Ndërlidhjet

logo-print

JESSEN PETERSEN: GK-JA PAJTOHET QË STATUSI TË ZGJIDHET BRENDA 2006


Shefi i UNMIK-ut u kthye nga mbledhja e GK-së në Londër

Grupi i Kontaktit ka qëndrim të qartë që statusi i Kosovës duhet të zgjidhet brenda këtij viti, ka thënë shefi i administratës ndërkombëtare, Soren Jessen Petersen, me të kthyer nga takimi i Ministrave të Jashtëm të Grupit të Kontaktit të mbajtur dje në Londër. Takimi i Londrës ka dëshmuar se Kosova është kthyer në agjendat ndërkombëtare, kurse një nga vendimet më të rëndësishme të takimit është se vitit 2006 do të jetë vendimtar për statusin e Kosovës, tha Jessen-Petersen:
“Takimi i djeshëm nuk kishte për qëllim marrjen e vendimit për statusin, por kishte si synim që të ketë marrëveshje për hapat në vijim dhe të ketë një pajtim të përgjithshëm për të mbështetur Marti Ahtisarin dhe të ketë një pajtim që gjatë vitit 2006 të gjendet zgjidhja për statusin e Kosovës”, tha Jesen Petersen. Grupi i Kontaktit, tha ai, ka një pajtim të plotë që vullneti i popullatës shumicë në Kosovë të merret parasysh gjatë përcaktimit të statusit. Ai tha në vazhdim se Grupi i Kontaktit i kërkon qartë lidershipit të Kosovës të vazhdoj me plotësimin e standardeve paralelisht me bisedimet për statusin, kurse nga Beogradi kërkon që t'i inkurajojë serbët të marrin pjesë aktivisht në jetën institucionale në Kosovë.
Kurse duke iu referuar lëvizjeve të deritashme brenda partisë më të madhe politike në Kosovë, LDK-së, që të propozoj kandidatin e saj për presidentin e Kosovës, Jessen-Petersen tha se Grupi i Kontaktit fillimisht ka shprehur keqardhje të thellë për vdekjen e presidentit Rugova, por njëkohësisht konsideron se Prishtina duhet t'i bëjë të gjitha hapat e domosdoshëm që procesi të ecën përpara. Jessen Petersen tha se shpreson që zgjedhja e presidentit të ri, do të ndodhë shumë shpejt, qysh javën e ardhshme para takimit të Këshillit të Sigurimit:
“Mendoj se do të ishte mjaft mirë nëse unë kur do të shkoja në Këshillin e Sigurimit të tregojë se kishim një periudhë shumë të pikëllueshme, ne e humbën presidentin Rugova, por tash kemi bërë lëvizje të shpejta për ta plotësuar këtë post”, tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen. Sipas tij, takimi i djeshëm i Grupit të Kontaktit në Londër ishte një prej takimeve më të rëndësishme që nga takimi i fundit i mbajtur në shtatorin e vitit 2004.

Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG