Ndërlidhjet

PRISHTINË


Përkushtimi kryesor i SHBA lidhur me procesin për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës është që negociatat për këtë të përmbyllen gjatë këtij viti, përsëriti sot i dërguari i posaçëm amerikan për statusin e Kosovës, Frank Wisner.
Wisner bisedoi ndarë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, me kryeministrin Bajram Kosumi, si dhe me liderët opozitarë Hashim Thaçi e Veton Surroi.
Pas takimit me kryeministrin Kosumi, Wiesber tha se i kishte sqaruar edhe më shumë qëndrimet e Grupit të Kontaktit.
"Grupi i Kontaktit në Londër ka nxjerrë përfundime që hapat e mëtejmë të krijojnë një ambient që do ta bëjë të mundur një zgjidhje paqësore të negociuar. SHBA janë të përkushtuara dhe e vendosura për ta kërkuar paqen, për ta ndjekur atë, për t’i çuar këto negociata deri të përmbyllja e tyre dhe që kjo të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sigurohemi që kjo do të ndodhë gjatë këtij viti", tha Wisner.
Ndërkohë, kryeministri Bajram Kosumi i vlerësoi qëndrimet e Grupit të Kontaktit dhe të qeverisë amerikane.
"Është një hap përpara drejt sqarimi edhe më të mirë të rrugës së Kosovës drejt statusit final të Kosovës dhe unë e falënderova ambasadorin Wisner për punën e tij, falënderova qeverinë amerikane për ndihmën që është duke dhënë në qartësimin e procesit për statusin final të Kosovës", tha kryeministri i Kosovës, duke shtuar se qeveria do të bëjë përpjekje për krijimin e besimit te të gjithë qytetarët e Kosovës se procesi që është duke ndodhur është në të mirën e të gjithëve.
Ambasadori Wisner, i cili sot takon edhe përfaqësues të serbëve të Kosovës dhe të pakicave joserbe, pasdite do të udhëtojë për në Beograd.
XS
SM
MD
LG