Ndërlidhjet

FRANK WISNER PËRSËRITI QËNDRIMIN AMERIKAN QË PROCESI PËR STATUS TË PËRMBYLLET KËTË VIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përkushtimi kryesor i Shteteve të Bashkuara lidhur me procesin për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës është që negociatat për këtë të përmbyllen gjatë këtij viti, tha sot i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për statusin e Kosovës, Frank Wisner, i cili mbrëmë ka arritur në Prishtinë dhe ka takuar ekipin negociues të Kosovës. Sot ndërkaq, zoti Wisner bisedoi ndarë me udhëheqës të institucioneve, me udhëheqës opozitarë dhe me përfaqësues të serbëve të Kosovës.
Ambasadori Wisner tha pas takimit me kryeministrin Kosumi se kishte sqaruar edhe më shumë qëndrimet e Grupit të Kontaktit:
"Grupi i Kontaktit në Londër ka nxjerrë përfundime që hapat e mëtejshëm të krijojnë një ambient që do ta bëjë të mundur një zgjidhje paqësore të negociuar," tha ambasadori Wisner, i cili mbrëmë tha se Shtetet e Bashkuara duan të sigurojnë që procesi për statusin të shkojë në drejtimin e duhur, që të mos ketë kthim në gjendjen e para vitit 1999, që të mbrohen kufijtë e Kosovës, funksionimi i institucioneve të ligjshme dhe të mbrohen të drejtat e pakicave. Wisner përsëriti sot se procesi duhet të përmbyllet gjatë këtij viti:
"SHBA është e përkushtuar dhe e vendosur për ta kërkuar paqen, për ta ndjekur atë, për t’i çuar këto negociata deri të përmbyllja e tyre dhe që kjo të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sigurohemi që kjo do të ndodhë gjatë këtij viti," tha zoti Wisner, ndërkohë që kryeministri Bajram Kosumi duke vlerësuar qëndrimet e Grupit të Kontaktit dhe të qeverisë amerikane tha:
"Është një hap përpara drejt sqarimit edhe më të mirë të rrugës së Kosovës drejt statusit përfundimtarl të Kosovës dhe unë e falënderova ambasadorin Wisner për punën e tij, falënderova qeverinë amerikane për ndihmën që është duke dhënë në qartësimin e procesit për statusin përfundimtar të Kosovës", tha kryeministri Kosumi. Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Hashim Thaçi, tha se Kosova është e gatshme të garantojë respektimin e të drejtave të pakicave, reformimin e pushtetit lokal , bashkëpunimin me vendet fqinje e prioritete të tjera, por jo të negociojë edhe sovranitetin:
"Mbi të gjitha nuk mund ta negociojmë sovranitetin e Kosovës. Do t’i bindim edhe Brukselin edhe Uashingtonin se 2 milionë qytetarë të Kosovës e meritojnë ta kenë shtetin e vet të pavarur."
Zoti Thaçi tha se ambasadori Wisner kishte shprehur qëndrimin amerikan se edhe vullneti i qytetarëve të Kosovës duhet të merret parasysh për përcaktimin e statusit. Ndërkaq, sipas kryetarit të partisë Ora, Veton Surroi, mesazhi i zotit Wisner ishte shumë inkurajues, pasi reflekton debatin e bërë në Grupin e Kontaktit në Londër dhe që është nga njëra anë dëshmues për rritjen e nivelit të seriozitetit të bashkësisë ndërkombëtare, edhe për sa i përket avancimit të procesit, edhe nga aspekti i asaj se si mund të formësohet procesi negociator:
"Çështja që më duket se është vendimtare në paraqitjen e zotit Wisner dhe Grupit të Kontaktit është se do të varet jashtëzakonisht shumë dhe në formë thelbësore se si do të përfundojë ky proces, përkatësisht që pala kosovare është pala më e interesuar për atë se çfarë do të jetë përfundimi i këtij procesi."
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thanë se biseda me ambasadorin Wisner ishte përqendruar më shumë në çështjen e decentralizimit. Goran Bogdanoviq, nga Lista serbe për Kosovën e Metohinë tha se i kanë shprehur të dërguarit amerikan qëndrimet e tyre edhe për të ardhmen e Kosovës:
"I shpjeguam zotit Wisner interesat e serbëve në procesin e bisedimeve për të ardhmen e Kosovës, që janë para së gjithash ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë dhe Malit të Zi dhe mbrojtja e serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë," tha Bogdanoviq. Ai tha se ambasadori Wisner kishte shprehur qëndrimin se zgjidhja duhet të arrihet përmes bisedave ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit.
Zoti Frank Wisner sot ka udhëtuar për në Beograd, ndërsa të shtunën kthehet sërish në Kosovë për të folur lidhur me rezultatet e këtyre takimeve, siç u shpreh ai.




XS
SM
MD
LG