Ndërlidhjet

CAKTOHET DELEGACIONI I KOSOVËS PËR TAKIMIN E VJENËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Ekipi Negociator për statusin e Kosovës ka caktuar sot delegacionin përfaqësues për takimin e Vjenës, që do të mbahet më 20 shkurt. Ky takim është thirrur nga kryenegociatori për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari ku pritet që pala kosovare dhe ajo nga Serbia të bisedojnë për procesin e decentralizimit në Kosovë.
Si rezultat i kompromisit ndërmjet përfaqësuesve të pozitës dhe atyre të opozitës në Grupin Negociues, është marrë vendim që delegacioni kosovar të mos ketë vetëm një kryesues, por të bashkëkryesohet nga Ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri dhe Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi. Pas takimit të sotëm të Ekipi Negociues, këshilltari i presidentit të Kosovës, Muhamet Hamiti, tha se Grupi Negociues është marrë vesh për përbërjen e delegacionit të Vjenës si dhe ka miratuar dokumentin me parimet bazë për reformën në pushtetin lokal:
“Ekipi Negociator i Kosovës miratoi përbërjen e delegacionit të Kosovës për takimin e Vjenës që është caktuar të mbahet më 20 shkurt. Anëtarë të këtij delegacioni do të jenë, Lutfi Haziri, Jakup Krasniqi, Skënder Hyseni, Enver Hoxhaj, Ylber Hysa, Sadik Idriz. Delegacioni do të ketë shtatë anëtarë, ndërsa bashkëkryesues të delegacionit të Kosovës në këtë takim do të jenë, Lutfi Haziri dhe Jakup Krasniqi”, tha Hamiti.
Pas disa konsultimeve shtesë, Ekipi Negociues ka caktuar që anëtari i shtatë i delegacionit të caktohet koordinatori i ekipit të ekspertëve Blerim Shala.
Në interesimin e gazetarëve se përse ishin caktuar dy bashkëkryesues dhe jo një kryesues, siç ishte paralajmëruar më herët, Hamiti tha se angazhimet e Ministrit aktual të Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri dhe ish-ministrit të kësaj fushe, Jakup Krasniqi, kanë një domethënie në procesin e decentralizimit:
“Besoj që për ata që dinë më shumë për jetën politike në Kosovë, dy emrat, edhe ai i Lutfi Hazirit edhe ai i Jakup Krasniqit, thonë diçka, janë një ministër dhe një ish-ministër që kanë qenë në krye të përpjekjeve për të nisur dhe çuar më tutje reformën e pushteti lokal”, theksoi Hamiti.
Në takimin e sotëm, Delegacioni i Kosovës, i cili kryesohet nga presidenti Fatmir Sejdiu, kurse në të bëjnë pjesë dhe udhëheqësit më të lartë të institucioneve dhe dy liderët e opozitës, është miratuar përfundimisht dhe dokumenti me parimet bazë për reformën e pushtetit lokal. Me këtë dokument pala kosovare do të paraqitet më 20 shkurt përballë palës nga Serbia. Aty parashihet një decentralizim që e përjashton krijimin e dy entiteteve dhe korridoreve etnike në Kosovë. Ky dokument kërkon zhbërjen e strukturave paralele dhe integrimin e tyre nuk kuadër të institucioneve të zgjedhura, por njëkohësisht parasheh dhe një bartje përgjegjësish nga niveli qendror në atë lokal, dhe formimin e më shumë komunave, prej të cilave disa edhe me shumicën serbe.



XS
SM
MD
LG