Ndërlidhjet

SALIHAJ: GK-JA NUK ËSHTË LARG QËNDRIMEVE TONA"


Qeveria, opozita si dhe analistët kosovarë vlerësojnë se Grupi i Kontaktit me deklaratën nga takimi i djeshëm ka bërë evaluimin më të madh të qëndrimeve karshi Kosovës që nga vetë krijimi i tij. Zëvendëskryeministri Adem Salihaj thotë se qëndrimet e Grupit të Kontaktit rreth statusit të Kosovës gradualisht po qartësohen. Salihaj sheh një përafrim të qëndrimeve të palës kosovare dhe atyre të Grupit të Kontaktit.
“Gjithsesi nuk jemi larg qëndrimeve tona dhe po ashtu, është shumë pozitiv qëndrimi i GK-së se Beogradi duhet të marrë parasysh vullnetin e popullit të Kosovës. Mendoj se gradualisht po qartësohen pozicionet dhe del se vullneti i popullit të Kosovës është natyrisht pavarësia e Kosovës”.
Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se qëndrimet e Grupit të Kontaktit janë një reflektim real i gjendjes aktuale. Hoxhaj deklaratën e Grupit të Kontaktit se vendimi për statusin duhet të reflektojë dëshirën e popullit të Kosovës, e vlerëson një argument që krijon mundësinë, që zgjidhja e statusit të jetë në përputhje me interesat e qytetarëve.
“Mendoj që formulimi "vullneti i popullit të Kosovës duhet marrë parasysh", është pa dyshim njëri nga pikat më kualitative në të gjitha vendimet e deritashme dhe sugjerimet e deritashme të GK-së. Është një vlerësim i ri, i cili definitivisht do ta japë dinamikën e duhur, me qëllim që zgjidhja e statusit final të jetë sa më e shkurtër dhe që zgjidhja të ofrojë parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri politike, për qytetarët e Kosovës, për rajonin dhe për bashkësinë ndërkombëtare”.
Në anën tjetër përfaqësuesi i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq vlerëson se me afrimin e kohës për bisedime brenda Grupit të Kontaktit po ndihet një nervozizëm. Ivanoviq, thotë se përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit janë të vetëdijshëm se negociatat për zgjidhjen e statusit final të Kosovës nuk do të jenë të lehta.
“Ata janë të vetëdijshëm për konsekuencat ndërkombëtare të zgjidhjeve eventuale të imponuara. Nga ana tjetër, po bëhen të vetëdijshëm se zgjidhja e imponuar nuk është as e zbatueshme e as e qëndrueshme në planin afatgjatë. Kjo është ajo që ata bëjnë thirrje në të dyja anët që të jenë konstruktivë dhe kur të jepen propozimet të kenë parasysh atë që nga ata pret ana e kundërt. Kjo është porosi si për Kosovën ashtu edhe për Beogradin”, thotë Ivanoviq.
Por, deklarata e Grupit të Kontaktit shihet ndryshe nga analisti kosovar Ilir Dugolli. Ai thotë se Grupi i Kontaktit ka bërë shpalosjen më konkrete karshi së ardhmes së Kosovës. Për Dugollin pjesa më e rëndësishme është tërheqja e vëmendjes, që i është bërë Beogradit për të marrë parasysh vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës.
“Beogradit i është tërhequr vëmendja jo vetëm për të marrë parasysh vullnetin dhe për të qenë i vetëdijshëm se nuk mund të ketë zgjidhje, që nuk është e pranueshme për kosovarët, ne e dimë se çka është e pranueshme për kosovarët. Por, në anën tjetër për të bërë të ditur raportin shkak-pasojë rreth asaj se çfarë ka ndodhur dhe pse jemi në këtë gjendje, ku jemi që shpesh humbet nga mendja e vendimmarrësve në Beograd, kurse është e rëndësishme për ta pasur parasysh për shkak të gjendjes në të cilën jemi”.
Dugolli thotë se ajo që mund të interpretohet nga deklarata e Grupit të Kontaktit është se ky grup parasheh një pavarësi të kushtëzuar si zgjidhje për statusin final të Kosovës.
“Unë dokumentin dhe deklaratën e GK-së e lexoj në atë mënyrë dhe ajo le mundësi të thotë kryesisht leximet në atë mënyrë, natyrisht ka edhe pjesë që ende nuk janë plotësisht të kristalizuara dhe mund të interpretohen në mënyra të ndryshme, por shumica dërmuese e detajeve bëjnë me dije dhe shkojnë kah drejtimi i atij vizioni të pavarësisë së kushtëzuar “.
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit
kanë bërë thirrje që çështja e statusit të Kosovës të zgjidhet brenda këtij viti. Në deklaratën e lëshuar pas takimit të djeshëm në Londër, bëhet thirrje për arritjen sa më të shpejtë të një zgjidhjeje, e cila do të siguronte stabilitet në rajon.


XS
SM
MD
LG