Ndërlidhjet

GRUPET PARLAMENTARE BIEN DAKORT QË ZGJEDHJA E PRESIDENTIT TË BËHET MË 10 SHKURT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Të gjitha grupet parlamentare janë pajtuar që seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës të thirret brenda javës, gjegjësisht për të premten me datën 10 shkurt. Pas kërkesave zyrtare të LDK-së, AAK-së, partisë Ora, si dhe Grupit “6 Plus”, që përfaqëson komunitetet jo serbe në Kuvend, gjatë mbrëmjes edhe PDK-ja është pajtuar që seanca të mos shtyhet për javën tjetër dhe ajo të mbahet gjatë javës. Vendimi i PDK-së i është kumtuar dhe shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen nga një delegacion i kësaj partie i udhëhequr nga Jakup Krasniqi. Jessen Petersen tha se mirëpriste vendimin më të ri të PDK-së:
“Jemi pajtuar që presidenti të zgjedhet shumë shpejt, mbase para përfundimit të javës, çka është shumë mirë dhe është ajo për çka Këshilli i Sigurimit pikërisht ishte informuar nga unë, kur kërkova që sesioni për Kosovën të shtyhet për javën tjetër”, tha Jessen Petersen.
Ai tha në vazhdim se zgjedhja e presidentit të Kosovës do të mundësojë që grupi për statusin ta vazhdojë punën, në mënyrë që Prishtina të përgatitet dhe për takimin e ardhshëm në Vjenë për decentralizimin dhe procesin e negociatave për statusin në përgjithësi.
Në anën tjetër Jakup Krasniqi tha se grupi parlamentar i PDK-së është i gatshëm që të marrë pjesë në seancën e radhës, pavarësisht datës a thirret këtë javë apo javën tjetër. Krasniqi tha se PDK kishte paraqitur kërkesën që mbledhja të shtyhet për javën tjetër për shkak të mungesës së kryetarit të saj i cili ndodhet jashtë Kosovës, por vendimi për shtyrjen e seancës tha ai, nuk mund t'i atribuohet PDK-së, por Kryesisë së Kuvendit:
“Nesër Kryesia e Kuvendit mban mbledhje dhe nëse ata vendosin të mbahet të premten apo të shtunën, ne jemi të gatshëm të marrim pjesë si Parti Demokratike”, tha Krasniqi.
Pas reagimeve të grupeve parlamentare, Kryesia e Kuvendit mblidhet nesër, kur pritet të anullojë vendimin e djeshëm për shtyrjen e seancës për javën tjetër. Në këtë mbledhje, sipas nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berisha, Kryesia e Kuvendit pritet të vendosë që të premten të thirret seanca plenare me pikën e vetme të rendit të ditës, zgjedhjen e presidentit të Kosovës:
“Ne e kemi bërë kërkesën e dytë dhe kryetari i grupit parlamentar ka qenë i lutur që ta dërgojë sot shkresën tjetër, që së paku për datën 10, do të thotë për të premten, të mbahet seanca në mënyrë që zoti Petersen ta ketë emrin e kryetarit dhe t'i raportojë për këtë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara”, tha Kolë Berisha.
Deri më tash, ka vetëm një kandidaturë zyrtare për postin e presidentit të ri, ajo e LDK-së, përkatësisht Fatmir Sejdiut. Procedurat kërkojnë që zgjedhja e presidentit të bëhet përmes votimit të fshehtë me dy të tretat e votave të deputetëve gjatë dy raundeve të para të votimit, dhe nëse kjo kuotë nuk arrihet, atëherë rrethi i tretë i votimit parasheh zgjedhjen e tij me 61 vota pro apo shumicën e deputetëve.

XS
SM
MD
LG