Ndërlidhjet

WISNER: SJELL MBËSHTETJEN E SHBA-ve QË NEGOCIATAT TË PËRFUNDOJNË KËTË VIT


Erdha sot që ta sigurojë Kosovën se negociatat për statusin e saj do të kompletohen gjatë këtij viti dhe të deshmojë për qëndrimet e Grupit të Kontaktit se zgjidhja do të jetë në atë drejtim që të mos ketë kthim në gjendjen para vitit 1999 dhe që të mbrohen kufijtë e këtij vendi, ka thënë para pak çastesh në Prishtinë i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për statusin e Kosovës Frank Wisner. Ai i bëri këto komente menjëherë pas takimit më se njëorësh me ekipin negociues të Kosovës, me ç'rast tha se kishte ardhur për të shprehur mbështetjen amerikane për ta çuar procesin përpara:
"Unë solla fjalën e mbështetjes së plotë të SHBA-ve që t’ju siguroj se negociatat e filluara të përfundojnë gjatë këtij viti, pra gjatë 2006-ës", tha zoti Wisner. Ai tha se kishte ardhur po ashtu për të dëshmuar ato që janë thënë në mbledhjen e djeshme të Grupit të Kontaktit lidhur me drejtimin në të cilin duhet të shkojë rezultati i bisedimeve për statusin e Kosovës:
"Duhet të jetë rezultat që ofron jo kthim në kushtet që ekzistonin para vitit 1999 dhe një rezultat që mbron kufijtë e këtij vendi", tha Frank Wisner, për të shtuar se zgjidhka duhet të mbrojë funksionimin e institucioneve të ligjshme të Kosovës dhe të mbrojë të drejtat e pakicave.
Zoti Wisner i cili nesër do të ketë takime të veçanta edhe me krerët e institucioneve të Kosovës tha se qëndrimet e Grupit të Kontaktit jane unike dhe se qëndrimet e Rusisë nuk ndryshojnë nga ato të Grupit të Kontaktit. Ai tha se institucionet e Kosovës janë të përgatitura seriozisht për bisedime dhe tashmë kanë përgatitur qëndrimet e tyre për çështjet kryesore.

Rrahman Pacarizi


XS
SM
MD
LG