Ndërlidhjet

SEJDIU ZYRTARISHT KANDIDAT I LDK-SË PËR PRESIDENT TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nominuar Fatmir Sejdiun kandidat të saj për postin e presidentit të Kosovës. Vendimi është marrë sot pas një mbledhje të kryesisë së LDK-së, menjëherë pas kalimit të 15 ditëve të zisë për presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova. Nënkrytari i LDK-së, Kolë Berisha, tha se vendimi i sotëm i LDK-së, dëshmon se kjo parti nuk do të përçahet dhe do të vazhdojë të jetë unike:
“Pas tragjedisë së madhe që patëm edhe si popull, edhe si Kosovë, edhe si LDK, kryesia e LDK-së në mbledhjen e sotme, unanimisht ka marrë vendim kapital dhe propozon kandidaturën e Prof. Dr. Fatmir Sejdiut për kryetar të Kosovës”, tha Kolë Berisha.
Ndërkohë, kandidati i nominuar për president, Fatmir Sejdiu, u shpreh i gatshëm të marrë nën drejtim postin e presidentit, duke u zotuar se do të ndjekë politikën disa vjeçare të presidentit Rugova, pro pavarësisë së Kosovës:
“Mund të ushtroj në këtë kohë kaq të nevojshme për Kosovën, detyrën e kryetarit të Kosovës. Falënderoj për angazhimin e tyre të madh që kanë bërë, bashkë me presidentin Rugova deri në këtë fazë dhe ne do të vazhdojmë me ngulm atë vizion dhe atë qasje që ai ka pasur për Kosovën, për pavarësinë, për demokracinë dhe ardhmërinë e saj të përgjithshme dhe për proceset e saj integruese euro-atlantike”, tha Sejdiu.
Kandidimi i Sejdiut është përshëndetur dhe nga shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Soren Jessen-Petersen. Mirëpo, ndërkohë që Jessen-Petersen ka ndikuar drejtpërdrejtë që seanca e Këshillit të Sigurimit për Kosovën të shtyhet nga data 7 për datën 14 shkurt, duke besuar se presidenti i ri i Kosovës do të zgjidhet gjatë kësaj jave, sot kryesia e Kuvendit, megjithatë e ka shtyrë datën 9 shkurt, të propozuar për zgjedhjen e presidentit për të hënën e ardhshme më 13 shkurt. Shtyrja e seancës e ka pasuar kërkesën e PDK-së, si partia më e madhe opozitare, për shkak se kryetari i saj dhe disa zyrtarë të tjerë të PDK-së ndodhen jashtë Kosovës. Sidoqoftë, Jessen-Petersen duke përshëndetur kandidimin e Sejdiut, kërkoi nga klasa politike e Kosovës të tregohet unike dhe e matur, në mënyrë që të dërgojë mesazhe pozitive për sa i përket plotësimit të vakumit që ka lënë vdekja e presidentit Rugova:
“Ne e shtymë takimin e Këshillit të Sigurimit dhe unë do të raportoj atje javën e ardhshme dhe pres me padurim që të ketë një vendim të shpejtë për zgjedhjen e presidentit të ri”, tha Petersen, pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e kuvendit të Koosvës, Nexhat Daci.
Në anën tjetër, kryeparlamentari kosovar tha se priste që kryesia e Kuvendit të marrë vendim që seanca të mbahet gjatë kësaj jave:
“Janë plotësuar të gjitha kushtet formale dhe të shpresojmë që tani kryesia do të procedojë sipas rrethanave të krijuara me shpejtësinë më të madhe ose në kohën më të shkurtë të mundshme që Kosova ta ketë presidentin”, tha Nexhat Daci.
Mirëpo menjëherë pas kësaj deklarate, takimi i kryesisë së Kuvendit solli si rezultat shtyrjen e seancës për datën 13 shkurt, sipas një kërkese të Partisë Demokratike të Kosovës. Deputeti dhe anëtari i kryesisë së Kuvendit nga PDK-ja, Xhavit Haliti, tha se nuk përjashtohet mundësia që ndërkohë, edhe PDK-ja të dalë me një kandidat të vetin për president:
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës akoma nuk ka marrë një qëndrim të duhur dhe jemi duke shqyrtuar mundësinë e daljes apo jo me kundërkandidat”, tha Haliti.
Ndërkohë Naim Maloku nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përveç se i ka dhënë mbështetje kandidatit nga partia në koalicionin qeverisës, ka shprehur bindjen e tij se seanca plenare për zgjedhjen e presidentit, duhet të tregojë një unitet të Kuvendit, të paktën me praninë e të gjitha grupeve parlamentare në mbledhjen e 13 shkurtit:
“Ishte një atmosferë e mirë dhe shpresojmë se para faktorit ndërkombëtar dhe gjithë atyre që e vëzhgojnë Kosovën, do ët tregojmë një unitet të plotë të hënën, pra më 13 shkurt”, theksoi Maloku.
Sipas Kornizës Kushtetuese, presidenti i Kosovës mund të nominohet nga partitë që kanë më shumë se 25 deputet në Kuvend. Presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave apo 80 vota për gjatë dy raundeve të para të votimit, kurse nëse kjo kuotë nuk arrihet, atëherë në raundin e tretë zgjidhet me shumicën e votave, respektivisht me 61 vota për.



XS
SM
MD
LG