Ndërlidhjet

BYRNES:"PAVARËSIA E KOSOVËS NUK KA ALTERNATIVË"


Shaun BYRNES, Ish - diplomat i SHBA-ve

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Byrnes, kanë mbetur vetëm edhe pak ditë para fillimit zyrtar të bisedimeve për statusin e Kosovës. Si e shihni ju zhvillimin e përgjithshëm të këtij procesi?

SHAUN BYRNES
Mendoj se do të jetë një process kompleks dhe mbase do të zgjasë më shumë se ç'pritet nga disa njerëz. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar qartë e ka të njohur faktin se pavarësia e Kosovës nuk ka alternativë, por bisedimet do të shfrytëzohen për dy çështje kryesore; e para është se komuniteti ndërkombëtar do të sigurojë vetveten se institucionet në Kosovë do ta bëjnë të mundur për pakicat kombëtare që ato të gëzojnë të drejta të barabarta dhe t’ua mundësojnë serbëve të zhvendosur kthimin e tyre. Së dyti, komuniteti ndërkombëtar shpreson se do të jetë i mundshëm ndërtimi i marrëdhënieve të mira në mes të Kosovës së pavarur dhe Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështja e decentralizimit pritet të jetë një prej çështjeve më të rëndësishme në mbrojtje të të drejtave të pakicave kombëtare. Çfarë saktësisht duhet të ofrojnë institucionet në Kosovë në këtë drejtim, cilat do të ishin elementet bazë të pranueshme për decentralizimin?

SHAUN BYRNES
Pra siç e thashë edhe më herët, institucionet duhet ta bindin komunitetin se ato do të bëjnë përpjekje efektive dhe jetësore për të siguruar që jo vetëm pakica serbe, por edhe pakicat tjera, do të gëzojnë të drejta të barabarta. Megjithatë, kjo veçanërisht ka të bëjë me serbët, në mënyrë që ata të ndihen të sigurtë dhe të kenë një perspektivë të denjë ekonomike. Ajo çfarë shpresojnë të bëjnë është të shfrytëzojnë mekanizmin e decentralizimit për të arritur deri tek qëllimi i dëshiruar.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë ndërkombëtarë kanë thënë se bisedimet në fakt nuk kanë të bëjnë me statusin e Kosovës, por me statusin e serbëve që jetojnë në Kosovë. A pajtoheni me një konstatim të këtillë?

SHAUN BYRNES
E kam lexuar këtë deklaratë dhe mendoj se është goxha e mprehtë, por nuk mendoj se kësisoji mund të përshkruhet i gjithë procesi.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësia e kushtëzuar është një prej opsioneve më të përfolura për statusin përfundimtar. Sipas mendimit tuaj, çfarë nënkupton pavarësia e kushtëzuar në rastin e Kosovës?

SHAUN BYRNES
Kjo është një pyetje shumë e mirë dhe është një prej pyetjeve rreth së cilës unë kam menduar dhe jam hamendur shumë. Përgjigja më e mirë të cilën e kam dëgjuar deri më tash është ajo që e kam lexuar në shtypin e Beogradit. Siç duket, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Frank Wisner, i ka thënë njërit prej nikoqirëve të tij në Beograd, sipas të gjitha gjasëve kryeministrit Vojisllav Koshtunica, se pavarësia është si shtatzënia, nuk ka gjysëm shtatzëni. Për të folur më seriozisht tani, pavarësia e kushtëzuar, sipas mendimit tim, ka të bëjë me praninë ndërkombëtare të NATO-s për të garantuar sigurinë e jashtme të Kosovës për një periudhë të caktuar, derisa fqinjët të mos e kenë pranuar pavarësinë. Së dyti, mbase do të ketë një prani civile ndërkombëtare që për qëllim do të ketë të ndihmojë ngritjen dhe sforcimin e institucioneve në Prishtinë, veçanërisht në sundimin e ligjit. Të gjitha këto me qëllimin përfundimtar për të përshpejtuar hyrjen e Kosovës në Evropë, ku fundja edhe qëndron e ardhmja e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit ka kërkuar nga Beogradi që të ketë parasyshë faktin se zgjidhja përfundimtare duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës. Si e shihni ju këtë deklaratë, e cila nga institucionet në Kosovë është cilësuar si historike?

SHAUN BYRNES
Edhe unë mendoj se është historike dhe pason një deklaratë të mëhershme gjithashtu historike të Grupit të Kontaktit, e cila nëse nuk gaboj është dhënë në shtator të vitit 2003 dhe në të cilën për herë të parë thuhej se nuk do të ketë kthim në gjendjen e para marsit të vitit 1999. Kjo ka qenë një mënyrë diplomatike për t’i thënë Prishtinës, e veçanërisht Beogradit, se Kosova do të bëhet e pavarur. Deklarata e fundit është një mënyrë më e drejtëpërdrejtë për t’ia thënë këtë Beogradit. Nga pikëpamja ime në cilësinë e analistit, mendoj se qëllimi i këtij mesazhi në fakt ka të bëjë me zhgënjimin brenda Grupit të Kontaktit rreh mungesës së qartë të guximit politik të Beogradit zyrtar për ta përgatitur opinionin publik në Serbi se çfarë është duke ardhur dhe ajo që është duke ardhur është pavarësia e Kosovës. Takimin e Londrës unë do ta bashkoja me atë që drejtori politik i ministrisë së Jashtme britanike, John Sawers, u ka thënë serbëve në Prishtinë dhe zyrtarëve në Beograd, me deklaratat e fundit të Stefan Lehnes në Beograd dhe natyrisht ato të të dërguarit të posaçëm amerikan, Frank Wisner. Të gjitha këto janë pjesë të një pakoje që dëshmon se komuniteti ndërkombëtar do të rrespektojë vullnetin e popullatës shumicë në Kosovë. Tani për Beogradin është e rëndësishme ta njohë këtë fakt dhe të përgatitet për të.

RADIO EVROPA E LIRË
Por sa e ka kuptuar mesazhin Beogradi, duke u nisur nga deklaratat e disa zyrtarëve serbë se nëse pavarësia e Kosovës shpallet, atëherë Serbia do ta shpallë Kosovën territor të okupuar?

SHAUN BYRNES
Mendoj se kjo deklaratë nuk është bërë nga Qeveria e Serbisë, me sa e kam kuptuar unë atë e ka thënë lideri i radikalëve, Tomislav Nikolic. Unë do të shtoja se shumë zyrtarë të lartë në Beograd në fakt e dinë se pavarësia e Kosovës nuk ka alternativë. Mendoj se presidenti Tadiç në veçanti ka dhënë shenja të një fakti të këtillë në disa prononcime të tija. Megjithatë, kjo çështje është më shumë me karakter të brendshëm politik, duke u nisur nga fakti se në fund të vitit atje do të ketë zgjedhje parlamentare. Aktualisht, forcat më të mëdha politike në Serbi janë vënë në kërkim të rrugëve si t’i qasen çështjes së Kosovës dhe të shpëtojnë pa u dëmtuar.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG