Ndërlidhjet

ÇEKU: SERBIA PO I BËN NJË LLOJ SHANTAZHI RAJONIT NË TREGUN E ENERGJISË


Et'hem Çeku, Ministër i Energjetikës dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Çeku. Kosova ka sërish krizë energjetike. A mund të na i thoni shkurtimisht shkaqet që kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së furnizimit me energji elektrike?

ET'HEM ÇEKU
Po, ne kemi vështirësi me furnizimin e qytetarëve me energji elektrike. Një nga arsyet është se një pjesë e blloqeve të Kosovës A, blloqeve të vjetra, kanë dalë nga sistemi i prodhimit. Po ashtu është rritur fuqishëm konsumi i energjisë elektrike. Nga 700 e më tepër MW që ne prodhojmë energji elektrike, shpenzimet kanë arritur të jenë diku mbi 1100, 1200 deri në 1300 MW në orë. Problemi i tretë është se nuk mundëm ta realizonim projektin e importit, të blerjes së energjisë, për shkak të disa veprimeve, të cilat Serbia i bëri dhe nuk lejoi që në këto kushte të vështira të blejmë energji. Janë këto tre arsye thelbësore, të cilat ndikuan që Kosova të kalojë nëpër një krizë të madhe në furnizimin me energji elektrike.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, ju keni deklaruar se ESBI, ndërmarrja irlandeze, e cila menaxhon me Korporatën Energjetike të Kosovës, nuk është në gjendje që ta menaxhojë me sukses atë. Çfarë do të ndërmerrni në këtë drejtim?

ET'HEM ÇEKU
Unë mendoj që problemi qëndron i gjithi në faktin se kjo kompani, përkundër përgatitjeve të disa projekteve të mira, nuk ka forcën e implementimit të tyre dhe nuk e ka ndikimin e saj të shtrirë në strukturat e brendshme të KEK-ut. Prandaj, është një kompani, e cila nuk mund ta bartë barrën e përgjegjësisë së menaxhimit të KEK-ut në këto situata. Ne kemi kërkuar që të forcohet vija e menaxhmentit vendor dhe kjo kompani mund të jetë një kompani, në disa sektore, e mirë si konsultuese dhe i ka ardhur koha që kjo kompani të shkojë nga Kosova dhe të forcohet lidershipi vendor në menaxhimin e KEK-ut.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, poashtu keni deklaruar se Korporata Energjetike e Kosovës ka pasur kontrata për importin e rrymës elektrike. Janë realizuar apo jo ato kontrata?

ET'HEM ÇEKU
Jo. Ato kontrata nuk janë realizuar. Janë realizuar pjesërisht dhe në mënyrë më të disfavorshme për taksapaguesit kosovarë. Në vend se të importojmë energji me çmime reale të tregut, ne kemi importuar energji në momentet e një shitblerjeje tepër të shtrenjtë dhe kemi blerë energji deri në 75 Euro për MW në orë, për arsye se, siç e ceka më lart, Serbia nuk ka lejuar që të blejmë energji me kontratë të caktuar nga shteti bullgar. KEK-u është detyruar të blejë nga shitësit e ndryshëm të energjisë elektrike në treg.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, prej cilit vend, në këtë moment, mund të importojë Kosova energji elektrike, duke i pasur parasysh këto që i cekët më parë?

ET'HEM ÇEKU
Bullgaria paraqitet tani një nga vendet stabile në shitjen e energjisë elektrike dhe ne na patën ofruar, të them edhe disa çmime të mira, të cilat bënin që kontratat tona të jenë shumë të mira. Poashtu, mund të ketë edhe disa kompani të tjera, të cilat janë në tregjet e rajonit për shitjen e energjisë elektrike, siç janë disa kompani angleze që manovrojnë në këto pjesë të Ballkanit, kompani zvicerane dhe kompani të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, në bazë të marrëveshjes së Athinës sistemi elektro-energjetik në Ballkan është unik. Sa po realizohet kjo marrëveshje dhe a keni patur probleme në realizimin e saj?

ET'HEM ÇEKU
Traktati i Athinës është një dokument shumë i mirë dhe ne si Kosovë edhe si qeveri dhe ministri e kemi mbështetur. UNMIK-u e ka nënshkruar këtë dhe jemi pjesëmarrës shumë aktiv atje. Kemi menduar që përmes këtij traktati do të kalohen ato barrierat, të cilat shpeshherë vendet e rajonit, e posaçërisht Serbia në raport me Kosovën dhe Shqipërinë e ndonjëherë edhe në raport me vendet e tjera, i përdor. Traktati i Athinës ende nuk ka mundur të zbatohet tërësisht dhe të kalohen këto barriera. Ne presim që në muajt e ardhshëm të ngritet edhe në nivelin e Brukselit, të diskutohet për këto probleme tepër të mëdha, të cilat Serbia është duke i bërë një farë lloj shantazhi të gjithë rajonit, posaçërisht Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe të vijë deri te zgjidhja e problemit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Çeku, autoritetet në Beograd ditë më parë kanë akuzuar se reduktimet e energjisë elektrike bëhen në baza etnike. Si do t’ju përgjigjeshit ju këtyre akuzave?

ET'HEM ÇEKU
Po, bëhet në baza etnike, por në dëm të shqiptarëve, sepse në dëm të serbëve kjo nuk bëhet. Hidrocentrali i Ujmanit prodhon energji dhe e tëra ajo shkon në favorin e komunitetit serb si furnizim. Në qoftë se kemi diskriminim, atëherë kemi diskriminim pikërisht për komunitetin shqiptar, të cilëve ua reduktojmë në masë të madhe dhe mbëjmë ç’është e mundur që në këto momente të mos kemi një akuzë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
A nuk mundet kjo të shkaktojë reagim tek popullata shqiptare?

ET'HEM ÇEKU
Ne jemi duke e kaluar në një zhvillim politik dhe qytetarët e Kosovës janë duke bërë çmos që të shohin këto zhvillime të mundshme që janë në aspektin politik dhe të qëndrojë disa ditë një familje pa energji elektrike është një sakrificë e madhe, të cilën qytetarët e Kosovës e bëjnë në favorin e zhvillimeve politike dhe në favorin e statusit politik të Kosovës. Prandaj, pretendimet e Tadiqit dhe pushtetarëve të Beogradit se ka diskriminim në baza etnike është një josaktësi shumë e madhe, është një bllof politik dhe nuk i takon realitetit. Absolutisht komuniteti serb nuk është i diskriminuar. Për neve ekziston vetëm një: është konsumatori që e paguan energjinë elektrike dhe konsumatori që nuk e paguan energjinë elektrike. Në këtë rast ne ua ndërpresim energjinë elektrike të gjithë konsumatorëve, të cilët nuk e kanë bërë pagesën e energjisë elektrike. Kurse, sa i përket komunitetit serb, në disa raste kemi pasur që asambletë komunale dhe komunat i kanë marrë borgjet dhe i kanë paguar për qytetarët e komunitetit serb, siç ishte rasti i Fushë Kosovës dhe qyteteve të cilat i kanë paguar.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund, zoti ministër, javën që lamë pas, pakënaqësia e qytetarëve është shprehur edhe përmes protestave në pjesë të ndryshme të Kosovës. Çfarë porosie keni ju për këta qytetarë?

ET'HEM ÇEKU
Ne i kuptojmë hallet e qytetarëve dhe vështirësitë. Të jetë i izoluar nga bota e informimit në këto zhvillime teknologjike është shumë e vështirë. Mirëpo, qytetarët duhet të paguajnë energjinë elektrike, para se të dalin në protesta dhe të protestojnë. Është lehtë të dilet që të protestohet dhe të dëmtohet edhe ndonjë shtyllë, ta zëmë si shembull, edhe pse ato nuk janë prodhim dhe veprim të qytetarëve tanë. Mirëpo, e vërteta është se qytetarët tanë i kanë borxh KEK-ut mbi 238 milion Euro dhe cila kompani, cili institucion mund të funksionojë me të gjitha këto borxhe të krijuara? Ne i shohim dhe i ndjejmë veprimet e qytetarëve, mirëpo edhe qytetarët duhet ta dinë konsumin që e bëjnë. Atë që e kemi potencuar është se energjia është një lloj malli. Në qoftë se duhet të paguajmë për kafenë që e konsumojmë, në qoftë se paguajmë duhanin dhe në qoftë se e konsumojmë energjinë duhet ta paguajmë edhe energjinë.

Intervistoi: Bekim Bislimi


XS
SM
MD
LG