Zyrtarë të lartë të BE-së dhe të NATO-s kanë përshëndetur zgjedhjen e Fatmir Sejdiut për president të Kosovës. Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Havier Solana tha se "zgjedhja e shpejtë e presidenti të ri paraqet demonstrim të pjekurisë dhe shenjë të unitetit në këto momente sfiduese për Kosovën". Ai mëtutje u shpreh se shpreson për "vazhdimin e menjëhershëm të punës për procesin e statusit dhe për një angazhim konstruktiv, përfshirë këtu edhe bisedat e ardhshme për decentralizim në Vjenë, nën mbikëqyrjen e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara". Zoti Solana poashtu pret "fokusim të shtuar dhe përkushtim nga institucionet për implementimin e standardeve dhe të reformave të tjera evropiane, e veçanërisht që të arrihet që të gjitha bashkësitë në Kosovë ta kenë bindjen se kanë ardhmëri të sigurtë". NATO-ja ka përshëndetur zgjedhjen e Fatmir Sejdiut për president të Kosovës, duke thënë se ai është politikan i moderuar që ka aftësi të nevojshme në periudhën kur Kosovën e presin bisedimet për status. Sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jaap de Hoop Scheffer tha se këto "kualitete do të jenë të rëndësishme për ta udhëhequr Kosovën gjatë këtyre muajve të rëndësishëm të bisedave për status dhe më vonë".