Ndërlidhjet

"PARIMET UNIVERSALE" QË I KËRKON PUTIN KUNDËRSHTOHEN NGA PERËNDIMI


Robert Parsons, Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në konferencën e tij vjetore me gazetarë tha se duhet të ekzistojnë "parime universale" për zgjidhjen e konflikteve. Këto komente u bënë kundër sfondit të bisedimeve të pashmangshme për statusin e ardhshëm të Kosovës, që shumë parashohin se do të jetë një formë e "pavarësisë së kushtëzuar" nga Serbia dhe Mali i Zi. Moska, si një aleate e Serbisë, në mënyrë të vazhdueshme e ka kundërshtuar idenë e pavarësimit të Kosovës. Vërejtjet e zotit Putin sygjerojnë se ai ndoshta ta ndryshojë qëndrimin, por vetëm nëse parimet e apikuara në rastin e Kosovës do të vlejnë edhe për konfliktet e pazgjidhura në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik. Nëse Kosova mund të bëhet e pavarur, pyet ai, atëherë pse duhet që kjo t'i mohohet Abkhazisë dhe Osetisë Jugore.

Vite pas negociatash prapa perdeve për statusin e ardhshëm të Kosovës, marrëveshja tani duket afër. Megjithatë, jo ajo marrëveshje që Rusia do ta donte.
Ishte paraparë që kosovarët dhe serbët t'i fillonin bisedimet në Vjenë më 25 janar, por ato u shtynë për shkak të vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova.
Por, ende pa filluar këto bisedime, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Rusia, faktorët e interesuar ndërkombëtar, kanë arritur një shkallë të konsensusit. Fjala është për "pavarësinë e kushtëzuar", një formulë që do ta ndante Kosovën nga Serbia dhe Mali i Zi, por do ta linte si subjekt të një misioni ndërkombëtar.
Qysh kur Moska e konsideron Serbinë aleat politik, kjo është një betejë diplomatike të cilën Rusia duket se e ka humbur. Por, në konferencën vjetore me gazetarë Putin la të kuptohet se Moska mund të provojë të kërkojë një çmim.
"Nëse dikush beson se Kosova duhet të fitojë pavarësi të plotë, atëherë pse duhet t'ia mohojmë të njëjtën edhe Abkazisë dhe Osetisë Jugore? Nuk po flas për atë se si Rusia do të veprojë. Por sidoqoftë, ne e dimë se Turqia për shembull, e ka njohur Republikën e Qipros Veriore. Nuk dua të them se Rusia do ta njohë menjëherë Abkhazinë ose Osetinë Jugore si shtete të pavarura e sovrane, por shembuj të tillë ekzistojnë në praktikën ndërkombëtare", tha Putin.
A është ky një paralajmërim për drejtimin e ardhshëm të politikës së Jashtme ruse, apo më tepër është një refleksion i krenarisë së lënduar? Ndoshta të dyja, por Aleksei Malashenko nga Instituti Karnegi në Moskë, beson se kërkesa e Putinit për parime universale në zgjidhjen e konflikteve të mbetura, nuk e çon askund Rusinë.
"Kjo do t'i japë atij një rast për t'i bërë presion Gjeorgjisë dhe për të thënë vazhdimisht se nëse është aplikuar në Kosovë, atëherë e njëjta mund të aplikohet edhe në Abkhazi dhe në Osetinë Jugore. Por në të njëjtën kohë, nuk besoj se në këtë mënyrë Putini do të ketë sukses, sepse ideja e universalizmit është refuzuar nga komuniteti perëndimor", tha Malashenko.
Këtë pikëpamje e ndan edhe Eduard Lukas, korrespondent i revistës "Ekonomist" për Evropën Qendrore dhe Lindore, sipas të cilit, Putini mund ta kuptojë se nxjerrja e përfundimeve të përgjithshme nga zgjidhja e problemit të Kosovës, mund të jenë më të vështira se sa që ai mendon.
"Këtu kemi të bëjmë me dy parime të kundërshtueshme; të vetëvendosjes dhe integritetit territorial. Por, mendoj se çështja kryesore është se asnjë nga fuqitë e huaja nuk po e mbështet Kosovën. Kosova nuk është kliente e një shteti fqinj të fuqishëm siç janë Abkhazia dhe Osetia Jugore. Prandaj, gjëja e parë që duhet ta themi nëse dikush provon të gjejë një standard të njëjtë, do të ishte se asnjëri vend fqinj nuk do ta bllokojë apo përkrahë njëanshëm zgjidhjen e ndonjërit prej këtyre konflikteve, dhe, kjo natyrisht se do ta vinte Rusinë në pozicion shumë të vështirë", tha Lukas.
Me këtë Rusia mund të jetë në pozitën e ecjes mbi akull shumë të mprehtë. Parimi i vetëvendosjes posaçërisht, i pret të dyja anët.
"Ekziston gjithashtu edhe Çeçenia. Nëse pranoni se ekziston e drejta e vetëvendosjes, ose së paku që ajo të kihet parasysh, dhe që të mos trajtohet vetëm moscënimi i integritetit territorial, atëherë kjo do ta ngrente çështjen e Çeçenisë tani, dhe në të ardhmen ndoshta edhe të copëzave të tjera të Rusisë që më shumë ekzistojnë si rastësi se sa nga të drejta historike, si përshembull Karelia ose Tatarstani", theksoi Lukas.
Mbi akull të mprehtë apo jo, në Rusi ekziston një simpati që të bëhet paralele me Kosovën. Sergei Markov, drejtor i Institutit për Studime Politike në Moskë, tha se megjithë faktin që Rusia e ka kundërshtuar pavarësimin e Kosovës për shkak se Serbia është aleate e saj, Moska do të jetë e gatshme ta pranojë atë, me kusht që ky precedent të vlejë në katër konfliktet e pazgjidhura në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik.
XS
SM
MD
LG