Ndërlidhjet

NJU JORK


Këshilli i Sigurimit sot e diskutoi raportin e rregullt tre mujor mbi zhvillimet në Kosovë. Folësit e vlerësuan lartë procesin e qetë e të shpejtë të zgjedhjes së presidentit të Kosovës, pas vdekjes së ish-presidentit Rugova.
Problemi i pakicave, liria e lëvizjes dhe përfshirja e pakicës serbe në institucionet e Kosovës, ishin në qendër të fjalimeve të shumicës së folësve. Shefi i UNMIK-ut theksoi rëndësinë e kësaj çështjeje në kuadër të procesit të bisedimeve. "Të drejtat e pakicave janë një fushë që në kohën e bisedimeve për statusin, udhëheqësit e Kosovës, nuk mund të dëshmojnë asgjë më pak se angazhim të plotë, sinqeritet dhe veprim", tha Jessen-Petersen.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i cili e drejtonte delegacionin serb, tha se për zgjidhjen e çështjes së Kosovës Beogradi ofron kompromis politik, pa ndryshim të njëanshëm të kufijve. Kjo qasje e Beogradit, tha Tadiç, shqiptarëve të Kosovës do t'u mundësonte autonomi shumë të gjerë, me kusht që këtë lloj autonomie ta miratojnë edhe për entitetin serb në Kosovë.
Ambasadori i Britanisë së Madhe, në planin humanitar veçoi nevojën për zgjidhje të problemit të romëve që gjenden në kampet në veri të Mitrovicës, ndërkaq në planin politik, ai theksoi se çdo zgjidhje për statusin e Kosovës duhet të marrë parasysh qëndrimin e 90 përqind të popullsisë shqiptare të Kosovës.
Edhe ambasadori francez theksoi nevojën që negociatat të përfundojnë brenda vitit 2006, derisa situatën në Kosovë e cilësoi specifike, të cilës i kanë paraprirë ngjarjet dramatike të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Kurse ambasadori amerikan John Bolton, vendi i të cilit e ka kryesinë e radhës së KS-së, tha se pavarësia është opsion real. "Duhet të jemi realistë për rezultatin. Pavarësia është një rezultat i mundshëm. Çdo zgjidhje për statusin duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës", tha Bolton, ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, i cili edhe e drejtoi këtë seancë.
XS
SM
MD
LG