Ndërlidhjet

REAGIME POZITIVE PËR MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË SIGURIMIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Mbledhja e djeshme e Këshillit të Sigurimit ishte një vështrim korrekt i zhvillimeve në Kosovë, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës si opsion real, tha sot presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, duke u shprehur optimist se qeveria do të përmbushë edhe standardet e tjera që janë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.
"Është një vështrim korrekt i të gjitha rrjedhave pozitive në Kosovë dhe mund të them se në këtë drejtim përshëndes angazhimin e të gjithë atyre që u bënë në Këshillin e Sigurimit, për të mbështetur opsionin real të pavarësisë së Kosovës që është një opsion konform vullnetit politik të Kosovës", tha presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, pas një takimi me drejtorin politik të Ministrisë së Jashtme të Italisë, Giulio Terzi, i cili tha se vendi i tij mbështet një zgjidhje për statusin e Kosovës, që do të mbështetej në negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sipas parimeve të Grupit të Kontaktit.
Ndërkohë, presidentit Sejdiu ia ka uruar postin sot shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, i cili ka premtuar mbështetjen amerikane për presidentin e ri dhe për procesin:
"Unë desha ta ritheksoj përkushtimin amerikan për Kosovën dhe përkrahjen tonë për procesin aktual të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës," tha shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, ndërkohë që presidenti Sejdiu ka falënderuar posaçërisht kryesuesin e radhës të Këshillit të Sigurimit, zotin Bolton për qëndrimin e djeshëm.
Edhe përfaqësues të partive politike i kanë vlerësuar lart diskutimet e djeshme në Këshillin e Sigurimit, duke qenë të vetëdijshëm edhe për vërejtjet e bëra. Bajram Rexhepi, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka veçuar qëndrimet amerikane britanike dhe franceze:
"Mendoj se ka qenë një vlerësim real, ashtu siç është pritur dhe siç realisht e kemi situatën. Kanë qenë inkurajuese sidomos deklarimet e kryetarit të radhës të Këshillit të Sigurimit, zotit Bolton dhe të Britanisë së Madhe, por edhe përfaqësuesi i Francës që ka qenë në vijë me deklarimet e Grupit të Kontaktit që është shumë pozitive".
Ndërkaq, Naim Maloku, anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se janë tre momente që duhen veçuar nga mbledhja e djeshme:
"Është një konfirmim i mbledhjes së Grupit të Kontaktit nga 31 janari i këtij viti, që për Kosovën hap perspektiva që të arrijë synimet për të cilat edhe po punojmë," tha Maloku, duke vlerësuar si dy momente të tjera të rëndësishme praninë e kryeministrit të Kosovës në këtë mbledhje, si dhe mesazhi i qartë që iu bë presidentit të Serbisë Tadiq, se Serbia duhet të jetë konstruktive në procesin nëpër të cilin po kalon Kosova.
Në anën tjetër, zyrtarët e Kosovës thanë se janë të vetëdijshëm edhe për nevojën e përparimeve të mëtejshme në aspektin e përmbushjes së standardeve. Presidenti Sejdiu tha se kjo është e nevojshme për të realizuar një Kosovë në pajtim me vullnetin e qytetarëve të saj.
Ndërsa anëtari tjetër i Grupit Negociues të Kosovës, Veton Surroi, tha se shtetet e fuqishme të Grupit të Kontaktit në mënyrë të përhershme po përsërisin nevojën e përmbushjes së standardeve që janë funksione demokratike:
"Unë besoj se ky do të jetë, siç tha edhe kryeadministratori i Kosovës, një mesazh për zgjim nga gjumi për kosovarët, është një çështje të cilën ne e kemi ngritur dhe do ta ngremë në mënyrë të përhershme."
Reagimet e zyrtarëve kosovarë lidhur me takimin e djeshëm të Këshillit të Sigurimit përgjithësisht kanë theksuar si të rëndësishëm rikonfirmimin e qëndrimeve të fundit të Grupit të Kontaktit.

XS
SM
MD
LG