Ndërlidhjet

logo-print

NOJKIQ:"KOSOVA - DY SYNIME DHE DY STRATEGJI"


Rangjel NOJKIQ, Anëtar i Listës Serbe

EVROPA E LIRË
Zoti Nojkiq, si e vlerësoni zgjedhjen e Fatmir Sejdiut kryetar të Kosovës dhe çka pritni nga ai si kryetar?

RANGJEL NOJKIQ
Më duhet t’ju them se në aspektin strategjik nuk pres ndonjë ndryshim qenësor nga gjendja e mëparshme, për arsyen e thjeshtë se qëllimet e liderëve shqiptarë janë shumë të qarta dhe në këtë kuptim nuk mendoj se do të ketë farë ndryshimesh. Ajo ku mund të hetohet ndonjë ndryshim është ndoshta dialogu, pasi me zotin Rugova, me gjithë faktin që disa herë jemi përpjekur të dëgjohemi dhe të flasim, ta zëmë rreth formimit të qeverisë kur kemi pasur ndërmend të hyjmë në parlament dhe të përfshihemi aktivisht në institucionet e përkohshme. Një takim i tillë nuk është bërë, me gjithë faktin se ai takim është dashur të bëhej përmes zotit Petersen. Ndoshta në këtë kuptim do të ketë ndryshime të caktuara dhe ndoshta do të kemi mundësi të bisedojmë por kur ësht fjala për interesat dhe synimet strategjike këtu nuk do të ketë ndryshime të konsiderueshme.

EVROPA E LIRË
Grupi negociues i Kosovës ka vërtetuar se më 20 shkurt në Vjenë do të mbahet takimi për decentralizimin. Çka pritni ju nga ky takim?

RANGJEL NOJKIQ
Presim konkretizimin e kërkesave dhe përcaktimin e parimeve dhe ajo që është shumë e qenësishme është që parimet e decentralizimit të mundësojnë një decentralizim esencial, pasi në të vërtetë ajo që ka bërë qeveria e Kosovës para disa muajsh si dokument dhe si fillim i zbatimit të decentralizimit përmes pilot-projekteve pamë se përjetoi debakël në kuptimin që serbët nuk i pranuan pilot-komunat, por po ashtu është fakt se edhe shumë subjekte politike të shqiptarëve nuk ishin të kënaqur me këtë decentralizim. Këtë herë më duket se bashkësia ndërkombëtare po i qaset shumë më seriozisht këtij problemi dhe unë pres të definohen parimet që do të mundësojnë decentralizim të vëretë që do t'u mundësojë edhe serbëve, por edhe joshqiptarëve të tjerë që jetojnë në Kosovë jetë më te lehtë dhe qasje në institucionet e perkohshme.

EVROPA E LIRË
Zoti Nojkiq, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë pjesë e delegacionit të Beogradit, në vend se të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës. A e hendikepon kjo në ndonjë mënyrë faktorin politik serb në Kosovë?

RANGEL NOJKIQ
Ju e dini se kur i ndjeri zoti Rugova e formoi ekipin për negociata në asnjërën prej mundësive nuk kishte paraparë serbët. Kështu që të flasësh tash për ndonjë ekip të përbashkët është vërtet një nismë e vonuar. Në anën tjetër interasat tona janë të kundërta dhe këto kundërshtime na ka sjellë deri te kjo situatë, kur serbët janë në ekip me Beogradin. Ndoshta kjo ka mundur të jetë ndryshe, por mendoj se përgjegjësinë për këtë situatë vertët e bartin institucionet e Kosovës dhe UNMIK-u. Mendoj se serbët nuk janë të hendikepuar në këtë kuptim. Pozicioni për bisedime është më i lehtë. Unë kam përvojë të keqe, e cila tregon se ne nuk mund të bisedojmë, pasi kam qenë anëtar i grupit punues të Prishtinës për energjetikën dhe atëherë ndodhi një ndarje e plotë e grupit tonë punues, pasi interesat në vetë grupin punues nuk ishin unike, jo vetëm në atë takim, por edhe në takimet përgatitore për takimin e Beogradit ne nuk arritëm qëndrim të përbashkët dhe strategji të përbashkët, kështu që mendoj se kjo është diçka e arsyeshme dhe më e mirë për të dyja ekipet negociuese, pasi ekzistojnë dy synime të ndryshme, dy strategji.

EVROPA E LIRË
Zoti Nojkiq, në takimin e fundit të Grupit të Kontaktit, veçanërisht është theksuar fakti se me rastin e statusit politik të Kosovës duhet të marrë parasysh edhe vullnetin politik të shumicës së qytetarëve të Kosovës. Si e vlerësoni ju këtë?

RANGJEL NOJKIQ
Mua më është i qartë ai qëndrim. Ne kemi biseduar herën e fundit me drejtorin nga ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe dhe anëtar i Grupit të Kontaktit për këtë çështje. Mendoj se ajo bisedë në masë të madhe e ka hapur këtë çështje politike të statusit të ardhshëm të Kosovës. Unë jam i vetëdijshëm për atë fakt, por mendoj se sipas rezolutës 1244 Kosova ende është pjesë përbërëse dhe në rast se do të flitej për referendumin, atëherë do të mund të hapeshin edhe çështje referendumesh të tjera. Kështu që, unë mendoj se referendum nuk do të ketë dhe se kjo çështje do të zgjidhet në kuadër të këtyre dy grupeve negociuese dhe mendoj se rezultati duhet të jetë një kompromis. Unë ende shpresoj se zgjidhja e kompromisit është e mundur.

EVROPA E LIRË
Dhe, në fund, zoti Nojkiq, ditët e fundit është përalajmëruar se Lista Serbe do kthehet në institucionet e Kosovës. Kur do të ndodhë kjo?

RABGJEL NOJKIQ
Ne disa herë kemi paralajëmruar se do të kthehemi, mirëpo që të ndodhë kjo ne presim një ftesë shumë serioze nga institucionet e Kosovës, para së gjithash nga kryetari i Kuvendit, nga kryeministri, por edhe nga kryetari i Kosovës që të ulemi dhe të bisedojmë lidhur me këtë. Ajo që ne kërkojmë si një nga parakushtet, është që të na sigurohet punë normale, gjë që deri më tash nuk e kemi pasur, dhe jo vetëm kjo por, shumë nisma, shumë vërejtje dhe propozime tonat që janë parashtruar në mënyrë të rregullt nuk janë shqyrtuar fare dhe ky është një fakt që asgjë nuk ka ndryshuar në raport me legjislacionin e shkuar të Kuvendit dhe të qeverisë dhe prandaj ne kërkojmë që të kemi qëndrime shumë të definuara, të cilat do të zbatoheshin, në mënyrë që të na mundësohet funksionimi normal. Kur flasim për këtë, nuk mendoj se propozimet tona duhet të pranohen, por ato duhet të merren parasysh dhe të diskutohet për to. Ne deri më tash nuk kemi pasur asnjë shembull të tillë. Ne disa herë jemi përpjekur që disa probleme jetësore që mund të zgjidhen në kuadër të dokumenteve të tashme të institucioneve të përkohshme, të Kornizës Kushtetuese, por edhe të rezolutës 1244, deri më tash nuk ka pasur kurrfarë vullneti që këto probleme të zgjidhen.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG