Ndërlidhjet

logo-print

Y.HYSA: MBROJTJA E TRASHËGIMISË FETARE ORTODOKSE, PROVË PËR KOSOVËN


Albana Isufi, Prishtinë

Manastiret dhe objektet e tjera ortdokse serbe në Kosovë, nuk do të kenë nevojë që të ruhen nga forcat e KFOR-it, nga momenti kur qytetarët të vetëdijesohen se këto objekte janë pasuri kulturore e Kosovës dhe nuk i përkasin vetëm një subjekti të caktuar fetar.
Është ky vlerësim i udhëheqësit për trashëgimi kulturore dhe mbrojte të objekteve fetare në grupin politik strategjik, Ylber Hysa.
“Ekziston një gatishmëri në palën kosovare, që në mënyrën më të mirë të mundshme, të bëjë pjesën e saj në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore kosovare”.
Kjo sipas Hysës do të bëhet në atë mënyrë që të përfshihen liritë, që garantohen me dokumentet më të larta ligjore të shtetit të ardhshëm të Kosovës, i cili do të garantojë lirinë e ushtrimit të fesë e lirinë e organizmit të brendshëm.
Në parimet e Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e statusit të Kosovës është kërkuar rregullimi i çështjes së objekteve të Kishës Ortodokse Serbe. Kleriku serb Sava Janjiq thotë se marrëveshja mbi mbrojtjen e trashëgimisë fetare në Kosovë do të jetë pjesë e zgjidhjes së statusit të ardhshëm të Kosovës.
Ai thotë se manastiret e Kishës Ortodokse Serbe do të marrin një status dhe mbrojtje të veçantë institucionale dhe të sigurisë dhe për këtë do merren për bazë dy nivele:
“Përveç nivelit të zgjidhjes sç kësaj çështjeje sipas ligjeve në Kosovë, ekziston edhe një mundësi, një nivel ndërkombëtar i zgjidhjes, që do jetë i ndërlidhur me zgjidhjen e statusit. Prandaj, kjo është një çështje shumë komplekse, që nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e manastireve, por është në ndërlidhje me marrëveshjen për statusin e ardhshëm, në ndërlidhje me decentralizimin dhe kthimin, edhe pse individualisht do të jenë të gjithë në një paketim të përbashkët”, thotë kleriku Janjiq.
Ylber Hysa thotë se grupi që ai e udhëheq është i gatshëm që të paraqesë platformën mbi rregullimin e çështjes së objekteve fetare në Kosovë, përkatësisht të objekteve ortodokse serbe, sapo një gjë e tillë të kërkohet që të negociohet nga kryenegociatori ndërkombëtar Marti Ahtisari.
“Ne në kuadër të bisedimeve për negociata do të bëjmë platformën tonë edhe për këtë çështje dhe shumë shpejt, sapo të hapet kjo çështje, ne do të jemi të gatshëm, që ta parashtrojmë qëndrimin në platformën tonë”.
Manastiret serbe në periudhën e pasluftës kanë qenë nën mbrojtjen e KFOR-it. Por, sot në shumë vende, punktet janë reduktuar ose janë larguar. Kleriku Sava Janjiq vlerëson se manastiret serbe, nuk do të kenë nevojë për mbrojtje, vetëm nëse Kosova shndërrohet në një shoqëri të hapur:
“Do të shohim se si po sillet shoqëria kosovare, nëse shkon kah një shoqëri tolerante, shumë-etnike, shumë-fetare, apo do të vazhdojë me lloje të ndryshme të presionit, me sulme të hapura deri të pengesat institucionale. Në këtë rast masat e sigurisë do jenë më të gjata”, thotë Janjiq.
Por, Ylber Hysa nga grupi politik strategjik i delegacionit kosovar për bisedime, thotë se respektimi i objekteve fetare ortdokse do të jetë një test, nëse kosovarët dinë të ndërtojnë ose jo shtet.
“Për këtë do të duhet një proces, i cili do të përfshijë jo vetëm bartjen e kompetencave në duart e institucioneve të Kosovës në shtetin e ardhshëm, por një vetëdijësim i qartë i të gjithë qytetarëve në Kosovë se kjo është një begati kosovare dhe një provim i madh i shtetësisë së Kosovës”.
Klerikët serbë, ndërkaq thonë se manastiret serbe në Kosovë, pa marrë parasysh statusin e ardhshëm, duhet të marrin garanci ndërkombëtare, dhe të jenë obligim i institucioneve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG