Ndërlidhjet

logo-print

MOORE:"PËRMES KOSOVËS MOSKA SHANTAZHON GJEORGJINË"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë presidenti rus Vladimir Putin tha se për Kosovën duhet të gjendet "zgjidhje e zbatueshme në formë universale".
"Nëse Kosovës do t'i jepet pavarësia e plotë, përse një gjë e tillë i mohohet Abkhazisë ose Osetisë jugore," ka pyetur Vladimir Putin.
Me këtë prononcim presidenti Putin ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, ka shantazhuar Gjeorgjinë apo të dyja?

PATRICK MOORE
Mendoj që ajo që ka bërë presidenti Putin është shantazhimi i Gjeorgjisë. Ai e di shumë mirë se situata e Kosovës pak a shumë është përfundimtare, është e qartë, pjesërisht sepse diplomatët e saj (të Rusisë) kanë qenë tashmë pjesë e një marrëveshjeje, që dyshoj se është përpunuar brenda Grupit të Kontaktit dhe do të çojë drejt një forme të pavarësisë së kushtëzuar, që do të thotë pavarësi me garancë ndërkombëtare për pakicat. Megjithate, Ballkani mund të mbetet ende një zonë interesi për rusët, por nuk janë prioritet i tyre. Kjo është ajo që duhet të kemi parasysh në këtë rast. Prioriteti i parë i presidentit Putin janë ish republikat sovjetike që janë në kufi me Rusinë, sidomos ato që kanë treguar mungesë vullneti që të ndjekin urdhrat e Moskës. Në këtë rast futet Gjeorgjia. Putini më iu referua të ashtuquajturave " konflikte të ngrira" në ish Bashkimin Sovjetik. Ai përmendi katër prej tyre, ndër të cilat 2 janë Osetia jugore dhe Abkhazia që janë pjesë e Gjeorgjisë. Këto janë rajone që rebelohen ndaj qeverisë qendrore në Tbilisi, por çështja me rëndësi për t'u nënvizuar është që ndërsa këto rajone kishin një lloj autonomie në letër kur ato ishin pjesë e Bashkimit Evropian, nuk patën asgjë të ngjashme me autonominë që Kosova pati përmes kushtetutave të vitit 1974. Prandaj paralelizmi midis këtyre rajoneve nuk është i qartë në këtë mes. Ajo që është e qartë është që presidenti Putin do kërkojë të përfitojë përmes situatës në Kosovë dhe të përpiqet ta përdorë këtë për të shantazhuar Gjeorgjinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti Putin ka apostrofuar Abkhazinë dhe Osetinë jugore, por ka harruar Çeçeninë?

PATRICK MOORE
Kjo ndodh për arsye se zoti Putin është shumë bujar kur bëhet fjalë për dhënien e territorit të të tjerëve, por nuk është po kaq bujar kur bëhet fjalë për dhënien e territoreve të veta. Çeçenia është e tij dhe kjo do të thotë se është pjesë e Federatës Ruse dhe presidenti Putin tregon një mungesë totale të vullnetit për të hequr dorë prej saj. Në prononcimin e tij ai theksoi se Çeçenia është qetësuar, po shkon drejt normalizimit. Sigurisht e dimë se çfarë do të thotë qetësi kur shohim fotografitë nga kryeqyteti Grozni, qytet që i ngjan më tepër Kabulit ose Berlinit të 1944, veçanërisht mureve të djegura dhe të rrënuara falë bombardimeve "bujare" të ushtrisë ruse apo aviacionit rus. Presidenti Putin ka instaluar një regjim kukullash por kjo mbetet një zonë pothuajse pa ligj.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, kthehemi sërisht tek Kosova. Grupi i Kontaktit këtë javë pas takimit në Londër lëshoi një kumtesë në të cilën pos tjerash thuhet se ministrat presin nga Beogradi që të ketë parasysh se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës. Cili është komenti juaj?

PATRICK MOORE
Ajo që do kemi është një lloj statusi që do jetë i bazuar në një mënyrë ose në një tjetër në vetëvendosje dhe sundimin e shumicës, që mendoj se do të jetë kjo pavarësi e kushtëzuar, që do të përfshijë një rol në terren për të huajt sa u përket pakicave. Nuk mendoj se do të kemi më fiksionin e integritetit territorial të Serbisë që përemendet që nga viti 1999. Shpresoj që nuk do kemi as propozimet e presidentit Tadiq për gjysëm pavarësi, që nuk do përfshinte ushtrinë apo një vend në Kombet e Bashkuara. Kjo mendoj që është ajo që konsiderohet të jetë një zgjidhje e pranueshme për popullin e Kosovës dhe kjo është një zgjidhje që në fakt është pavarësi e vërtetë.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG