Ndërlidhjet

logo-print

RUMSFELD PARALAJMËRON ZVOGËLIMIN E TRUPAVE AMERIKANE NË KOSOVË


Financial Times

Donald Rumsfeld, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, dëshiron ta zvogëlojë numrin e trupave amerikane në Kosovë, duke dhënë shenja se Pentagoni do të kërkojë nga aleatët e NATO-s që të marrin më shumë përgjegjësi për misionin paqeruajtës në Kosovë. Në një intervistë për “Financial Times”, zoti Rumsfeld ka thënë se të gjithë janë duke punuar së bashku në Kosovë dhe në mbarë Ballkanin. Natyrisht, ka thënë sekretari amerikan, “ne të gjithë kemi hyrë në këtë mission së bashku dhe do të dalim që andej bashkërisht. Unë personalisht shpresoj se do të mund të vazhdojmë të zvogëlojmë numrin e forcave tona atje”, ka thënë zoti Rumsfeld. Ai ka thënë se me angazhimin e madh të forcave amerikane në Irak dhe në Afganistan, Pentagoni dëshiron që të arrijë pajtueshmërinë e NATO-s për tërheqjen e disa trupave amerikane. Kjo, sipas tij, do të bëjë që vendet e tjera anëtare të Aleancës Veriatlantike të marrin më shumë përgjegjësi, por zvogëlimi i numrit të trupave amerikane në Kosovë, përballë angazhimit të tyre në Irak, do të zvogëlonte presionin për të zbarkuar në vendet e tjera dhe për të mundësuar angazhimin e tyre në vendet ku tashmë veprojnë.
Shtetet e Bashkuara kanë rreth 1700 ushtarë në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës që gjithsej numëron 16 mijë forca, por diskutimet mbi tërheqjen ka ngritur shqetësime në Evropë. Një zyrtar i NATO-s ka thënë se duke marrë parasysh procesin e ndjeshëm politik në Kosovë, i cili sapo ka filluar, tani nuk është koha për të folur për zvogëlimin e misionit KFOR-it apo të pranisë amerikane. Komentet e zotit Rumsfeld pasojnë vendimin e fuqive perëndimore për të intensifikuar përpjekjet në gjetjen e një zgjidhjeje politike për Kosovën. Prania e trupave amerikane në Kosovë ka edhe rolin simbolik, për shkak të rëndësisë që shqiptarët e Kosovës u japin atyre.


XS
SM
MD
LG