Ndërlidhjet

logo-print

SHTYHET REGJISTRIMI I POPULLSISË NË KOSOVË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, nuk do të mbahet në muajin prill siç ishte paralajmëruar vitin e kaluar, me rastin e miratimit të ligjit për regjistrimin e popullsisë. Arsye kryesore për një shtyrje të tillë është mungesa e parave. Ministria e Shërbimeve Publike, edhe përkundër kësaj është duke i bërë përgatitjet për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë, thotë Melihate Tërmkolli. Ajo thotë se megjithatë regjistrimi do të bëhet gjatë këtij viti.
"Sipas planit që është bërë në fillim të vitit të kaluar, është paraparë që të jetë nga prilli. Data ende nuk është caktuar, atë do ta përcaktojë Kuvendi i Kosovës, në bashkëpunim me Përfaqësuesin Special. Por fakti që nuk është caktuar deri tani le hapësirë për të menduar se do të jetë paksa e vështirë ajo në prill të këtij viti, sepse që nga data e përcaktimit të realizimit të regjistrimit, duhet të kalojnë së paku disa muaj për këtë proces."
Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë kërkon shumë kohë dhe angazhime të mëdha, thotë ministrja Tërmkolli dhe sipas saj nuk është për t'u habitur nëse nuk ndodh edhe këtë vit.
"Edhe po të mos mbahet këtë vit, unë them nga përvoja e vendeve të tjera, që duhen diku minimumi dy vite për mbajtjen e regjistrimit dhe unë them me bindjen e plotë që duke patur parasysh krejt nivelin i përgatitjeve të deritanishme, thjesht jam e bindur plotësisht se regjistrimi do të mbahet këtë vit. "
Mungesa e mjeteve materiale është një problem tjetër, duke u nisur nga fakti se regjistrimi kërkon 7.7 milion euro. Për këtë shumë nga buxheti i Kosovës do të ndahen 20 përqind, ose 1.6 milion euro, kurse 80 përqind-shi tjetër do të sigurohet nga donatorët.
"Financiarisht ne ende nuk kemi një përgjigje të plotë ndaj këtij projekti. Për këtë vit është paraparë një shumë buxhetore nga buxheti i Kosovës, e pamjaftueshme për realizimin e plotë të këtij projekti. Ne presim se do të kemi edhe donacione nga vendet e tjera, nga Komisioni Evropian, nga të cilat kemi veç premtime. Kështu që ne mendojmë se me realizimin e tyre, regjistrimi i popullsisë do të mbahet gjatë këtij viti."
Ndryshe, ministrja Tërmkolli pohon se realizimi i regjistrimit të popullsisë nuk kërkon vetëm angazhimin e institucioneve përkatëse, por edhe angazhimin e 7 mijë njerëzve, që do të bëjnë regjistrimin direkt të popullsisë.
" Me këta 7 mijë njerëz nevojitet një kohë për t'u njohur me të gjitha elementet, edhe të pyetësorëve, natyrisht që ka shumë segmente të përgatitjeve që janë të limituara ekzistimi ose mosekzistimi i mjeteve financiare, për shembull si shtypja e pyetësorëve, etj. Ne duhet të shohim deri në fund që të kemi një respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare".
Ndryshe regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 1981. Dhjetë vjet më vonë, më 1991, pushteti i atëhershëm serb ka bërë edhe një regjistrim tjetër, por ai është bojkotuar nga shqiptarët.





XS
SM
MD
LG