Ndërlidhjet

NË KOSOVË VAZHDOJNË PROBLEMET E FURNIZIMIT ME RRYMË ELEKTRIKE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Kosova ka potencial të mjaftueshëm për prodhimin e energjisë elektrike, që do të mund të furnizonte jo vetëm Kosovën, por edhe të eksportonte në vende të tjera të rajonit. Gazmend Ahmeti, nga instituti për hulumtime zhvillimore RIINVEST tha se këto potenciale nuk janë duke u shfrytëzuar në mënyrë efikase dhe për këtë arsye Kosova aktualisht po përballet me probleme të rënda në furnizimin me rrymë, probleme këto, të cilat zoti Ahmeti i quan qesharake. Sipas tij autoritetet vendore dhe ndërkombëtare duhet që seriozisht të harmonizojnë një koncept afatgjatë të furnizimit me energji elektrike.
"Hapi i parë që duhet të bëhet është liberalizimi i tregut. Ne po shohim se infrastruktura aktuale e cila afron energji, nuk është në gjendje. A nuk është në gjendje për shkak të kapaciteteve të vjetëruara, apo për shkak të paaftësisë së stafit menaxhues aty apo dhe arsye të tjera, ne mundemi vetëm të spekulojmë. Mirëpo duhet që t'u mundësohet njerëzve ndërmjetës, të cilët ekzistojnë në botën e moderuar dhe bashkëkohore, që konsumatori të jetë në gjendje të jetë më liberal dhe të blejë nga ai ofrues, i cili garanton dhe bën një energji më të lirë sesa konstantja".
Por Agron Dida, zëvendësministër i Energjisë, pohon se kjo ministri tashmë e ka planin strategjik për periudhën 2005-2015, në bazë të të cilit është paraparë dhe ndërtimi i një termocentrali të ri.
"Në aspektin afatgjatë është ndërtimi i kapaciteteve të reja, termocentraleve të reja, të cilat gjithashtu mendojmë se duhet të fillojnë procedurat menjëherë, për arsye se ndërtimi i kapaciteteve të reja prej 1400 dhe 1800 MGW/h, nëse fillojnë procedurat, nevojiten 7 vjet për ta patur centralin e ri në punë".
Zoti Ahmeti nga instituti RIINVEST ndërkaq thotë se ndërtimi i termocentralit të ri tash për tash duket i pamundshëm.
"Termocentralet nuk bëhen brenda natës. Termocentralet nuk bëhen as për një muaj dhe dy muaj. Të kesh termocentral të ri do të thotë të kesh stabilitet në furnizimin me energji elektrike. Edhe pse do ta ndihmojë, kjo mund të realizohet vetëm me investime të jashtme direkte, në të cilat duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Kosova nuk ka nevojë për një prodhues gjigand të rrymës. Ne duhet të dimë se çfarë duam. Ndërsa investuesit e jashtëm interesohen vetëm për përfitimet e tyre, kështu që ata do të instalojnë pajisje me kapacitete marramendse të shfrytëzimit, ku do të bëhet shkatërrimi jo vetëm i anës ekologjike, por i vetë qëndrueshmërisë ekonomike."
Por deri në ndërtimin e termocentralit të ri, mundësia e vetme për përmirësim të energjisë elektrike në këtë kohë, sipas zëvendësministrit Dida, është pagesa e rrymës së konsumuar.
"Problemi kryesor tek ne është që qytetarët nuk paguajnë energjinë dhe KEK-u është një kompani e cila duhet të subvencionohet prej buxhetit të Kosovës. Ky mekanizëm nuk funksionon dhe qytetarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm dhe të paguajnë energjinë elektrike. Ju lutem."
Megjithatë Gazmend Ahmeti këtë e konsideron si një situatë paradoksale.
"Duhet gjetur një skemë e përshtatshme, e cila do t'u mundësonte këtyre qytetarëve që të kenë furnizim të rregullt, por në të njëjtën kohë që të bëhet edhe aktimi i fakturave për shpenzimet e bëra. Mirëpo çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është më i larti në rajon, kështu që me ato para të cilat do të aktoheshin në mënyrë të rregullt, ne do të ishim në gjendje të blenim energji pa problem dhe të mos punonin fare këto dy termocentrale fosile për momentin."
Sistemi i reduktimeve katër me dy në favor të rrymës vlen për ato lagje, në të cilat banojnë qytetarët, që paguajnë rreth 80 përqind të rrymës së shpenzuar. Dy kategori të tjera përballen me reduktime edhe më të rënda.

XS
SM
MD
LG