Ndërlidhjet

SHARY: RUSIA NUK E VË NË PYETJE PERËNDIMIN PËR SERBINË


ANDRE SHARY, analist në shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin këto ditë ka thënë se nëse Kosova fiton pavarësinë e plotë, përse kjo nuk është e mundur edhe për Abkhazinë ose Osetinë Jugore. A mendoni se me këtë prononcim Vladimir Putin kundërshton pavarësinë e Kosovës apo vetëm forcon pozicionet përballë Gjeorgjisë?

ANDREJ SHARY
Mendoj se kemi të bëjmë me një koncepcion të ri të politikës së jashtme të Rusisë. Në fakt Rusia tash është duke bërë përpjekjet të mbetet super – shtet në hapësirën e ish – Bashkimit Sovjetik dhe rrjedhimisht shumica e interesave fokusohet në ish republikat sovjetike, duke përshfirë këtu edhe çështjen e "konflikteve të ngrira etnike". Por, nëse dikush krahason krizën kosovare dhe ate në Abkhazi, atëherë çështja mund të shtrohet edhe kështu – a do të barazojmë pavarësinë e Kosovës jo vetëm Abkhazinë, por edhe me Çeçeninë? Pra, kemi të bëjmë me floskula politike, sepse Rusia tash nuk ka as mundësi dhe as dëshirë që të bëhet lojtarë serioz në Ballkan. Dhe nëse nuk mund të bëjmë asgjë, atëherë sëpaku do të flasim, ndonëse kjo nuk ka asnjë peshë politike.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Moska zyrtare është e gatshme të hyjë në konflikt diplomatik me Perendimin për shkak të Kosovës apo mbase në fund do të miratojë qëndrimn e Perendimit?

ANDREJ SHARY
Rusia në planin ushtarak është tërhequr nga Kosova dhe Ballkani. Moska nuk ka ndonjë interesim për hapësirën ish – Jugosllavisë. Situata esencialisht është ndryshuar pas viteve të 90-ta dhe Rusia tash vetëm në formë simbolike dëshiron të bëjë veprime sipas të cilave ajo gjoja ka diç për të thënë. Tash nuk ka rrëfime për miqësinë e madhe me Serbinë dhe madje edhe turbo – patriotët rusë më nuk flasin për vëllazërinë ruso – serbe. Sikur në vitet e 90-ta Rusia të kishte bërë presion mbi Millosheviqin që të mos vriste shqiptarët mbase lufta nuk do të shpërthente dhe sot situata do të ishte ndryshe. Por, ajo kaptinë tash është e mbyllur.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni në përgjithësi rolin e Rusisë në Ballkan. Deri në ç'masë Moska mund dhe dëshiron t'i mbështetë interesat dhe aleatët e vet në Ballkan?

ANDREJ SHARY
Kjo çështje ka dy aspekte. Në planin politik Rusia përmes deklarimeve do të mbroj pozicionin që pjestarët e pakicës serbe të kthehen në Kosovë, se ata duhet të kenë të gjitha të drejtat dhe se Kosova duhet të përmbush standardet. Në këtë aspekt ajo dëshiron të mbetet faktor politik i procesit dhe mbase faktor konstruktiv. Angazhimi tjetër mund të jetë në planin humanitar, ndërsa synimi për të luajtur ndonjë rol në planin ekonomik gjithashtu nuk është real. Rusia bëhet se është faktor politik edhe në Lindjen e Mesme, përkatësisht në konfliktin izraelito – palestinez, por mundësitë e saj janë shumë të kufizuara.
Në rastin e Ballkanit edhe vetë Serbia më shumë është e orientuar nga Bashkimi Evropian se sa nga Rusia dhe më nuk i ka mbetur hapësirë për të bërë lojën ndërmjet Lindjes dhe Perendimit. Rrjedhimisht, Rusia në asnjë mënyrë nuk do të vë në pyetje marrëdhënjet me Perendimin për shkak të Serbisë.
Intervistoi, Melazim KOCI.



XS
SM
MD
LG