoni se vërtetë ka shqetësime të këtilla?

PHILIP GOLDBERG
Unë nuk besoj se është kështu. Atë çfarë pamë në njëjavëshin, dhjetëditëshin e fundit, është një rrespekt i jashtëzakonshëm, një dhembje e jashtëzakonshme për humbjen e presidentit. Megjithatë, mendoj se bota politike ka mbetur stabile dhe tani partia politike e presidentit është në proces të zgjedhjes së kandidatit për president. Pra, është një trend normal i zhvillimeve, edhe pse natyrisht nuk është një situatë e lehtë, as për Lidhjen Demokratike, partinë politike të presidentit, as për Kosovën në përgjithësi. Kosova ka arritur të njohë vetëm një president. Pra, do të jetë një periudhë e rëndë, por gjithashtu mendoj se do të jetë një periudhë e rëndësishme për Kosovën për ta dëshmuar pjekurinë politike dhe atë të shoqërisë dhe se ka përpjekje kolektive që vendimi për statusin është i të gjithëve dhe jo vetëm i një personi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni ngritur çështjen e presidentit konsensual. Fatmir Sejdiu nga Lidhja Demokratike pritet të emërohet si kandidat për president. A i përshtatet ai përshkrimit të presidentit konsensual të cilin e keni përmendur?

PHILIP GOLDERG
Kur e kam përmendur presidentin konsensual, kam menduar në dikë që do të gëzonte rrespektin e gjerë, jo vetëm të Lidhjes Demokratike, por edhe të shoqërisë kosovare dhe të partive opozitare. Dikë që do të mund të bashkonte njerëzit në këtë kohë. Dhe mendoj se reagimet në raport me zotin Sejdiu, nga ajo që kam parë në media dhe tek figurat politike, tregojnë se ai është i tillë. Prandaj, besoj se po, ai është në mesin e atyre që do t’i përshtateshin përshkrimit të presidentit konsensual.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Goldberg, bisedimet pritet të jenë më të përqëndruara në çështjet e pakicave kombëtare, vecanërisht asaj serbe. Sa kanë bërë kosovarët në këtë drejtim dhe çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim?

PHILIP GOLDBERG
Dokumenti mbi decentralizimin, të cilin e përmenda, është një prej çështjeve kryesore që ndërlidhet me pakicat dhe mundësinë që ato të jetojnë të sigurta, duke pasur besim në Kosovën. Dhe ky është një hap i rëndësishëm. Çështja kryesore në fakt është se çfarë bën dhe çfarë ndjen shumica dërmuese, me gjasë 90 për qind e popullatës, për të jetuar me pakicat, duke gëzuar jo vetëm të drejtat e barabarta, por edhe për t’u ofruar atyre mundësinë që të ruajnë gjuhën e tyre, kulturën, arsimimin dhe çështjet tjera. Këto janë çështje të rëndësishme për të cilat duhet menduar shumë. Unë mendoj se Kosova dhe grupi negociator duhet të merren me këto çështje, me vetë faktin se komuniteti ndërkombëtar, i cili ka mbikqyrë Kosovën në më shumë se gjashtë vitet e fundit dhe do ta bëjë këtë deri në marrjen e vendimit për statusin, do të sigurohet se pikërisht këto çështje do të jenë në qendër. Pra, situate duhet të përmirësohet edhe në aspektin e brendshëm, sepse si e tillë flet shumë për demokracinë e Kosovës dhe se pakicat të kenë mundësinë të jetojnë lirshëm. Por, gjithashtu me këtë nënvizohet edhe qasja e Kosovës ndaj botës, duke treguar se çfarë vendi do të jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë ekspertë thonë se zhvillimi ekonomik është parakushti kryesor për një situatë stabile. Shumë të tjerë presin që ekonomia të përmirësohet pasi të jetë definuar statusi. A janë reale pritjet e këtilla? a do të ketë më shumë qasje tek ndihmat ndërkombëtare pas zgjidhjes politike të statusit?

PHILIP GOLDBERG
Nuk është çështje ndihmash, por çështje zhvillimi. Çështja është nëse Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar janë në gjendje të vijnë dhe të ndihmojnë me fonde ndërkombëtare për projekte produktive, siç është për shembull një termocentral, i cili siç e shohim edhe vetë është jashtëzakonisht i nevojshëm. Nëse kompanitë shohin një siguri në rezultatin e bisedimeve për statusin dhe se ka fusha në të cilat mund të investojnë, qofshin ato minierat apo bujqësia, që janë identifikuar si fusha që mund të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, atëherë këtu qëndron e ardhmja e Kosovës. Ndihma kurrë nuk ka zhvilluar asnjë vend, huaja mund të ndihmojë, por kjo nuk është më çështje ndihmash. Çështja është se çfarë mund të bëjë Kosova për t’u zhvilluar ekonomikisht.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG