Ndërlidhjet

SAWERS: ZGJIDHJA E STATUSIT TË KOSOVËS MUND TË PRODHOJË STABILITET NË RAJON


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zgjidhja e statusit të Kosovës, përfshirë këtu edhe opsionin e pavarësisë, mund të prodhojë stabilitet në rajon, nëse Kosova ndërton një të ardhme ku të gjithë qytetarët e saj pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, do të ishin të barabartë, ka thënë sot në Prishtinë, drejtori politik në Ministrinë e Jashtme Britanike, John Sawers. Këto komente, Sawers i ka bërë pas një takimi që zhvilloi me Ekipin Negociues për statusin e Kosovës, të cilit ai i ka prezantuar edhe një herë qëndrimet e Grupit të Kontaktit dhe të qeverisë britanike, për sa i përket zgjidhjes së statusit të Kosovës. Sawers përsëriti qëndrimin e qartë të Grupit të Kontaktit që statusi i Kosovës duhet të zgjidhet gjatë këtij viti, duke u bazuar në masën më të madhe në vullnetin e popullatës shumicë të Kosovës, por duke respektuar dhe interesat e pakicave. Kurse në interesimin e gazetarëve se a do të prodhonte stabilitet në rajon pavarësia e Kosovës, Sawers u përgjigj shkurt:
“Natyrisht”, tha Sawers, duke shtuar se statusi i Kosovës, do të zgjidhet gjatë këtij viti në bazë të parimeve të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit.
“Ne i kemi vendosur dhe parametrat e zgjidhjes së statusit, të cilat janë një Kosovë shumë-etnike, në të cilën standardet evropiane do të respektohen dhe një zgjidhje që do të akordohet me vullnetin e popullatës shumicë në Kosovë”, tha Sawers. Ai kërkoi që vakuumi i krijuar në postin e presidentit të Kosovës të plotësohet sa më shpejt. Sawers tha se bashkëpunimi ndërmjet udhëheqjes së Kosovës do të shpejtonte realizimin e aspiratave të popullatës së dhe liderëve të Kosovës rreth të ardhmes së saj. Ndërkohë që kryeministri Bajram Kosumi tha se e ka siguruar përfaqësuesin e lartë britanik se Kosova dhe qeveria e tij, janë të përkushtuar që të ndërtojnë një Kosovë të pavarur ku të gjithë qytetarët do të jenë të barabartë:
“Procesi i bërjes së shtetit të Kosovës nuk është kundër interesave të bashkësisë serbe. Shteti i ardhshëm i Kosovës do të jetë i mirë, dhe ai s’mund të jetë i mirë për një pjesë dhe i keq për një pjesë tjetër”, tha kryeministri Kosumi.
Kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, tha se Ekipi kosovar për statusin i ka transmetuar zotit Sawers gatishmërinë e vet për të vazhduar bisedimet si për decentralizimin në Vjenë ashtu edhe çështjet e tjera që ndërlidhen me zgjidhjen e statusit të Kosovës:
“Ne jemi të përgatitur edhe për Vjenën edhe për përgjegjësitë ndaj minoriteteve, në veçanti ndaj atij serb, me një fjalë ne po i afrohemi përgjegjësive më të mëdha që Kosova duhet t'i marrë”, tha Daci.
Në anën tjetër, Sawers ka thënë po ashtu se me zgjidhjen e statusit të Kosovës, zgjidhje kjo që sipas tij do të prodhojë stabilitet të brendshëm por edhe stabilitet në rajon, komuniteti ndërkombëtar njëkohësisht do të përcaktojë edhe rolin që do të ketë pas zgjidhjes së statusit, pasi Grupi i Kontaktit ka vlerësuar se në Kosovë do të duhet që edhe pas statusit të ketë një prani ndërkombëtare. Sawers ka mbërritur gjatë mbrëmjes në Prishtinë dhe ka takuar gjithashtu edhe shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen dhe përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë. Pas Prishtinës, ai do të vazhdojë këtë turne diplomatik në Beograd.



XS
SM
MD
LG