Ndërlidhjet

logo-print

FATMIR SEJDIU ZGJIDHET PRESIDENT I RI I KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur sot Fatmir Sejdiun president të ri të Kosovës. Presidenti Sejdiu është zgjedhur në këtë post pas tre raundesh të votimit, me 80 vota pro, 12 kundër dhe 17 abstenime. Presidenti i ri i Kosovës, u zotua para Kuvendit se ai do të jetë një president i unitetit që do të bashkëpunojë me gjithë spektrin e brendshëm politik dhe me komunitetin ndërkombëtar, si dhe u zotua që gjatë mandatit të tij të përmbyllë me sukses procesin e bisedimeve për statusin e Kosovës, duke u betuar se do të ruajë tërësinë territoriale të Kosovës. Sejdiu tha se politika e tij do të jetë vazhdimësi e politikës së presidentit tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova, që pikësynim kryesor kishte pavarësinë e Kosovës:
“Të nderuar deputetë dhe qytetarë të Kosovës, betohem solemnisht se do të ruaj dhe mbroj unitetin e popullit, tërësinë tokësore të vendit dhe do të siguroj funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës”, tha Sejdiu.
Duke iu referuar procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës, presidenti Sejdiu tha se ai do të jetë dhe udhëheqës i Ekipit të Kosovës për bisedime, i cili do ta drejtojë Kosovën në procesin e zgjidhjes së statusit për një Kosovë të pavarur, sovrane e demokratike, në të cilën ai u zotua se të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë së tyre etnike do t'i gëzojnë të drejtat e barabarta. Qysh nesër, presidenti Sejdiu pritet ta thërrasë takimin e Delegacionit të Kosovës, ku do të merret vendimi për takimin e Vjenës për decentralizimin dhe delegacionin që do ta përfaqësojë Kosovën në këtë takim.
“Ju siguroj se unë si president do të kem angazhim parësor udhëheqjen dhe vazhdimin e punës së Ekipit Negociator të Kosovës si ekip i unitetit, ashtu siç e kishte strukturuar presidenti Rugova, për të përshpejtuar këtë proces përballë nevojave të vendit tonë dhe vendosmërisë së bashkësisë ndërkombëtare për të përmbyllur me sukses këtë proces sa më parë, gjatë këtij viti, në përputhje të plotë me vullnetin e popullit të Kosovës. Në këtë kuadër bashkëpunimi i ngushtë me emisarin e OKB-së për statusin e Kosovës, presidentin arti Ahtisari ka rëndësi të veçantë”, theksoi Sejdiu.

Kandidatura e Sejdiut për postin e presidentit ishte e vetmja. Gjatë dy raundeve të para të votimit ai fitoi 78 përkatësisht 77 vota pro, kurse në raundin e tretë edhe pse atij i mjaftonin 61 vota, ai fitoi 80 vota pro, çka la të nënkuptohet se ai kishte dhe një mbështetje solide të opozitës. Kyetari i Kuvendit Nexhat Daci tha se zgjedhja e presidentit në këtë moment historik për Kosovën është një çështje që duhet t'i kalojë interesat e ngushta partiake:
“Jam i sigurtë se zgjedhja e sotme e kryetarit të Kosovës do të jetë interes madhor dhe mbi interesat partiake do të jetë personalitet unifikues në Kosovë, reprezentues i denjë i interesave më sublime të popullit të Kosovës i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim”, tha Daci.
Kandidatura e Sejdiut është paraqitur nga nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha, i cili tha se ky nuk është një moment për emocione, por askush, tha ai, nuk e ka pritur që një vit pas zgjedhjes së presidentit tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova, Kosova do të duhet të votoj sërish për presidentin e saj të ri. Berisha shpalosi dhe biografinë e presidentit të ri Sejdiu. Prof.Dr.Fatmir Sejdiu u lind më 23 tetor 1951 në Pakashticë, të komunës së Podujevës. Ai është jurist, përkatësisht Profesor i Historisë së Shtetit dhe të Drejtës, kurse në jetën politike Sejdiu ka mbajtur vazhdimisht poste të larta në Lidhjen Demokratike të Kosovës, si gjatë kohës së funksionimit të institucioneve të paraluftës ashtu edhe atyre të pas luftës. Sejdiu është dhe sekretar i përgjithshëm i LDK-së dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.



XS
SM
MD
LG