Ndërlidhjet

IVANOVIQ PARALAJMËRON KTHIM TË SHPEJTË NË INSTITUCIONET E KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarë të Listës serbe për Kosovën e Metohinë që është subjekti më i madh i serbëve të Kosovës, kanë paralajmëruar sot mundësinë e kthimit të shpejtë në institucionet e Kosovës. Prijësi i kësaj liste Oliver Ivanoviq, tha sot se subjekti që ai udhëheq është afër kthimit në institucionet e Kosovës, por nuk caktoi një datë për këtë. Zoti Ivanoviq i bëri këto komente pas një takimi me shefin e Misionitit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Soren Jessen Petersen, i cili ka shtuar përpjekjet për inkuadrimin e përfaqësuesve të serbëve në institucionet e Kosovës, sidomos pas shenjave inkurajuese që janë dhënë ditët e fundit. Zoti Ivanoviq së fundi e ka quajtur Beogradin fajtor për mospjesëmarrjen e deritashme të subjektit që ai përfaqëson në institucionet e Kosovës. Politika e deritashme e Beogradit zyrtar për zgjidhjen e problemeve që ngarkojnë jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë, nuk ka dhënë rezultate të pritura, ka thënë së fundi zoti Ivanoviq. Prandaj, sipas tij, përgjegjësinë për zgjidhjen e problemeve të pakicës serbe, duhet ta marrin vetë përfaqësuesit e këtij komuniteti në Kosovë dhe kjo mund të bëhet përmes hyrjes në institucione.
Në këtë kuadër, Ivanoviq tha se Lista serbe e ka pritur fillimin e negociatave për statusin e Kosovës për të marrë vendim për pjesëmarrje në institucione.Tash kur ky proces ka filluar, kthimi ynë është shumë afër ka thënë Ivanoviq. Ai nuk ka pohuar dhe as ka mohuar nëse ky kthim do të ndodhë deri më 20 shkurt, për kur është paralajmëruar një takim ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij Serbisë, në Vjenë ku do të diskutohet për decentralizimin.
Përfaqësuesit e Listës serbe për Kosovën e Metohinë kanë bojkotuar punën e institucioneve të Kosovës që nga marsi i vitit 2004, kur ky koalicion funksiononte nën emrin koalicioni “Kthimi”. Edhe pse patën marrë pjesë në zgjedhjet e nëntorit të po atij viti, ata nuk shfrytëzuan tetë mandate deputetësh, një post ministri dhe dy poste zëvendësministrash. Nga komuniteti serb ka marrë pjesë në institucione vetëm Partia Demokratike Serbe e Kosovës e Metohisë, e zotit Slavisha Petkoviq, që aktualisht ka dy deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe vetë zoti Petkoviq mban postin e Ministrit për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës.
Zyrtarët e UNMIK-ut, si dhe krerët e institucioneve të Kosovës disa herë u kanë bërë thirrje edhe përfaqësuesve të Listës serbe që të marrin pjesë në institucione, në mënyrë që të jenë të përfshirë drejtpërdrejtë në proceset politike dhe të mund të ndikojnë për zgjidhjen e problemeve të serbëve të Kosovës.
Përfaqësuesit e Listës serbe deri më tash kanë respektuar qëndrimet e Beogradit zyrtar lidhur me pjesëmarrjen ose jo në institucionet e Kosovës, mirëpo takimet e fundit të tyre me të dërguarin amerikan për statusin e Kosovës ambasadorin Frank Wisner dhe shefin e zyrës së ambasadës ruse në Kosovë, Sergej Bazdnikin, kanë bërë që përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të deklarojnë se tani vendimi për kthim në institucionet e Kosovës i takon vetë Listës serbe dhe jo Beogradit zyrtar.



XS
SM
MD
LG